E Diel, 1 Nëntor 2026

IGFM: Në Strasburg abuzimet me shqiptarët e Maqedonisë

Forumi i njohur gjerman që vepron në disa shtete të botës ku shkelen të drejtat e njeriu ka arkivuar edhe në Maqedoni të gjitha rastet e shkeljeve dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut, kryesisht në këtë rast me etnitetin shqiptar. Ekspertë dhe veprimtarë gjerman të këtij forumi tashmë kanë paralajmëruar edhe institucionet gjermane me shkeljet dhe rastet e montuara nga institucionet në Maqedoni, ku viktima janë shqiptarët.

Janë tre lëndë që IGFM i ka drejtuar Gjykatës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg:
Rasti i Sopotit, Brodecit, rasti i Manastirit. Këto dy rastet e para tashmë janë të njohura për opinionin, ndërsa rasti i Manastirit ka të bëjë me një rast të montuar për vrasje, ku si të akuzuar dhe të dënuar me nga 12 vite burg janë vëllezërit Klenja nga Manastiri.

Dy vëllezërit Faton dhe Veton Klenja janë viktima të një procesi të montuar që ka ndodhur në Manastir lidhur me një vrasje dhe se ata janë dënuar me nga 12 dhe 10 vite burg. Avokati i tyre Vasil Gjorgjiev gjithashtu ka theksuar se dy vëllezërit nuk janë aspak të implikuar në vrasje, dhe se bëhet fjalë për një montim klasik nga institucionet e hetuesisë.

Kryetari i degës së IGFM-së, Idriz Sinani ka theksuar për  agjencinë e lajmeve INA se vetëm në këtë mënyrë do të mund të kërkojnë drejtësinë e vërtetë për të gjitha rastet ku janë të dënuar shqiptarët, për shkak se sipas tij, institucionet e drejtësisë në Maqedoni vazhdojnë të jenë nën kontrollin e rreptë politik dhe vazhdojnë avazin e proceseve të montuara.

“Kërkesa jonë konkrete orientohet në gjetjen e drejtësisë për të gjitha rastet e shkeljes së lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit që kanë ndodhur në shtetin tonë, në gjitha fushat e jetës shoqërore duke u përqendruar më së shumti në shkeljen e këtyre lirive të cilat shkaktohen pikërisht nga institucionet të cilat në realitet duhet të garantojnë ekzistimin e këtyre lirive qytetare e njerëzore, pra organet dhe institucionet shtetërore e në veçanti gjykatat”, thuhet në shkresën zyrtare drejtuar Gjykatës së Strasburgut.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›