Topalli pret Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim personalitetin e lartë të Kishës Ortodokse, Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II.
Vizita e Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori II, është cilësuar si historike pasi shënon vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri.
Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë Patriarku i Aleksandrisë bëri përgëzimet e tij për progresin e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit pasi u shpreh se ndihet e nderuar që pret në këtë vizitë të parë një personalitet kaq të lartë të Kishës Ortodokse, u ndal në marrëdhëniet mes besimeve fetare në Shqipëri.
Topalli theksoi se harmonia dhe toleranca mes feve në vendin tonë është një thesar i rrallë, që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend model për të tjerët. "Kjo harmoni është një aset i yni, tha ajo, dhe ne ndihemi krenarë për këtë vlerë të çmuar"- duke vlerësuar kontributin e Kishës ortodokse në Shqipëri dhe rolin e veçantë të Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm për punën e tij në përçimin e vlerave humane, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare.