Aleanca KuqeZi: Të ndalohet censusi i Bollanos
Aleanca KuqeZi kërkoi sot që të ndalohet censusi i OMONIA-s.
Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë së Sali Berishës të veprojë dhe zbatojë ligjin dhe të ndalojë Censusin e OMONIA-s së Vasil Bollanos, mikut të ngushtë të kryeministrit. Aleanca KuqeZi dënon ashpër çdo iniciative të kujtdo organizmi politik që tenton të kryejë regjistrimin e popullsisë shqiptare me qëllim nxjerrjen e shifrave in-ekzistente për komunitetet minoritare, thuhet në një deklaratë të AK.
Aleanca KuqeZi përsëriti faktin se censusi i qeverisë ka dështuar në pyetjet për etninë dhe fenë.
Aleanca KuqeZi i bën me dije opinionit publik se censusi i Genc Pollos dhe Sali Berishës dështoi në plotësimin e kërkesave të Athinës dhe si rrjedhoje kur po mbushet një vit nga procesi i regjistrimit të popullsisë, shqiptarët ende nuk kanë një informacion të saktë mbi shifrat e regjistrimit.
Kemi dëgjuar Sali Berishën të flasë për rritjen e ndërtimeve, rritjen e punësimit, por në asnjë rast nuk e kemi dëgjuar kreun e qeverisë të publikojë detajet e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, sepse Athina zyrtare nuk është e kënaqur me numrin e minoritet grek në vendin tonë dhe ka marrë peng shifrat zyrtare të INSTAT-it qeveritar, thuhet në deklaratën e AK.
Lëvizja politike u kërkon shqiptarëve të mos i përgjigjen censusit të Bollanos, pasi përveç të tjerave është shkruar në gjuhën helene.
Aleanca KuqeZi i bën thirrje Omonias së Vasil Bollanos të mos tentojë të trokasë në dyert e shqiptarëve sepse do të marrë përgjigjen e merituar, ashtu si shqiptarët refuzuan ti përgjigjën pyetjes për etninë dhe fenë në censusin e haraçit të Sali Berishës ndaj Athinës zyrtare.
Aleanca KuqeZi kundërshton më forcë çdo përpjekje të politikës helene për të rritur artificialisht dhe me qëllime tendencioze e meskine komunitetin e saj në vendin tonë, ashtu sikundër shpreh neverinë për gjunjëzimin e diplomacisë shqiptare ndaj presionit grek.
Edhe sot kur Greqisë i janë tundur themelet e demokracisë dhe sovranitetit, shteti shqiptarë nuk është në gjendje të mbrojë integritetin territorial dhe dinjitetin kombëtare në prag të 100 vjetorit të pavarësisë.
Jo më kot Aleanca KuqeZi ka deklaruar se kemi 100 vjet pavarësi, por jo 100 vjet shtet dhe këto janë provat e mungesës së thellë të moralit kombëtare dhe pajtueshmërisë së politikës me qarqet anti-shqiptare.
Aleanca KuqeZi i bën apel mbarë qytetarëve shqiptare që të refuzojnë me çdo formë pyetësorin e Bollanos së Berishës, i cili është në shkelje me çdo ligj dhe rregull pasi mbi të gjitha ai është vetëm në gjuhën helene duke përdhosur hapur gjuhem amë, gjuhën shqiptare dhe të vetmen zyrtare për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.