Lojë me varfërinë e ushtarakëve
Në Shqipëri ekziston një traditë jo e këndshme kur dikush kritikon shtetin apo një parti, mbasi më pas individi që merr këtë mision ose fyhet në mënyrë të dhunshme, ose ndaj tij shpifet dhe tentohet t’i ulet personaliteti. Kjo është arsyeja që ndoshta duhet të them kush jam e nga vij, përpara së të vijojë. Jam një ish-gazetar në Ushtri me gradën Nënkolonel; i pari ushtarak i anëtarësuar në PR e më pas, një nga mbështetësit dhe militantët më ekstremistë në PD. I pari ushtarak që dola publikisht në ish-gazetat e para opozitare të viteve ‘90-të kundër regjimit komunist. Më pas trajtova probleme të mbrojtjes sipas platformës së PD-së; me ekstremizmin tim politik imponova një reformë ekstreme në ushtri, të paktën deri në vitin 1995. Në 1996 u dekorova me Medaljen e Artë “Naim Frashëri” nga presidenti Berisha, me një motivacion që do e kenë zili edhe njerëz me merita më të spikatura se unë. Në 1997, detyrohem të largohem në mërgim nga njerëz që z.Kryeministër sot i ka bërë gjeneralë apo janë emëruar në Universitetin Ushtarak. Problemi që do ngre, nuk ka të bëjë me interesat e mia vetjake, pasi unë e kam tejkaluar nevojën e një pensioni për të jetuar. Dhe për të shkruar këto rreshta në ndihmë të shokëve dhe ish-kolegëve të mi ushtarakë, shkas u bë një kronikë televizive, ku pasqyrohej protesta qytetare dhe paqësore e ushtarakëve në rezervë të Tiranës, të cilët reaguan ndaj Qeverisë, e cila u ka mohuar pa të drejtë pensionin suplementar, që ua jep Statusi i Ushtarakut dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Mes protestuesve, njoha ish-shokë dhe kolegë të mi oficerë. Të gjithë të përkulur dhe të kërrusur nga jeta e vështirë, ajo e djeshmja, dhe më keq akoma, nga ajo e sotmja. Protestonin aq urtësisht, sa dukej sikur kërkonin mëshirë. Nuk kanë frikë, por janë njerëz të urtë. Por edhe urtësia e ka një masë dhe një kufi. Në ato rreshta të varfërish, mungonin vetëm ish-komunistët e lartë, të cilët sot janë rreth e rrotull Kryeministrit. Mungonin ish-detektivët e Shërbimeve Sekrete, të cilët janë konvertuar në deputetë, drejtorë, këshilltarë ministrash etj. Në ato rreshta, mungonin ata që e përflakën Shqipërinë në ’97, sepse disa janë biznesmenë në ndërtim, industri, tregti, etj. Kjo Qeveri që quhet Demokratike, por që nuk ka asnjë dallim me atë të PS-së që udhëhoqi për 8 vjet, mbron dhe mban në radhët e saj, të inkriminuarit që janë të paaftë profesionalisht, por që janë servilë dhe hipokritë. Në 2005-ën një grup ish-eprorësh dhe shokësh, që sot janë deputetë dhe në poste të larta, më ofruan ndihmën e tyre për t’u riveshur në Ushtri në postin e para ‘97-ës. I falënderova, madje u jam ende mirënjohës. Prita disa kohë, më pas vendosa të mos hyj kurrë në ato zyra. Vendosa kështu, sepse aty kanë mbetur ata që hartuan ‘97-ën, ndërsa ikën përgjithmonë nga ushtria oficerët e ndershëm, ata me dije, ata që i vunë gjoksin situatës, për të shpëtuar repartet e ushtrisë, që mbrojtën institucionet shtetërore, që u dhembte në shpirt Atdheu i djegur. Kur erdha në Tiranë, në dikasterin e Mbrojtjes e në Kryeministri pashë se janë emëruar njerëz nga ata që në ‘97-ën përdornin terma si, “malokët” apo “armiqtë e kombit”. Vetë Berisha i njeh mirë “gjeneralët” që natën hidhnin fishekë mbi Presidencë dhe ditën bënin sikur e mbronin. I njeh, por nuk flet! Flet Jozefina Topalli, që bën sikur kujtohet për “militantët”. Është shumë vonë! “Militantët” i ka marrë për poshtë varfëria, siç i ka marrë për poshtë ish-ushtarakët e mjerë që Jozefina dhe shefi i saj i quajnë bolshevikë; e gjitha kjo është vetëm propagandë. Ashtu siç është gënjeshtra e atij zëvendësministrit, që duke treguar një zarf bosh u thotë ish-ushtarakëve se brenda tij ndodhen 30 milionë dollarë. Po kur do t’u jepen këto lekë të ndershmëve ish-oficerë?! E gjitha kjo është një mashtrim. Edhe nëse nuk mungojnë 30 milionë dollarë, ato do të behën rrush e kumbulla nëpër labirinthet e administratës. Çfarë do të gënjejnë tjetër, kur