E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, KFOR tërhiqet nga veriu, Buhler: Nuk donim dhunë

MITROVICË- Pas disa orësh debatesh të tensionuara, për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, grupi negociator serb i kryesuar nga Borisllav Stefanovic dhe komandati i KFOR, Erhard Buhler, kanë arritur në një marrëveshje. Ndërkohë mësohet se ka filluar tërheqja e trupave të KFOR nga fshati Rudarë. Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes Buhler deklaroi se trupat e KFOR u tërhoqen se nuk donin që të kishte më dhunë.
Situata në veri u tensionua pasi serbët kishin barrikada në rrugën që të con në pikën kufitare të Jarinjës, pavarësisht ultimatumit të KFOR, për të hequr barrikadat deri në orën 16:00. Në të kundërt KFOR deklaroi se do t'i hiqte me forcë.
Barrikadat e serbëve në rrugë erdhën si reagim ndaj aleancës ushtarake, e cila të enjten, mori kontrollin mbi pikat kufitare në kufi me Serbinë. Buhler i KFOR e Stefanovic ne bisedime por ende pa marrëveshje.

BUHLER: U TËRHOQËM SE NUK DONIM DHUNË
Ora 21:28 Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, në një konferencë për media menjëherë pas arritjes së marrëveshjes për tërheqjen e trupave nga veriu, ku serbët kishin vendosur barrikadat  deklaroi se KfFOR u tërhoq pasi nuk dëshironte që të ushtronte dhunë, raporton Kosovapress.

“Më në fund vendosa mos ta vazhdojmë rrugën për shkak se aty ishin mbledhur aq shumë radikal dhe ekstremistë, për shkak se ka pasur edhe të shtëna dhe të ngjashme. Ne nuk kemi pasur mundësi në mes të radikalëve dhe qytetarëve të rëndomtë, andaj nuk kemi dashur të krijojmë dhunë. Ua kemi bërë të qartë se herën e dytë nuk do të përsëritet një gjë e tillë dhe kjo vlen prej ditës së nesërme. Kam marrë garanci edhe prej palës serbe se konvoji i ushtarëve të KFOR-it herën e dytë do të kalojë”,- ka thënë Buhler.

KFOR TËRHIQET, SERBËT QËNDROJNË NË RRUGË
Ora 20:26 Trupat e KFOR-it janë tërhequr nga fshati Rudarë, pasi nuk ishin lënë të kalojnë nga turma serbe . Ndërkohë Kosovapress njofton se ato edhe pas arritjes së marrëveshjes KFOR-Serbi, ende po vazhdojnë të mbajnë rrugën e bllokuar.

STEFANOVIC: U ARRIT MARRËVESHJA QË KFOR TË TËRHIQET
Ora 20:24 Kosovapress bën me dije se shefi i ekipit negociator serb, I ka komunikuar serbëve të tubuar në veri se është arritur marrëveshje që KFOR, të tërhiqet, ndërkohë kanë theksuar se duhet edhe pak kohë, për të rënë dakort përfundimisht.
“Marrëveshja është arritur që KFOR-i të tërhiqet. Mos e testoni këtë, hajde të gjithë që në mënyrë të dinjitetshme t’i përcjellim këta njerëz. Jemi shumë afër për të gjitha problemet, duhet edhe pak kohë që të bisedohet, qëndroni të qetë dhe me dinjitet sepse gjenerali Buhler më në fund e ka kuptuar se gjithçka tjetër është më mirë se konflikti”,- ka thënë Stefanovic.

Nga ana tjetër i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën Goran Bogdanovic u ka kërkuar serbëve të tubuar në rrugë që të qëndrojnë të qetë dhe të mos shkaktojnë probleme.
“Ju lutem që të qëndroni të qetë, siç keni qëndruar gjatë tërë ditës, sepse një incident më i vogël do të rrezikojë të gjitha përpjekjet tona, të cilat jo vetëm ne këtu që po i bëjmë, por i tërë kreu shtetëror. Ekziston perceptimi në Prishtinë se ne në veri jemi njerëz që problemet dëshirojnë t’i zgjidhim dhunshëm. Sot kemi dëshmuar se kjo nuk është e vërtetë”, tha Bogdanovic.

SITUATË E TENSIONUAR NË VERI
Ora 20:01 Serbët e tubuar në veri të vendit nuk largohen, ndërkohë që situata vijon të jetë e tensionuar në veri. Kosovapress bën me dije se ndërkohë paralel me këtë situatë vijojnë bisedimet midis shefit të ekipit negociator serb, Borisllav Stefanovic dhe përfaqësuesve të KFOR-it.

