E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova: Me Islandën vetëm fitore! Rikthehen të gatshëm Rrahmani e Berisha. Foda: Shfrytëzojmë faktorin fushë

Kosova synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të fituar sonte ne 20:45 në Prishtinë kundër Islandës në duelin e parë të Play Off për kalimin nga kategoria C në atë B të ligës së kombeve.

Dardanët kanë përballë Islandën e cila luan për të qëndruar në ligën B.

Lajmi i mirë te Kosova është se dy futbollistët me eksperiencë Amir Rrahmani dhe Valon Berisha do të jenë nga minuta e parë në fushë sonte kundër rivalëve nordike pas problemeve fizike që kanë kaluar së fundmi.

Mungesa më e madhe te vendasit është padiskutim Edon Zhegrova që ka qenë i dëmtuar dhe vetëm tani po kthehet i gatshëm tek Lillë.

Trajneri Franko Foda mund të mbështetet tek dy lojtarët më të mirë që ka në ekip në fazën ofensive Rashica dhe Muriqi, pa lënë mënjanë Amir Rrahmanin dhe Vojvodën në mbrojtje.

Në konferencën e fundit për shtyp para kësaj përballje, tekniku Foda e vlerësoi Islandën si një rival mjaft të disiplinuar në aspektin taktik, me 2-3 elemente që mund të bëjnë diferencën sikurse Haraldson i Sosiedad apo Gudmundson i Fiorentinës.

Mirëpo Foda shtoi se Kosova do të shfrytëzojë gjithashtu lojtarët cilësore që ka në organikë si dhe faktorin fushë për të kërkuar medoemos suksesin në këtë duel të parë në shtëpi.

Trajneri i dardanëve tha se e vetmja mënyra për t’ia dalë mbanë ndaj islandezëve është presioni i lartë që në fillim dhe kompaktësia.

Në të kaluarën Kosova ka luajtur dy herë ndaj Islandës në kualifikueset e kupës ë botës së vitit 20218.

Në të dyja rastet dardanët i kanë humbur ndeshjet ndaj nordikëve. Dueli i kthimit mes këtyre dy kombëtareve do të luhet të dielën në Mursia të Spanjës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›