Kos: Shqipëria meriton antarësimin! Rama: Nuk kemi alternativë tjetër veç Bashkimit Europian!

Kryeministri Edi Rama priti sot në nje vizitë zyrtare në Tiranë, Komisioneren e BE-së për zgjerimin Marta Kos.
Në një konferencë të përbashkët me kreun e qeverisë gjatë kësaj vizite të parë zyrtare në Tiranë, Kos e quajti Shqipërinë është një ishull stabiliteti dhe meriton të jetë pjesë e bashkimit Europian
“Me ju brenda Bashkimit Europian, Europa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Ju keni marrëdhënie të mira të fqinjësisë së mirë në rajon dhe kjo është ndonjëherë diçka që ne shpesh e harrojmë. Ne sot do të kemi ratifikim në parlament të të dyja marrëveshjeve, të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që ne t’i japim Shqipërisë shifrën 1 miliardë eurove, një pjesë në hua, një pjesë tjetër me grante, në mënyrë që të kryhen të gjitha reformat e domosdoshme për Shqipërinë, por edhe për të bërë të mundur që ju të jeni gati për të qenë shtet anëtar. Ne të gjithë e dimë tashmë që fokusi, vëmendja duhet të jetë te zbatimi i reformave, të cilat janë miratuar, por natyrisht edhe tek përshpejtimi i konfirmimit të të gjitha reformave të tjera, e në veçanti sa i përket reformës në drejtësi, të cilën e mbështes tërësisht vetë, sepse është edhe gur themeli i procesit të integrimit europian”, tha Marta Kos.
Kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për të arritur objektivin e përfundimit të negociatave brenda vitit 2027.
“Është mbështetja e një institucioni të madh dhe shumë kërkues siç është BE, të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë çdo ditë sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar europiane. Ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Diplomatja e lartë e Bashkimit Europian kishte një dhuratë për kreun e qeverisë.
“Basketbolli ka luajtur një rol të posaçëm në jetën tuaj kryeministër, kështu që dhurata ime për ju sot është simbolike edhe për Shqipërinë. Duam që vendi juaj të bëhet pjesë e skuadrës së Europës”, deklaroi znj.Kos.
Gjatë vizitës në Tiranë, Komisionerja ka zhvilluar një serë takimesh, përfshirë kryeparlamentaren Elisa Spiropali, përfaqësues të opozitës si dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
/vizionplus.tv