E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, SHBA dhe Gjermania, të parët në njohje

SHPALLJA E PAVARËSISE
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë pajtuar që ta njohin Kosovën pasi të jetë shpallur pavarësia e saj dhe të ftojnë pjesën tjetër të Evropës të bëjnë të njëjtën gjë, kanë thënë diplomatë të lartë të Bashkimit Evropian, të afërt me negociatat që po zhvillohen rreth të ardhmes politike të Kosovës. Presidenti amerikan George Bush dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një bisede të zhvilluar së fundi, janë pajtuar se për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme që pavarësia e Kosovës të njihet. Pas disa muajsh negociatash të dështuara, Kosova pritet ta shpallë pavarësinë e saj pas raundit të dytë të zgjedhjeve në Serbi, të cilat planifikohen të mbahen më 3 shkurt. Zyrtarë të lartë evropianë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara kanë bërë trysni në mënyrë agresive mbi Bashkimin Evropian, për të siguruar që njohja e pavarësisë së Kosovës të mos vonohet, madje as për një javë, pas shpalljes së saj. Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti meqë negociatat diplomatike janë ende në vazhdim e sipër. "Buka tanimë është pjekur, sepse amerikanët i kanë premtuar Kosovës pavarësinë dhe në rast se Washingtoni e njeh Kosovën dhe vendet evropiane nuk e bëjnë, atëherë do të jetë tmerr",- ka thënë një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.
Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja kanë frikë se me njohjen e Kosovës do të ndezin lëvizjet separatiste në territoret e tyre, por diplomatët evropianë thonë se shumica e vendeve evropiane, si Gjermania, Franca, Britania dhe Italia, synojnë ta njohin Kosovën, pavarësisht nga të rebeluarit. Ministria e Jashtme Gjermane ka thënë, megjithatë, se ende nuk është arritur vendimi se në ç'kohë do të mund ta njihte Bashkimi Evropian Kosovën. Sllovenia, e cila ka Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, është e vendosur të dërgojë fillimisht misionin policor dhe civil, prej 1800 pjesëtarësh, para shpalljes së pavarësisë, deklarata mbi të cilën nëse bëhet para rrethit të dytë të zgjedhjeve serbe më 3 shkurt, mbase do të ofrojë një mundësi më shumë për nacionalistët serbë. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, është i mendimit se edhe shqiptarët kanë pasur të drejtë për vetëvendosjen, të cilën Sllovenia e ka arritur më 1991, në kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë kishte filluar. Megjithatë, disa diplomatë janë të shqetësuar se përpjekjet e një vendi të vogël, siç është Sllovenia, mund të mbeten në hije nga Franca, e cila Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian e merr përsipër në korrik. Por kryeministri slloven, Janez Jansha, është i mendimit se madhësia e Sllovenisë mund të jetë avantazh. "Fakti se puna jonë politike shihet si më e vogël se ajo e vendeve tjera të Bashkimit Evropian mund të ofrojë një avantazh, duke na dhënë më shumë hapësirë për manovrim. Kjo do të na ndihmojë të jemi ndërmjetësues të sinqertë",- ka thënë Kryeministri slloven.
*Analiza është botuar në numrin e datës 11 shtator 2008 ,në gazetën e madhe amerikane. Përkthimi në shqip është bërë nga adresa on-line e radios amerikane "Europa e Lirë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›