E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, problem në strukturën e shtetit kosovar

“Koha Ditore” shkruan se mungesa e bazës ligjore, ndjeshmëria dhe mosmbrojtja e mjaftueshme e zyrtarëve të Prokurimit Publik dhe politizimi që u është bërë ndërmarrjeve më të mëdha publike në vend, ka bërë që korrupsioni të jetë problem në të gjitha strukturat e shtetit të Kosovës.

Në një raport të vetin, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ka konstatuar se hulumtimet e deritanishme të cilat e kanë përshkruar “Kosovën si vend me shkallë të lartë të korrupsionit”, janë bazuar vetëm në llojet e korrupsionit me të cilat ballafaqohen qytetarët në përditshmërinë e tyre. Sipas IKS-së, ky lloj i korrupsionit të “vogël” administrativ, nuk mund të ketë ndikim në sistemim politik dhe ekonomik të shtetit, krahasuar me “korrupsionin e madh” apo politik, i cili sipas IKS-së nuk regjistrohet në hulumtimet e tilla.

Sipas këtij raporti, korrupsioni i ka rrënjët më herët në shoqërinë kosovare. Raporti “Zgjidhja e nyjës – ekonomia politike e korrupsionit dhe llogaridhënies në Kosovë”, shpjegon se ekzistojnë probleme edhe në definimin e korrupsionit, ndërkaq që fenomenet si ai i politizimit të ndërmarrjeve publike kanë bërë që veç tjerash edhe mediat e shkruara, sidomos ato të vogla të jenë të kontrolluara nga politika. Raporti kërkon nga EULEX-i që të reagojë më me vendosmëri dhe të mos krijojë përshtypjen se është i interesuar për ruajtjen e stabilitetit të brishtë.

Ky institut u bën thirrje shteteve të kuintit, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, që të përkrahin EULEX-in në përpjekjet kundër korrupsionit, pa të cilat përpjekje, sipas raportit, ky mision definitivisht e humb kredibilitetin.

Raporti kërkon që zyrtarët e Prokurimit Publik të mbrohen nga ndërhyrja e “padronëve të tyre politikë”, ndërkaq që baza juridike për luftimin e këtij fenomeni, përfshirë edhe vetë Ligjin për prokurim publik të qartësohen pasi janë komplikuar pa qenë nevoja.

Mungesa e njohurive për shkallën dhe posaçërisht karakterin e korrupsionit, sipas raportit “paraqesin disa probleme për politikëbërësit kosovarë”.

“Së pari, mungesa e informatave specifike në debatin rreth korrupsionit, e bën të lehtë që të akuzuarit për korrupsion t`i vlerësojnë ato si të motivuara politikisht. Së dyti, kjo e bën të vështirë zbatimin e politikave të duhura”, thuhet në raport.

Sipas këtij instituti, për të kuptuar karakterin e korrupsionit në Kosovë duhet t`i bëhet një ekzaminim zhvillimit të ekonomisë që nga vitet 1990. Raporti shpjegon se që nga ajo kohë një gamë faktorësh vendës e ndërkombëtarë çuan në rritjen e informalizimit në ekonomi dhe zhvillimin e lidhjeve të ngushta midis aktorëve politikë dhe ekonomikë.

“Sot është e pamundur të kuptohet ekonomia e Kosovës pa vlerësuar ngjarjet e atyre viteve, sepse farat e të këqijave me të cilat përballemi sot u mblodhën në vitet 1990 dhe menjëherë pas luftës”, thuhet në raport.

Ky institut shpjegon se Prokurimi Publik, që përfshin gjithçka në funksionimin e një institucioni, që nga blerja e pajisjeve për zyrë e deri tek ndërtimi i magjistraleve, “është identifikuar si një ndër pikat më të theksuara të korrupsionit në Kosovë”.

“Keqpërdorimet e ndërlidhura me prokurimin përbëjnë shumicën e rasteve që hetohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit”, thuhet në raport. Sipas raportit, Ligji për prokurimin publik është i komplikuar pa nevojë dhe është vështirësuar zbatimi i tij në praktikë.

Problem tjetër në prokurim, sipas IKS-së, është trajnimi i dobët i zyrtarëve të Prokurimit, ndërkaq që pozita e dobët e zyrtarëve të këtij sektori mundëson kontrollin e tyre nga padronët politikë.

“Ata shpeshherë mund të jenë nën presion për të nënshkruar kontrata ose për të manipuluar me vendime të prokurimit. Jo vetëm që i është raportuar EULEX-it për kërcënim fizik të zyrtarëve të Prokurimit nga ana e politikëbërësve, por mënyra në të cilën institucione të ndryshme e kanë interpretuar ligjin e ka bërë të pasigurt punën e zyrtarëve të Prokurimit”, thuhet në raport.

Sipas IKS-së, raste të ndërhyrjes së politikës në punën e zyrtarëve që kontrollojnë tenderët janë publikë, ndërkaq që një rast i tillë në Komunën e Rahovecit e shpjegon më së miri fenomenin. Ekspertë të prokurimit kanë sugjeruar në këtë raport nevojën për sigurimin e mbrojtjes më të mirë dhe për izolimin e zyrtarëve të Prokurimit nga presionet politike.

“Ky mjedis procedurash të ngatërruara, pasigurish ligjore e institucionale dhe arbitrariteti në vendime, të cilave shpeshherë u mungon arsyetimi ligjor, afron terren potencial për rritjen e korrupsionit”, konstaton raporti.

IKS shpjegon se krijimit të ambientit ku mund të rritet korrupsioni i ka kontribuar sidomos politizimi i ndërmarrjeve më të mëdha publike në Kosovë, siç janë PTK-ja dhe KEK-u.

“Ndërhyrjet e shpeshta në udhëheqjen e ndërmarrjeve publike kanë krijuar përshtypjen se Qeveria nuk bën dallim midis burimeve dhe aseteve të saj dhe atyre të ndërmarrjeve publike”.

Në raport shpjegohet se procesi i politizimit të ndërmarrjeve publike ka bërë që të ketë ndërhyrje politike në emërimet e anëtarëve të bordeve të këtyre ndërmarrjeve, ndërkaq që këtë e ilustron më së miri Bordi i PTK-së.

“Ish-anëtari i PDK-së në Kuvendin Komunal të Pejës, sot është drejtor i PTK-së, si edhe rastet e ish-zëvendësdrejtorit të ATK-së dhe këshilltarit të lartë në Skenderaj, të cilët po ashtu janë pjesë e këtij bordi”, shpjegohet në raport.

Ky politizim, sipas raportit, ka bërë që të rritet panevojshëm numri i punëtorëve në këto ndërmarrje, ndërkaq që mund të flitet për pak ndikim pozitiv të ndërrimeve në menaxhimin e ndërmarrjeve.

Perceptimi për PTK-në si një nga ndërmarrjet më të korruptuara në Kosovë, sipas raportit, është forcuar pas raporteve për praktika të dyshimta të prokurimit.

“Politizimi i ndërmarrjeve publike sipas raportit nuk ndikon vetëm në qëndrueshmërinë financiare të këtyre ndërmarrjeve, por ka ndikim edhe tek mediat në Kosovë”, thuhet në raport.

Ku hulumtim sqaron se reklamat e Qeverisë dhe të ndërmarrjeve publike janë shtylla kurrizore financiare e gazetave në Kosovë. Gjatë hulumtimit të hartuesve të këtij raporti, është konstatuar se një gazetë e afërt me Qeverinë dhe këto ndërmarrje kanë fituar katër herë më shumë nga reklamat sesa nga shitja e vogël që e ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›