E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, një zyrtar i MPB arrestohet për mitmarrje

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka bërë të ditur se arrestimi është kryer në qytetin e Ferizajt, pas inicimit të rastit nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas tij, arrestimi është bërë në bazë të ankesës së një qytetari, i cili ka thënë se personi zyrtar nuk ia kishte rregulluar dokumentet edhepse kishte marrë 170 euro.

"Zyrtarët policorë dhe hetuesit policorë kanë gjetur në dosje të zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe formularin e zbrazët vetëm të nënshkruar, që dyshohet se i njëjti ka pranuar edhe të hollat për procedurë të shpejtë të lëshimit të pasaportës nga personi i cili ka bërë kërkesë", ka thënë Beka.

Ai ka thënë se hetuesit kanë konfiskuar në zyrën e të dyshuarit edhe dokumente të tjera, pasi ai dyshohet edhe për keqpërdorime të tjera.

Policia e Kosovës ka njoftuar gjithashtu se në rajonin e Gjilanit janë arrestuar tre persona, të dyshuar për grabitje të armatosura. Ata janë: Nj. Spahiu, A. Spahiu dhe personi i tretë me inicialet F.I. Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit në banesat dhe shtëpitë e tyre janë konfiskuar maska, dorëza, telefona mobils dhe një armë e tipit AK-47. /qik/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›