E Shtunë, 31 Tetor 2026

KATEDRALJA: 150 vjet nga guri i pare ne Shen Shtjefen

Shkodër- Shugurohet kisha Katedrale e Shën Shtjefnit në qytetin e Shkodrës, e njohur dhe si kisha e madhe. Është 150- vjetori i vënies së gurit të parë të themelit, më 1858, që solli në Shkodër dhe të dërguarin e Vatikanit, kardinalin Franc Rode, i cili në predikimin e tij kujtoi se kjo kishë katedrale është dhunuar disa herë nga sundues dhe pushtime të ndryshme, ndërsa herën e fundit ajo u shndërrua në një pallat sporti, për tu rikthyer edhe një herë në objekt fetar në fillim të viteve ‘90-të. Ai kujtoi se kjo kishë u bë një tempull i qëndresës ndaj shtypjes. Ardhja e Atit të Shenjtë, Gjon Pali i Dytë në Shqipëri, në prill 1993 dhe mbajtja e një meshe, po në këtë tempull duke shuguruar dhe katër ipeshkvit e parë shqiptarë të periudhës pas komunizmit dhe lirimit të fesë pati edhe një ngjarje tjetër, bekimin e altarit, ndërsa dje u shugurua e gjithë kisha. Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Imzot Rrok Mirdita, në fjalën e tij rikujtoi ardhjen e Papa Gjon Palit të dytë dhe meshën historike në këtë kishë. Të pranishem në meshën e shenjtë dhe kryerjen e ritit përkatës ishin përfaqësues të Komunitetit Musliman Shqiptar, atij ortodoks, ambasadori italian në Shqipëri, konsulli italian në Shkodër, përfaqësues të Presidencës e të tjerë. Kisha Katedrale e Shkodres i është kushtuar Shën Shtjefnit, i pari martir. Një dëshmi e çmuar për këtë është vepra e meshtarit dhe humanistit Marin Barleti, i njohur në historinë dhe në kulturën shqiptare, duke përshkruar rrethimin e Shkodrës. Besimtarët shkodranë kërkuan që të ndërtohej një kishë katedrale, duke i dërguar një kërkesë për leje sulltanit në Stamboll në vitin 1851. Punimet filluan pas 7 vitesh, më 7 prill të vitit 1858 në praninë e guvernatorit të Shkodrës, Ali Pashës. Katedralja e Shkodrës, e rrethuar prej ushtrisë malazeze, 1912-1913, u bombardua nga goditjet e artilerisë malazeze, ku mjerisht predhat goditën katedralen. Më 7 mars 1991, u rihap katedralja nga françeskani At Aleks Baqli. Mesha e parë postkomuniste u kremtua nga dom Zef Simoni, me meshtare të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës. Me rihapjen e katedrales në vitin 1993 përfundoi dhe restaurimi i saj. Kisha Katedrale e Shën Shtjefnit në Shkodër është tepër e njohur në të gjithë rajonin dhe ndër kishat më të mëdha të besimit katolik në këtë rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›