Koshtunica: Kosova ka pak rëndësi për qeverinë e Serbisë
Kryetari i Partisë Demokratike serbe, Vojislav Koshtunica, ka deklaruar se qeveria serbe duhet t`i tregojë Brukselit se asnjë vend në Evropë nuk ka bërë tregëti me territorin e tij e këtë nuk mund ta bëjë as Serbia.
“Serbia nuk ka nevojë për asgjë dhe as nuk kërkon të japë asgjë. Kosova na takon ne, sepse ajo është e jona. Duket se Kosova është më e rëndësishme për BE-në se sa për qeverinë e Serbisë. Më shumë kujdeset Brukseli që të na marrë Kosovën se sa qeveria jonë ta mbrojë atë”, ka thënë Koshtunica.
Ai ka thënë edhe se zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet patjetër vetëm në kuadër të Kushtetutës së Serbisë.
Gjatë këtij takimi të trupit kryesor të partisë së Koshtunicës, ish kryeministri serb e ka akuzuar qeverinë në Beograd se nuk ka realizuar asnjë premtim të bërë deri më tani, duke ndaluar edhe zhvillimin e shtetit.