ne të zëmë dyert e zyrave të Mbrojtjes dhe të z.Kryeministër? Jozefina thotë edhe se do hapen dosjet e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit. Kurrë nuk do të hapen ato. Edhe nëse hapen, nga institucionet dhe nga Ushtria do të ikin ato që s’kanë dosje. Gjeneralët dhe Kolonelët me dosje, do qëndrojnë. Le të më autorizojë mua Jozefina t’i jap një listë emrash gjeneralësh dhe kolonelësh, shtypit. Ndaj u tërhoqa në vendimin tim për t’u kthyer në Ushtri. U tërhoqa, sepse në çdo institucion gjeta ish-zyrtare të implikuar në rrëzimin e shtetit. Por ju, i nderuar z.Berisha, quani komunistë dhe bolshevikë ata mjeranë në rreshtat e protestës, të cilët me aq qytetari dhe urtësi nuk kërkojnë as më shumë dhe as më pak sesa një të drejtë që u takon me ligj. Ç’nevojë kanë për pension ish-kolegët e tyre që sot janë bërë deputetë dhe mbyllin gojën?! Ata nuk shohin më larg se hunda e tyre. Fundja, kur të mbushin moshën ata do të trajtohen me pensione speciale si ish-deputetë. Zoti Kryeministër! Nëse nuk e dini, Ju i kini të gjitha mundësitë që të pyesni, nëse ka ushtarakë të vendeve ish-komuniste apo vendeve të botës së tretë që kanë shkuar si emigrantë ekonomike në ndonjë “shtet kapitalist”? Ua them unë me siguri, që nuk ka. Në ish-vendet komuniste ushtarakët nuk u trajtuan kafshërisht. Nuk gjen në Greqi, fjala vjen, ish-oficerë nga Rumania, Çekia, apo Bullgaria, por as nga Kroacia, Maqedonia, apo Serbia. Por ju siguroj se në rrugët e Athinës gjen ish-kolonelë, nënkolonelë, majorë e kapitenë shqiptarë. Atje gjen vetë ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi që ka punuar shitës e roje nate. Ndodh kështu sepse ishte ushtarak i ndershëm. Në “Omonia” përlotesh, i dashur Kryeministër, kur shikon kolonelë shqiptarë që punojnë si lustraxhinj, bojaxhinj, shtrues pllakash. Pasditeve ecin kokulur për në shtëpi. Dhe këta nuk janë pak... Unë as i kam besuar dhe as nuk do i besoj ato zëra që ju implikojnë juve, Zoti Kryeministër, në ndarjen e shtresës së oficerëve nga shoqëria shqiptare. Shumë zëra thonë se Sali Berisha i quan ushtaraket, bolshevikë dhe kontigjent socialist, ashtu si Aleksandër Meksi, i cili para një dekade i quante ato bolshevikë të pandreqshëm. Ju shkruaj unë z.Sali Berisha, se njerëz të tillë keni me shumicë në administratën tuaj të lartë. Kudo në Qeveri, në Prokurori, në Presidencë, në Ushtri, në Parlament dhe kudo. Jashtë këtyre strukturave ka të mjerë, të varfër dhe të pashpresë, siç janë ish-ushtarakët dhe shtresëzimet e tjera. Këtu nëpërmjet kësaj letre që unë jua drejtoj së pari juve, z.Kryeministër, gjej rastin t’ju bëj thirrje ushtarakëve në rezervë, të çdo krahu qofshin, që të bashkohen jo në mënyrë politike, por në mënyrë profesionale, të ngrihen masivisht, për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike. Ju z.Kryeministër nuk duhet të dilni nga ballkoni i zyrës për të qeshur me mitingashët, por për të ndjekur këto rreshta protestuesish dinjitozë, me seriozitet dhe me tendencë ndihmuese. Për ish-ushtarakët muaji i Janarit dhe në vazhdim duhet të jenë periudha protestash jo vetëm për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike, por edhe për të rivendosur personalitetin e tyre që qeveria dhe Kryeministri na ka përbaltur. Unë gjej rastin t’u bëj thirrje edhe 500 ish-ushtarakëve që ndodhen në tërë Greqinë, të protestojnë para Ambasadës tonë në Athinë, për ta marrë vesh edhe qytetarët grekë se ne kemi shtetarë që mendojnë vetëm të pasurojnë vetveten. Ta marrin vesh qytetarët fqinjë se ne na ka përzënë nga Atdheu një klase politike, e cila varfëron popullin e vet. Oficerë “të djathtë e të majtë”, si ata që si unë kanë votuar e do votojmë për Berishën, si ata që janë “kundërshtarët” tanë, duhet të bashkohen sot në mënyrë emergjente, për të kërkuar të drejtat që na takojnë si ushtarakë. Nesër do të jetë tepër vonë! *Autori është Kolonel në rezervë dhe ish-gazetar. Artikulli është përcjellë në redaksi në formën e një letre të hapur për Kryeministrin