KFOR NISEN DREJT BARRIKADAVE, 1000 SERBE JANE MBLEDHUR PARA TYRE
ORA 18:30 Kosova press raporton se forcat e KFOR-it amerikan dhe atyre slloven janë nisur drejt barrikadave të vendosura nga serbët në Rudare, por janë kthyer dhe po qëndrojnë 50 metra në distancë nga turma prej 1 mijë serbësh që janë mbledhur para barrikadës. Serbët janë duke qëndruar akoma në rrugë dhe nuk po largohen, ndërkohë që shefi i ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviç është duke vazhduar bisedimet me përfaqësues të KFOR-it. Situata është e tensionuar dhe mund të eskalojë në çdo moment.

SERBET BLLOKOJNE MAKINAT E KFOR
Ora 18:00 Një zyrtar i lartë serb tha se serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar një varg të makinave të NATO-s që të shkojnë në bazat e tyre.

BISEDIMET PER HEQJEN E BARRIKADAVE, ENDE PA MARREVESHJE
Ora 17:50 Bisedimet për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët janë duke vazhduar, por ende nuk ka marrëveshje për largimin e tyre, raportojnë mediat serbe e kosovare. Shefi i ekipit negociator serb, Stefanoviç u ka bërë thirrje protestuesve se nëse KFOR-i do të fillojë me forcë largimin e tyre, atëherë ata nuk  duhet të rezistojnë, por të largohen vullnetarisht. KFOR tashmë ka mbyllur pikën kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakës edhe për këmbësorët.

SERBET NUK PRANOJNE TE HEQIN BARRIKADAT
Ora 16. 40 Në orën 16: 27 minuta, media kosovare raportuan për një grumbullim gjithnjë e më shumë të serbëve në Rudarë. "Disa qëndrojnë ulur, e disa edhe të shtrirë në rrugë, ndërkohë që në anën tjetër të barrikadave, në gjendje të lartë gatishmërie janë pjesëtarë të KFOR-it amerikan dhe slloven."- raporton kosova press.

Serbët lokalë kanë deklaruar se nuk do të largohen nga rruga, dhe se KFOR-i mund të kalojë vetëm duke i shkelur ata. Ata akuzuan KFOR se po mban vetëm,anën e Kosovës, por Buhler e mohoi.

"Situata është e tensionuar, ndërsa gjenerali Buhler nuk ka mundur të arrijë ndonjë marrëveshje me banorët serbë, të cilët protestojnë pothuajse nga të gjitha anët"- shkruan kosova press. 
 
Komandati i KFOR Erhard Buhler deklaroi sot pasdite, rreth orës 16. 30 minuta se një takim me serbët në Rudarë nuk do të ndodhte nëse ata nuk do të hiqnin barrikadat në rrugë. Por kryetari i grupit negociator të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Borislav Stefanoviç theksoi se “askush nuk mund të detyrojë serbët të bëjnë një gjë të tillë, ndërkohë që u bën apel protestuesve të përdornin mënyra paqësore.

Sipas mediave kosovare KFOR ka larguar barrikadën e parë me rërë, në afërsi të Rudares, por aty nuk ka pasur banorë që protestonin, ndërkohë që janë edhe dy barrikada tjera deri në Rudarë, ku po protestojnë serbët.

Pas mbërritjes së gjeneralit të KFOR, në Rudarë, rreth orës 14:00 , janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri të ardhura nga malet përreth këtij lokacioni, që kanë detyruar ushtarët e KFOR-it të shtrihen për tokë. Situata shumë e tensionuar ka zgjatur përreth 10 minuta dhe nuk dihet nëse ka të lënduar, raporton media kosovare.

Mes serbëve protestues është parë dhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën Goran Bogdanoviç dhe shefi i ekipit negociator serb Stefanoviç.

Një ditë më parë, KFOR-i ka shpallur Portat 1 dhe 31 zona të kufizuara ushtarake dhe ka paralajmëruar se mund të përdorë armët, ndaj personave që nuk janë të autorizuar të qëndrojnë apo të kalojnë nëpër pikat kufitare.
(s.g/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tadiç: Serbia s'mban përgjegjësi për situatën në Kosovë BE: Serbia dhe Kosova të ulin tensionet Thaci: Kemi nën kontroll veriun, EULEX të respektojë ligjet

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›