Pas dorëheqjes: Përplasja për Spahiun, Topi fiton betejën në KLD
Debatet e Presidentit me ministrin e Drejtësisë për nënkryetarin e KLD. Votimi i fshehtë, 8 me 6 në favor të kreut të shtetit.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranon me tetë vota pro mbarimin e mandatit të Kreshnik Spahiut.
Presidenti e ministri i Drejtësisë, replika për dorëheqjen e Spahiun.
Me tetë vota pro dhe gjashtë kundër, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranoi dje dorëheqjen e nënkryetarit të këtij këshilli, Kreshnik Spahiu. Anëtarët mbështetën me shumicë votash propozimin e Presidentit Bamir Topi pas një debati procedural-juridik që ai pati me ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi. Vendimi i shumicës shkoi në kundërshtim me propozimin e këtij të fundit. Sipas Halimit, shkarkimi i Spahiut, në kuptimin e ndërprerjes së mandatit, duhet të bëhej nga Kuvendi. Ndërkohë, logjika e kreut të shtetit, njëherësh kryetar i KLD-së, ka qenë se Spahiu dha dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të KLD-së, ku ishte zgjedhur nga ky këshill. Ai ishte zgjedhur anëtar nga Kuvendi dhe kishte shkuar në KLD si anëtar. Ka qenë vetë KLD-ja që më pas i ka dhënë Spahiut cilësinë e nënkryetarit. Mbledhja e djeshme u shoqërua me debate të forta mes Presidentit të Republikës, njëkohësisht kryetar i KLD-së, Bamir Topi, i pranishëm në mbledhje, dhe ministrit të Drejtësisë. Burime brenda mbledhjes me dyer të mbyllura, që zgjati pesë orë, pohuan se debatet u përqendruan kryesisht në ligjshmërinë e dorëheqjes të ish-nënkryetarit Spahiu. Duke e argumentuar me ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e Spahiut, ministri Halimi ka argumentuar se Këshilli nuk duhet ta pranonte dorëheqjen. Presidenti i Republikës, me argumentim ligjor ndërkohë ka marrë mbështetjen e tetë anëtarëve të KLD-së që rrëzuan propozimin e Halimit. Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit të Spahiut si pjesë e KLD-së dhe bërjen me dije Kuvendit të Republikës për vendin e mbetur bosh. “Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit para afatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, me shkak dorëheqjen prej tij, si dhe referimi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të nevojës së plotësimit të vendit vakant”, njoftoi zyra e shtypit të KLD-së në përfundim të mbledhjes. Me propozim të Presidentit Topi, dje Këshilli autorizoi kryeinspektoren e Inspektoratit të KLD-së për drejtimin administrative të institucionit deri në zgjedhjen e zëvendëskryetarit të ri. “Këshilli, mbi bazën e propozimit të kryetarit, vendosi unanimisht të autorizojë kryeinspektoren e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Valbona Vata, të kryejë drejtimin administrativ të këtij institucioni deri në zgjedhjen e zëvendëskryetarit”, njoftoi dje zyrtarisht KLD.
DORËHEQJA
Ish-nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme më 10 shkurt 2012. Në një dalje publike ai pohoi se i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngritjen nga Kuvendi të një komisionit hetimor për shkarkimin e tij nga funksioni i nënkryetarit të KLD-së. Ai pohoi se e kishte ndërmarrë këtë veprim për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, pasi, sipas tij, Kuvendi kishte marrë kompetencat ligjore të vetë KLD-së. “Për t’i hapur rrugë një vendimi kushtetues dhe të paanshëm nga kolegët e mi në Gjykatën Kushtetuese, që është arbitri dhe autoriteti kushtetues, vendosa të largohem nga detyra ime edhe për faktin se kjo nuk është luftë personale, por institucionale”, tha Spahiu.
8 vota pro mori dje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë propozimi për pranimin e dorëheqjes së nënkryetarit të KLD-së, çka ligjëroi më pas mbarimin e mandatit të tij.
6 vota ishin kundër pranimit të kërkesës së ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, për dorëheqje nga detyra e tij funksionale në Këshill.
Ligji: Si zgjidhet anëtari i ri i KLD-së
Sipas ligjit për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të zgjedhë një anëtar të ri në këtë institucion, për të plotësuar vendin vakant të mbetur nga dorëheqja e Kreshnik Spahiut. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion, thuhet në ligj. Sipas të njëjtit dokument, në nenin 8 thuhet se plotësimi i vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë bëhet, sipas rastit, nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendi (në rast se anëtari që është larguar është zgjedhur nga Kuvendi, atëherë edhe anëtari pasardhës zgjidhet nga i njëjti institucion, e njëjta gjë vlen edhe për Konferencën Gjyqësore Kombëtare).
Emërohet kryegjyqtari i Apelit të Tiranës
Në mbledhjen e djeshme, KLD-ja vendosi emërimin e gjyqtari Alaudin Malaj në krye të Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjyqtari Malaj ishte i komanduar në këtë detyrë nga KLD-ja që prej nëntorit 2011. Po dje, në përfundim të shqyrtimit të projektaktit përfundimtar të vlerësimit të kryeinspektores së Inspektoratit të KLD-së për gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë, Alaudin Malaj dhe Zamir Poda, u dha vlerësimi shumë mirë për aftësitë e tyre profesionale. Tjetër vendim i marrë dje nga Këshilli ishte deklarimi i mandatit të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Seit Xhoxhaj, për shkak të moshës për dalje në pension. Pas këtij vendimi, për këtë gjykatë nisi procedura e plotësimit të vendit vakant.
Komisioni Spahiu, Kuvendi shtyn me 10 ditë hetimin
KLD dërgon në Kuvend 3 kuti me 14 dosje dhe 37 zarfe me shkresa.
Alibeaj: Nuk kanë sjellë dokumentet financiare.

Komisioni hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu
Pas largimit të Kreshnik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së dhe në ditën e fundit të afatit të Komisionit hetimor parlamentar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si kryetar i KLD-së, i ka vënë në dispozicion Parlamentit materialet e kërkuara për hetim. Pikërisht për këtë shkak, Komisioni hetimor për nisjen e procedurave për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së do ti kërkojë Kuvendit në seancën e së enjtes zgjatjen e afatit hetimor për rreth 10 ditë të tjera. Komisioni hetimor ka votuar me 5 vota pro dhe riçeljen e hetimit për administrimin e materialeve të reja që iu vunë në dispozicion nga KLD-ja, pas ikjes së zotit Spahiu nga detyra. Në protokollin e Kuvendit kanë mbërritur dje pasdite 3 kuti, 14 dosje dhe 37 zarfe me shkresa dhe procesverbale të mbledhjeve të mbajtura nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë harkut kohor 3-vjeçar. Kryetari i Komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj, tha se në materialet e kërkuara mungonte vetëm dokumentacioni administrativo-financiar dhe mënyra se si janë përdorur fondet nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Nuk kanë ardhur vetëm dokumentacionet të cilat tregojnë dhe mënyrën e menaxhimit financiar të fondeve KLD-së. Arsyetimi i mossjelljes së këtij materiali ka qenë se i është vënë në dispozicion KLSH-së, theksoi Alibeaj. Komisioni hetimor parlamentar do ti drejtohet më një shkresë zyrtare Presidentit të Republikës dhe kreut të KLSH-së Bujar Leskajt, për ti kërkuar vënien në dispozicion të një kopje të materialeve që po auditohen nga KLSH-ja. Kjo sipas Alibeajt nuk përbën asnjë përpla