E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në Uzinën e Poliçanit, vdes punëtorja, plagoset një tjetër

Polican- Një punonjëse e uzinës së çmontimit të armëve në Poliçan ka gjetur vdekjen pas shpërthimit të një predhe brenda territorit të uzinës. Sipas të dhënave të para të policisë punonjësja ka qenë duke u ngrohur në një zjarr të ndezur aty pranë, së bashku me punëtorë të tjerë. Predha ndodhej në vendin ku ishte ndezur zjarri dhe ka shpërthyer menjëherë pas kontaktit me flakën. Për pasoja gruaja, një 43-vjeçare, S.K ka mbetur e vdekur në vend, pasi mësohet se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm. Nga shpërthimi ka mbetur i dëmtuar edhe një punonjës tjetër, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po heton rreth shkaqeve, por nuk jep shumë detaje rreth asaj që ka ndodhur. I dëmtuari, që mësohet se është mashkull, është transportuar me urgjencë për në spital, ndërkohë që për gruan ndihma ka qenë e kotë, pasi ajo kishte ndërruar jetë menjëherë pas shpërthimit. Pas ngjarjes reagon Ministria e Mbrojtjes, sipas te ciles gruaja kishte ndezur zjarr dhe vdekja i eshte shkaktuar djegorja që e goditi në trup, fill pas shpërthimit.Ndërkohë sipas shefit të policisë së Skraparit, ngjarja ndodhi brenda territorit të uzinës. Sipas tij, një grup ekspertësh është në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e saj. Për fat të keq, ky nuk është rasti i parë i incidenteve brenda terrirorit të uzinave ku bëhet cmontim armesh e predhash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›