E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: Në mars rishikohet regjimi i vizave

BRUKSEL - Bashkimi Europian mund të pezullojë liberalizimin e vizave me disa vende të Ballkanit Perëndimor, nëse ato shkelin rregullat e përcaktuara që në fillim të këtij procesi.

Deklarata është bërë nga raportuesja e Parlamentit Europian Tanja Fajon, në një intervistë për të përditshmen serbe “Vecernje Novosti”, ku thotë se presidenca daneze e Bashkimit Europian po nxiton të miratojë një mekanizëm të ri për pezullimin e regjimit të vizave në rast të mospërmbushjes së marrëveshjeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave.

Sipas Fajon, e gjithë puna mund të përfundojë brenda 1 ose dy muajsh dhe dokumenti në fjalë po diskutohet nga institucionet më të larta europiane. Ky dokument parashikon pezullimin e liberalizimit të vizave për një periudhë gjashtë mujore, më pas nëntë mujore dhe pas kësaj shteti kthehet në "listën e zezë".

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›