Korrupsioni bllokon luftën e Shqipërisë kundër evazionit fiskal
Tentativa e tretë zyrtare për të zvogëluar evazionin fiskal përmes detyrimit të kompanive të përdorin kasa fiskale duket se po ecën keq sërish, pasi u pa se një pjesë e kasave të shitura nuk punojnë, ndërsa ka dyshime për konflikt interesi
Nga Besar Likmeta dhe Gjergj Erebara
“Balkan Insight”Një investigim nga “Balkan Insight” ka zbuluar se fushata për instalimin e kasave fiskale nëpër pikat e shitjes në Shqipëri, reformë që do t’u lejonte autoriteteve të ndiqnin shitjet në kohë reale, rrezikon të dështojë nga shitja e kasave jashtë standardeve, si dhe akuzave për konflikt interesi. Përdorimi i përgjithshëm i kasave fiskale përbën një element thelbësor në përpjekjet e qeverisë për të luftuar ekonominë informale, e cila privon buxhetin e shtetit nga të ardhura të konsiderueshme.
Por, dokumente të para nga “Balkan Insight” tregojnë se kompanitë e licencuara për të shitur kasat fiskale shumë shpesh kanë shitur kasa të pavlefshme për procesin, të cilat tashmë duhet të zëvendësohen. Vetë procesi i zëvendësimit mund t’i kushtojë qindra mijëra euro buxhetit të shtetit. Ndërkohë, disa zyrtarë e kanë shpjeguar shitjen e kasave fiskale jashtë standardit me një konflikt interesi, për shkak se njëra nga firmat e autorizuara për shitjen e tyre është nën pronësinë e bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Drejtorisë së Përgjithshme të Kalibrimit, agjencisë qeveritare që ka certifikuar kasat që dolën në treg. Mungesa e besimit se kasat janë të vlefshme kanë shtyrë sakaq bizneset dhe qeverinë të injorojnë afatin ligjor të 31 qershorit, kohë kur sipas qeverisë, të gjitha bizneset në Tiranë duhej të instalonin një kasë fiskale. Për pasojë, shumë biznese rrezikojnë të gjobiten, pavarësisht se problemet me kasat fiskale nuk i kanë krijuar ato vetë.
Përpjekja e parë për të vendosur kasa fiskale në Shqipëri qe në vitin 1994. Në atë kohë, qeveria i bleu kasat fiskale praktikisht përmes të njëjtave firma që u shitën edhe në vitin 2010. Shpërndarja dhe shitja e kasave të reja fiskale iu besua në atë kohë Qendrës së Informatikës Financiare, një agjenci qeveritare, e cila kishte për detyrë edhe mirëmbajtjen e tyre. Kasat teorikisht do t’i siguronin qeverisë qindra milionë euro të ardhura shtesë në vit. Ministria e Financave dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë vlerësuar se ekonomia informale përbën afërsisht 40 për qind të ekonomisë shqiptare. I gjithë procesi eci ngadalë, deri sa kasat, të cilat nuk vlenin më shumë se sa llogarimbajtësit e thjeshtë, u braktisën së përdoruri nga bizneset, ndërsa qeveria hoqi dorë nga ndëshkimet për mospërdorimin e tyre. “Procesi i shpërndarjes dhe përdorimit të kasave fiskale nuk u ndërmor kurrë seriozisht, për shkak të respektit të ulët ndaj ligjit nga ana e qytetarëve, paaftësisë së administratës fiskale për të mbikëqyrur procesin dhe tensionit politik gjatë asaj periudhe”, kujton Xhavit Curri, ish-zëvendësdrejtor i Tatimeve. Në vitin 2001, qeveria u përpoq sërish të nxisë instalimin e kasave fiskale, përmes një metode më pak të centralizuar. Bizneset mund të blinin kasat fiskale kudo që të mundeshin, për sa kohë plotësonin disa kushte bazë. Por mënyra e decentralizuar e ndjekur nga qeveria socialiste bëri që kompanitë të mos e kishin nxitjen e mjaftueshme për të importuar pajisjet apo për të trajnuar punonjës për mirëmbajtjen. Në 2008-n, qeveria nisi një fushatë të re. Ajo i detyroi bizneset të blinin pajisje fiskale te njëra nga pesë kompanitë e licencuara. Këto kompani siguruan në këtë mënyrë një monopol virtual në importimin, shpërndarjen e mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale.
