E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Gjykata e Tiranës lë në burg 5 ish-zyrtarët e AKKP

TIRANE - Gjykata e Tiranës u ka komunikuar masën e sigurisë 5 ish-zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion.

Gjykata vendosi masën ‘arrest me burg’ për 5 ish-zyrtarët, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga posti i tyre, kanë ndryshuar destinacionin e një sipërfaqe toke prej 79 mijë metrash katror e ndodhur në plazhin e Spillesë, pronë kjo që i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Jenisheri.

Mes të akuzuarve është dhe ish-Drejtor i zyrës Rajonale Tiranë AKKP-së Bledar Dervishaj, Ali Aliaj ish-Shef i Sektorit juridik i AKKP-së si dhe tre topografët Merita Gjinali, Dhimitër Papa dhe Njazi Ademi.

Hetimet
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas sinjalizimeve të ardhura prej autoriteteve lokale nga dy komuna që përfshijnë këto fshatra, Gosë dhe Kryevidh në lidhje me proceduat e ndjekura për tokat e kthyera të familjes Jenisheri në vijën bregdetare pranë fshatrave Vilë-Bashtovë, Spille, Greth dhe Domen.

Mësohet se dyshimet janë shtuar më tepër me pretendimet e katër personave të tjerë për të njëjtat prona. Nga ana e saj, Prokuroria e Tiranës i përqendroi hetimet e saj në llojin e tokës së kthyer, zhvendosjen e saj në pronë publike, largësinë sipas ligjit me vijën bregdetare, verifikimit nëse ka apo jo mbivendosje, si dhe çdo dokument tjetër që ka argumentuar vendimin për kthimin e pronave.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se prona e vjetër e kësaj familje është tokë buke dhe jo rërë deti, siç i është kthyer. Gjithashtu, dyshimet janë ngritur dhe mbi një zhvendosje të pronës gjatë procesit të kthimit pasi sipas dokumentit të pronësisë së vjetër, lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë Kavajë rezulton se, prona e pretenduar është me vendndodhje në fshatin Rreth-Greth, të komunës Kryevidh dhe jo në fshatin Vilë-Bashtovë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›