Kosova, Bakojanis: Greqia s'ka ndryshuar qëndrim

Kryesuesja e radhës e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakoyannis, deklaroi të martën në Prishtinë se qëndrimi i shtetit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar, pavarësisht faktit që kosovarët tashmë mund të shkojnë në shtetin e saj si shtetas të Kosovës.
Ajo pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se "Greqia do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit, siç ka bërë deri më tani dhe do të vazhdojë të promovojë stabilitetin dhe paqes në kuadër të EULEX-it, KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare. Ndërkohë që ka theksuar se qëndrimi i Greqisë sa i përket pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm. Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani gjatë qëndrimit në Prishtinë përpos Presidentit Sejdiu ka takuar edhe Kryeministrin Thaci. Ajo pati edhe një drekë pune me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Ndryshe shefja e diplomacisë greke dje ka qëndruar në Beograd ku me zyrtarët serbë ka biseduar për zhvillimet në rajon. "Greqia vepron gjithnjë duke u bazuar në interesat e saj kombëtare dhe të ruajtjes së stabilitetit të rajonit", ka thënë Bakojani. Ajo i është shmangur përgjigjes rreth qëndrimit të Greqisë ndaj kërkesës së Kosovës për t'u anëtarësuar në OSBE. Ndërsa ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka deklaruar se Serbia "asnjëherë dhe nën kurrfarë kushtesh nuk do pajtohet që të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OSBE". Veton Rugova