Kasa fiskale të pavleraProcesi aktual për instalimin e kasave fiskale nisi vitin e kaluar. Për bizneset e mëdha, afati ligjor u caktua më 31 mars 2009. Bizneset e vogla patën afate të mëvonshme. Për shkak se kompanitë e shpërndarjes së kasave dhe bizneset ecën ngadalë, qeveria e shtyu afatin për më 31 dhjetor 2009. Megjithëse zgjatja e afatit u dha bizneseve shumë më tepër kohë për të siguruar kasat fiskale, shumica e tyre priti deri në momentin e fundit, duke krijuar radhë. Pikërisht gjatë ditëve kur interesi i bizneseve për kasa arriti në maksimum, autoritetet vunë re se në treg qenë hedhur kasa fiskale të thjeshta (të ngjashme me makinat llogaritëse), të cilat nuk përmbanin modem apo karta SIM për ruajtjen dhe transmetimin e të dhënave. Renald Rista, kreu i Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përgjegjës për mbikëqyrjen e shpërndarjes së kasave fiskale, tha se vendimi fillestar i qeverisë nuk kishte specifikuar se cila prej kasave fiskale duhej të kishin modem dhe kartë SIM, megjithëse qe përcaktuar se të gjitha kasat duhej të ishin në gjendje të transferonin të dhënat së paku një herë në muaj automatikisht në drejtim të administratës tatimore. Rista thotë se administrata tatimore dhe Ministria e Financave, e cila i licencoi kompanitë, i kërkuan shumë herë këtyre të fundit të mos shisnin kasa fiskale pa modem, por problemi mbeti i pazgjidhur.
Konflikt interesi?Para se kasat fiskale të lidheshin në treg, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit kishte detyrimin për të certifikuar cilësinë e tyre, bazuar në specifikimet e Këshillit të Ministrave. Rista thotë se kompanitë iu përgjigjën kërkesave të administratës fiskale për moshedhjen e kasave jashtë standardeve në treg, duke argumentuar se këto kasa qenë të certifikuara si të vlefshme nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit.
Myrvete Pazaj ishte kreu i Drejtorisë së Metrologjisë në atë kohë, ndërsa bashkëshorti i saj ishte bashkëpronar i njërës prej kompanive të licencuara për shitjen e kasave, PKP-Rilindja. Ajo thotë se agjencia e saj nuk certifikoi në asnjë rast kasa që nuk plotësonin kushtet e vendimit të qeverisë. “Të gjitha kasat fiskale të certifikuara nga DPM-ja qenë në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, por qeveria vendosi më vonë të përmirësojë kushtet e sigurisë për kasat e shitura”, tha ajo.
Në lidhje me konfliktin e interesit, për shkak të faktit se bashkëshorti i saj qe bashkëpronar i PKP-Rilindja, Pazaj tha se e kishte deklaruar këtë konflikt tek autoritetet personalisht dhe se “qe tërhequr nga procesi i vendimmarrjes në përputhje me ligjin mbi konfliktin e interesit”. Por Rista thotë se gjithsesi qe e gabuar që Pazaj, e cila ishte përgjegjëse për kontrollimin dhe certifikimin e kasave të nxjerra në treg nga kompanitë, ishte bashkëshorte e njërit prej pronarëve të PKP-Rilindja. “Nga ajo që kemi parë në terren, një pjesë e konsiderueshme e kasave të shitura nga PKP-Rilindja qenë totalisht jashtë standardeve”, tha ai. “Balkan Insight” siguroi dokumente që tregonin se autoritetet fiskale kanë zbuluar se disa nga makinat e shitura nga PKP-Rilindja, të cilat u certifikuan si të rregullta nga DPD, qenë në fakt jashtë standardeve. “Balkan Insight” zbuloi gjithashtu një letër dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve te Ministria e Financave, ku kërkohej heqja e licencës së PKP-Rilindja, për shkak të shitjes nga ana e saj e kasave jashtë standardeve. Ndërsa problemi u zgjerua, qeveria ngriu shitjen e kasave fiskale për dy muaj, nga marsi deri në prill 2010. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të ri, në të cilin detajoi shumë nga kërkesat që duhej të plotësonin kasat që nuk i kishin përmbushur më herët nga pesë kompanitë e licencuara. Një komision i ri u krijua në Ministrinë e Financave, ku kasat duhej të certifikoheshin për herë të dytë para se të hidheshin në treg. Por ekspertët e tatimeve thonë se duket se procesi ka humbur besueshmërinë. Bizneset e Tiranës duhej t’i kishin instaluar kasat fiskale jo më vonë se 31 qershori i këtij viti, por i gjithë procesi po ecën shumë ngadalë, pavarësisht faktit se qeveria nuk ka ndër mend ta shtyjë afatin. Gjithsesi, bizneset që kapen në aktivitet pa kasa fiskale që tani rrezikojnë të gjobiten me 100 000 lekë, (800 euro). Nëse kapen për herë të dytë, rrezikojnë gjoba më të mëdha, ose mbylljen e aktivitetit.
Besar Likmeta është redaktor i BIRN për Shqipërinë. Gjergj Erebara është gazetar në Tiranë. Ard Kola, gazetar ekonomie tek e përditshmja “Shqip”, kontribuoi për këtë raportim. Ky artikull u mundësua nga mbështetja e Përpjekjes Kombëtare për Demokraci
#