Kosova, Micunoviç:Serbia jeton me iluzione

Kryetari i Këshillit politik të Partisë Demokratike në Serbi, Dragoljub Micunoviç ka deklaruar se Serbia është duke jetuar me iluzione sa i përket Kosovës, dhe se dihet kush është sovran në Kosovë.
“Është shumë e pashëndetshme të jetosh në iluzione. Dhe sa më shumë që jetojmë në këtë vetëmashtrim se kemi fuqi të rëndësishme dhe ndikim në Kosovë, aq më shumë po humbim kohë”, ka thënë Micunoviç në një intervistë për Dnevnik.
Sipas tij, fjalët për sovranitetin e Serbisë në Kosovë janë gjithnjë e më shumë virtuale sesa reale. Ai ka vlerësuar se Serbia edhe për një kohë mund ta pengojë pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Mirëpo, shtetet hyjnë në sistemin e organizatës botërore vullnetarisht, që do të thotë se mund të ekzistojnë dhe të funksionojnë në të drejtën ndërkombëtare madje edhe pa të. Kështu që hapësira jonë manovruese në këtë aspekt është e ngushtë” ka theksuar Micunoviç.
Micunoviç ka deklaruar se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, situata ka ndryshuar në dëm të Serbisë, sepse shqiptarët kanë ndërtuar institucione dhe Kosova është njohur nga pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e vendeve anëtare të BE-së, si edhe nga SHBA-ja.
“Sovran është ai që e ka autoritetin në një vend, ai i cili mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa dihet se kush është aktualisht sovran në Kosovë”, ka shtuar Micunoviç.
Ai ka thënë se Serbia është e vonuar me idenë e ndarjes së Kosovës dhe ka kërkuar që vendi i tij të vendosë marrëdhënie tregtare me Kosovën dhe të shmangë dramat si ajo e fundit rreth vulave doganore.
Sipas fjalëve të tij, do të ishte mirë sikur Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit “të shtyhen” drejt BE-së, sepse në këtë mënyrë do të eliminohej tensioni rreth kufijve dhe do të lehtësohej mirëkuptimi i ndërsjellë.