Sylvinho me dilema për Anglinë, Ismajli dhe Kumbulla mbajnë në “ajër” kuqezinjtë, Anglia vjen me risi

Shqipëria mbërriti mbrëmjen e të mërkurës në Londër, për tu sistemuar në prag të duelit të parë kualifikues për kupën e botës kundër Anglisë, ndeshje e cila luhet në Uembli të premten në 20:45.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë sot pasdite vonë seancën e fundit stërvitore në “Uembli” shoqëruar edhe me daljen ne media të trajnerit Silvinjo dhe me gjasë edhe të kapiten Gjimshitit para përballjes së fortë kundër “Tre Luanëve”.
Dy problemet me të mëdha që ka aktualisht Silvinjo janë qendroret e mbrojtjes Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla.
Të dy janë stërvitur të diferencuar në Tiranë dhe të dy ndonëse udhëtuan me ekipin në Londër, janë në dilemë për të luajtur në formacion.
Për Ismajlin madje shanset janë edhe më të vogla. Rikthimi pas dëmtimit tek Empoli nuk shkoi si duhet dhe tani duhet të vlerësohet me qetësi gjendja e tij në mënyrë që mbrojtësi të mos e thellojë problemin.
Sot gjatë seancës së fundit stërvitore, stafi teknik do të vulosë edhe formacionin anti-Angli, ku veç dy shqetësimeve të përmendura, problemet janë edhe krahët e mbrojtjes ku mungojnë Hysaj dhe Mitaj.
Në mesfushë tre muskutjerët Asllani, Ramadani dhe Qazim Laçi nuk ndryshojnë, me Medon Berishën kandidaturë serioze për të pasur minutat e veta ndërsa në sulm Asani dhe Bajrami në mbështetje të Rei Manaj, me Uzunin që duhet marrë në konsideratë.
E gjitha kjo vetëm në rast se Silvinjo do t’i qëndrojë skemës me 4 mbrojtjes, pasi në të kundërt mund të ketë shtim të një mbrojtësi qendror dhe sakrifikimin e Qazim Laçit për të shkuar në skemën 5-4-1.
Tek Anglia, trajneri Tomas Tuhel që do të bëjë debutimin zyrtar në stol ka riafruar emra si Henderson dhe Rashford të cilët madje pritet të jenë edhe titullarë, ashtu sikurse titullar mund të jetë edhe anësori i majtë i Arsenal, Ljuis Skelli. Mungesa më e rëndësishme tek britanikët është Col Palmer, ylli i Chelsea i dëmtuar.
Dueli do të gjykohet nga spanjolli Alehandro Hernandez. Kundër Anglisë jemi mundur në të 6 sfidat që kemi luajtur./vizionplus.tv