Korrupsioni, Prokuroria i kërkon KLD-së imunitetin e gjyqtarit të Elbasanit
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë autorizimin për të proceduar penalisht gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Qani Hasa, pasi dyshohet për korrupsion.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se, ndaj gjyqtarit Hasa, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale "korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".
Sipas burimeve, Prokuroria mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, kreu të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara si dhe identifikimit të personave të përfshirë në të.
Hetimet e deritanishme të kryera nga njësia Task- Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës nxorën në dritë mbi një veprim korruptiv (marrje e një shume parash) të gjyqtarit Hasa nga familjari i një të pandehuri të arrestuar në këmbim të një dënimi më të butë, në raport me kërkesën e prokurorit të çështjes.
Ndërkohë, veç kësaj KLD bëri procedim disiplinor për dy gjyqtare të tjere, Rasim Doda si dhe Anila Capo. Pas mbledhjes me zyrtare te Prokurorise, Këshilli i Lartë i Drejtësisë tha se do të hetojë mbi të gjitha vendimet e dhëna në gjykata për një periudhë një vjeçare.
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu bëri të ditur se "tashmë do të bëhet "skaner" për të gjitha çështjet penale, për të cilat kanë marrë vendim gjyqtarët". Sipas tij, do të bëhet inspektim për çdo vrasje duke filluar nga viti 2007 dhe vitin 2008 që është gjykuar nga gjyqtarët. Për këtë arsye, kontrolli do të bëhet edhe për çështjet që janë marrë me korrupsionin.