E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, Topi: Në zyrën time, asnjë emër për ambasador

Bamir Topi flet për ngjarjet e fundit në Kosovë, rolin e diplomacisë shqiptare dhe për fatin e ambasadorit të emëruar në Kosovë

TIRANË- Në muajin shkurt të vitit të kaluar, emri i Islam Laukajt mori firmën e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha dhe kryeministrit Sali Berisha për drejtimin e ambasadës sonë në Kosovë. Me po të njëjtin zell kaloi edhe në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, për tu depozituar më pas në Presidencë, ku kreu i shtetit ruante të drejtën kushtetuese për të dekretuar ose jo emrin e tij. Gjithçka deri këtu është e qartë. Por, ajo që nuk dihej deri më tash është pikërisht bllokimi i emrit të Islam Laukajt menjëherë pas miratimit nga Komisioni i Jashtëm. Në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë se emri i Islam Laukajt nuk ka mbërritur në Presidencë. I pyetur pikërisht për faktin se a kishte njohuri se pse Shqipëria nuk ka ende një ambasador në Kosovë, megjithëse para pak muajsh është emëruar Islam Laukaj, Presidenti Topi u përgjigj: “Emërimi i një ambasadori, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, duhet të ndjekë disa procedura dhe disa shkallë institucionale, duke u përmbyllur me dekretin e Presidentit të Republikës. Shqipëria duhet të përfaqësohet në Kosovë me diplomatët e saj më të mirë dhe me një ambasador të shkëlqyer. Procedurat që përmenda më lart, akoma nuk kanë mbërritur në Presidencë për të dekretuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë”. Ndërkohë, asnjë përfaqësues i qeverisë, i Ministrisë së Jashtme, por edhe Kuvendit, nuk jep një përgjigje se pse emri i ambasadorit të ri të propozuar nga kryeministri Sali Berisha nuk shkoi në Presidencë. Aktualisht, Islam Laukaj është drejtor i Marrëdhënieve Dypalëshe në Ministrinë e Jashtme. Ndërkohë, gjatë intervistës për “Kosova Sot”, Presidenti i Republikës ka kërkuar më shumë angazhim nga diplomacia shqiptare për zhvillimet e reja në Kosovë. “Diplomacia shqiptare ka pasur një angazhim konstant në këtë drejtim. Ajo, pikërisht, duhet t’u përshtatet me dinamizëm dhe me shpejtësi, zhvillimeve të reja në Kosovë, por edhe të analizojë dhe të veprojë, së bashku me diplomacinë kosovare, për të mbështetur procesin e ndërtimit të një shteti europian në Kosovë dhe për të penguar tendencat apo përpjekjet për të ndalur apo devijuar këtë proces. Kjo është një sfidë e jona, që duhet përballur me sukses”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›