Kosova: Hetim shefave të QSUT-së, i dërgojnë pacientët në privat
Ministri Halim Kosova ka ngritur një grup pune për të hetuar të gjithë shefat e QSUT-së për të cilët ka sinjale se abuzojnë kundrejt pacientëve, duke i orientuar ata në spitale private edhe kur janë mundësitë për tu mjekuar në shtetëror. Ministri Kosova u shpreh se nuk do të tolerojë asnjë rast të tillë pa marrë përgjegjësitë përkatëse, pavarësisht miqësive që mund të ketë me mjekët apo shefat.
Shkeljet
Gjatë një deklarate bërë dje për mediat, ndërsa mori pjesë në një aktivitet për trajnimin e mjëkëve gjinekologë në maternitetin Koço Gliozheni në Tiranë, ministri Halim Kosova tha se Ministria e Shëndetësisë ka konstatuar shkelje të detyrës për disa shefa shërbimesh në QSUT. Për këtë arsye ditët e fundit ministri i Shëndetësisë Kosova ka ngritur një grup të posaçëm inspektorësh, pasi sipas tij ka shefa që abuzojnë me detyrën duke i orientuar pacientët nga spitalet publike drejt atyre private.
Ministri Kosova
“Ndoshta ndonjë shef shërbimi i prirur nga puna në sektorin privat i thotë pacientëve që do anulohen operacionet se mungon filan ilaç. Absolutisht që ky person do të përplaset me të gjitha ato mundësi që unë kam në dorë për të bërë, për atë që abuzon me sektorin shëndetësor”, tha Halim Kosova, ministër i Shëndetësisë. Ndërkaq nga auditi që po zhvillohet në institucionet shëndetësore janë konstatuar edhe abuzime me faturat e medikamenteve nga ana e mjekëve.
Faturat fiktive
“Mendoj se ajo që e ka dëmtuar më shumë sistemin shëndetësor kanë qenë faturat fiktive, që kanë hyrë fatura po jo ilaçe, dhe u është dashur qytetarëve që ti blejnë nga xhepi sepse këtu mund të ketë vende për shumë abuzime. Mos ti shkoj mendja asnjërit që të abuzojë, pasi unë do ta ndaloj për ta bërë sa më transparente rrugën e menaxhimit të buxhetit që qeveria i drejton pacientit”, tha Halimi.
Trajnimi i mjekëve
Këto deklarata kreu i Shëndetësisë i bëri gjatë një takimi me mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, i cili ka pasur në fokus projektin (amerikan) më të fundit që po zbatohet në këtë institucion për trajnimin e mjekëve gjinekologë, në mënyrë që të përballojnë me sukses raste urgjente të ndihmës ndaj fëmijëve dhe nënave shtatzëna, duke ulur në këtë mënyrë edhe treguesit e vdekshmërisë foshnjore dhe atë amtare në vend. Një raport i fundit i organizatës Save dhe Children e rendit Shqipërinë në vendin e 81 sa i përket treguesit të vdekshmërisë foshnjore nga 186 vende në total të marra si referim. Save dhe Children thekson se Shqipëria ka bërë progres për vdekshmërinë e fëmijëve mbi 5 vjeç duke e reduktuar këtë raport, por shifrat mbeten të larta përsa i përket vdekjes së foshnjave qysh në lindje.