E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërthejnë “të përjashtuarit”, Sula akuzon Berishën. Xhaferri: Koalicioni i PD me Jenisherin e Gjuzin ka trembur Ramën

Pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike reagimi më i ashpër erdhi nga Dashnor Sula, i cili refuzoi të kandidojë në listën e hapur dhe u largua nga PD për t’iu bashkuar koalicionit te udhëhequr nga Adriatik Lapaj.

Deputeti Sula akuzoi Berishën se  shkeli statutin dhe nuk respektoi votën e demokratëve.

“Zoti Berisha bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, i famshmi Flamur Noka , e famshme Albana Vokshi të cilët fatkeqësisht sot Partia Demokratike ka rënë sot në dorë të këtyre dy figurave të cilat janë, nuk do thosha të urryera, por të padëshiruara nga demokratët, por të urryera nga qytetarët shqiptarë. Unë nuk mund të lejoj, po përdor këtë termin, të përdhunohem kam sakrifikuar për atë parti jetën, familjen time dhe jam i vetmi person që skam përfituar kurrë dhe nuk kam marrë kurrë ofiqe”, tha Sula.

Edhe Ferdinand Xhaferraj i cili refuzoi të merrte pjesë në primare, ironizoi listën e kandidatëve të PD dhe aleatëve të saj.

 “Është një koalicion me 3 burra shteti. Me Kujtim Gjuzin, Selami Jenishehrin dhe Sali Berishën do e bëjmë Shqipërinë madhështore. Kjo treshe po e tmerron Edi Ramën dhe mazhorancën. Ky është një koalicion me 3 burra shteti”, u shpreh Xhaferraj.

Një prej deputetëve që është në listën e hapur është Jorida Tabaku e cila do të garojë në 11 maj, pavarësisht se besonte që duhej të ishte në listën e mbrojtur.

“A mendoj unë se e meritoja të isha në listën e mbyllur me shumë modesti them se e meritoja. Se besoj se jam figurë përfaqësuese e qytetit të Tiranës. Por çfarë mendoj për këtë? Ju e dini unë ju njoh të gjithëve dhe ju më njihni që unë me këtë mënyrën time, kështu ngadalë, pa të bërtitura i kam fituar të gjitha beteja e mija në Partinë Demokratike. I ka fituar të gjitha betejat e mija në parlament dhe do ta fitojë dhe këtë betejë”, deklaroi Tabaku.

Në skenën politike është rikthyer edhe Monika Kryemadhi e cila u bëri apel miqve të saj të votojnë Ilir Metën.

 “U bëj thirrje të gjithëve, miqve, të afërmeve të mi të votojnë të shkojnë të votojnë Presidentin e Lirisë. Kam pasur në plan për të kandiduar e pavarur, por duke ditur logjikën e Ilir Metës dhe gjendjen ku ndodhet Partia e Lirisë jam tërhequr”, tha Kryemadhi.

Aleati i Partisë Demokratike Ilir Meta ka vendosur të garojë në listën e hapur të qarkut Tiranë, dhe në listën e hapur është edhe Shpëtim Idrizi.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›