E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vjetra taksë e sheshtë

Kush studion në fakultetin ekonomik vështirë që ndër lëndët e preferuara mos ketë “Historinë e doktrinave ekonomike”, jo vetëm .... për faktin se të formon profesionalisht, por dhe për lidhjen që ka me historinë. Mendimtarë empirikë të lashtësisë fillestarë të teorive ekonomike në mesjetë, arkitektë shkencorë të kapitalizmit të sotëm ndërthuren në lëndë dhe konkluzioni i parë që nxjerr është se ekonomia është një shkencë që nuk pranon diletantë, pasi nëse do jenë në krye të shtetit do bëhen katastrofë e tij e nëse do përpiqen të japin mënd bëhen gazi i botës. Por ja që doktori do ti lërë të gjithë pa punë përfshirë ekonomistët dhe kohët e fundit i ka hipur në kokë ti shpjegojë botës se çfarë është taksa e sheshtë dhe si aplikohet ajo. Duket si një fëmijë që ka një lodër të re në dorë dhe po zbavitet duke ja u treguar të mëdhenjve pa u menduar gjatë se mund t’ju bëjë gjëmën shqiptarëve që ja u ka drejtuar. Paralel me doktorin çetat e tij të propagandës i japin zor vetes të shpjegojnë diçka që haberit nuk ja kanë.
Në vitin 1956, një ekonomist i quajtur Milton Friedman, që më vonë u nderua me çmimin Nobel, shpiku të quajturën “Flat tax”, përkthyer në shqip “Taksë e sheshtë”. Me fjalë të thjeshta, presupozon një taksë fikse e cila aplikohet mbi të ardhurat në shtresat sociale të gjithëllojshme pa dallim kufiri të ardhurash. Në praktikë rezulton se favorizon të pasurit. Shprehur në shifra, kur një taksë e tillë aplikohet, kjo do dëmtonte të ardhurat jetike të një punëtori dhe aspak të një biznesmeni. Argumenti për mundësinë që i jepet biznesit të investojë nuk rri në këmbë, pasi vetë taksa e sheshtë është shpikur për tu aplikuar në vende që nuk kanë administratë të fortë fiskale, rrjedhimisht shteti nuk është kompetitiv dhe ka pak ligje dhe rregulla që kuadratojnë shoqërinë, vënë rregulla biznesi dhe krijojë kushtet për investimin në sektorë prioritar të parasë në duart e biznesmenëve. Harta e saj në vendet e botës tregon se mbartësit e kësaj takse janë vendet e Europës Lindore, ose shtete të njohura për administrata të korruptuara dhe jo efikase. Megjithatë, niveli i taksës aty ku aplikohet është minimalisht mbi 20%. Ndërsa rasti shqiptar është tipiku ku shteti në vend të zgjedhë rrugën e ecjes përpara në forcimin e mekanizmave dhe instrumenteve fiskalë, ka zgjedhur paktin me abuzuesit. Pasi dihet se evazorët fiskalë nuk janë rrogëtarët, por biznesi. Realiteti në vendet aplikuese ka treguar se të dëmtuar të mëdhenj janë 95% e popullsisë. Por nëse kryeministri dhe politikanët rreth tij janë edhe biznesmenët më të mëdhenj të vendit, atëherë është e kuptueshme dashuria ndaj këtij taksimi në Shqipëri. Gjithçka do kishte kuptim nëse ditirambet për këtë taksë do kishin ndenjur në nivelin vendor shqiptar, por tu propozosh perëndimorëve aplikimin e kësaj takse është pa shumë fjalë mendjelehtësi.
Edhe dashuria e Berishës flamurtar i kapitalizmit të egër me “Reagan ekonominë”, rezulton pa kuptim. “Reagan ekonomia” ishte derivat dhe kopjim i masave ekonomike të ish kryeministres britanike Margaret Thatcher. Së pari në këtë kompleks masash ekonomike nuk ekzistonte taksa e sheshtë. Së dyti dhe kjo është më e rëndësishme, masat e ndërmarra nga Thatcher mbështeteshin shpeshherë mbi “Librin e Bardhë”, dokument i qeverisë së Atlit, kryeministri laburist që mundi Churchillin menjëherë pas luftës së Dytë Botërore. Vetë libri kishte kontributin e John Maynard Keynes ithtar i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi nëpërmjet mekanizmave financiarë dhe aksioneve shtetërore. Keynes urrente Marksin dhe socializmin e tij, por shumë e konsiderojnë këtë të fundit si paraardhës së keynsianizmit. Friedman kishte përshtypje të gjembëzuar për Keynes, por në realitet të dy ishin ithtarë të kapitalizmit. Keynes është i aplikuar gjerësisht nga shtetet perëndimore dhe është babai i kapitalizmit modern, ndërsa Friedman është i aplikuar në kohë të shkurtra dhe në vende problematike, duke krijuar nganjëherë imazhin e një bollëku dhe formule magjike, por e cila në përfundim ka rezultuar një stad dopingu i ekonomisë e cila në vazhdimësi ka kërkuar ndërhyrje të shtetit. Friedman megjithëse libertist kërkon ndërhyrjen e shtetit në kontrollin e parasë, ndërsa Keynes edhe në mekanizmat aplikues. I pari është ideues i teorive të ngjashme me atë të “Shock”, të cilën e provuan shqiptarët në fillim vitet ’90 të shekullit të kaluar, ndërsa shkolla aktuale rekomandon evolucionin në ekonomi, i cili është po aq i nevojshëm edhe në shoqëri.
A e kupton Berisha se ekonomia është shumë komplekse dhe teoritë ekonomike shpesh shpjegojnë vetëm një pjesë të fjalëkryqit dhe janë kaq shumë të ndërthurur e gërshetuar me njëra tjetrën sa mentaliteti i tij bardh e zi nuk arrin ta perceptojë? A thua zbatuesi i skemave piramidale të “Ponzit” në variantin shqiptar “Alimujça”, së bashku me stafin e tij rural është ndriçuar me libra ekonomikë në intervalet ndërmjet mitingjeve dhe sharjes së kundërshtarëve me libër shtëpie? Teorikisht është e pamundur që kjo të ndodhë te një njeri i cili të vetmen njohuri ekonomike ka ato staliniste të marra në vitin e parë të fakultetit. Në praktikë si kur milte piramidat dikur, ashtu dhe kur do të shpëtojë taksimin e pasurive, xanxa e tij në mbrojtje të taksës së sheshtë në nivelin 10% me siguri ka lidhje me bizneset e lidhura me të, e natyrisht me injorancën. Dhe meqë e hapëm shkrimin me historinë e doktrinave ekonomike, sa herë shikohet Berisha në televizor, që përpiqet me shpirt e dhëmbë të mbajë në këmbë një godinë të kalbur si qeverisja e tij, nën të cilën fshihet makutëria e plebeut të kthyer në patric, të vjen ndër mend aforizma e Ksenofonit, ekonomistit të Greqisë së lashtë, i cili thoshte se “Askush nuk ka aq para sa mos kërkojë prapë”.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›