E Diel, 1 Nëntor 2026

FORUM / Pëllumb Kulla, Arbër Xhaferri, Ardian Vehbiu, Igli Totozani, Lutfi Dervishi

HYRJE

Një përrallë për të mirën e keqe dhe të keqen e mirë

Adrian ThanoKa qenë padyshim një vit ngjarjesh me përmasa botërore: Shpallja e pavarësisë së Kosovës, kriza financiare në botë,zgjedhja e Barack Obamas President i SHBA-ve, lufta Gjeorgji-Rusi, etj.

Po për Shqipërinë? Ka qenë një vit më i mirë apo më i keq? Mund të zgjidhet qëndrimi (auto)ironik i P. Kullës: (secili e bën analizën duke parë veten dhe ata që njeh...). Mund të zgjidhet vështrimi historik dhe panshqiptar i Arbër Xhaferrit; ose apeli i mprehtë i përsëritur i A. Vehbiut mbi kombëtarizmin tonë primitiv dhe autoritar; pesimizmi i I. Totozanit ose satira e L. Dervishit. Cilado qoftë pika e vështrimit, në pyetje të tilla, përgjigjja do të mbetej gjithëherët e debatueshme.

Një mënyrë për të gjykuar janë sondazhet. Në “Shekulli online” (shekulli.com.al), prej tri javësh ka një sondazh pikërisht me këtë pyetje: “Ka qenë 2008-a një vit i mirë apo i keq për Shqipërinë?” (enkas është përdorur kufizimi “për Shqipërinë”, për të mos ndikuar gjykimin me ngjarjen e madhe të pavarësisë së Kosovës). Deri mbrëmë rreth orës 21.00 kur u shkrua kjo hyrje e shkurtër, numri i votuesve ishte 4250 dhe gjykimet “më i mirë” e “më i keq” ishin rrotë më rrotë, thuajse nga 50 për qind secila. Por edhe sondazhet on-line kanë dobësitë e tyre. Mundësia e manipulimit është e lartë. Në këto raste ka shpeshherë mobilizime militante. Pra, politika mund t’i fusë hundët edhe aty.

Më mirë apo më keq?

Tregojnë se dikur, në një fshat shumë të varfër, jetonte dikush në skamje të pazakontë. Përfytyroni: më i varfëri, i një fshati të varfër.

I mblidheshin mbrëmjeve fqinjët dhe i thoshin: “Oh, mjeri ti o njeri. Sa i varfër je, çfarë fat i keq...”

Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”.

Një ditë prej ditësh kalon në atë fshat një karvan të kamurish. Kreu i karvanit ndalet dhe bën habi me mizerjen që sheh përreth. E pyet kalimtarin e parë: Cili është më i varfëri i këtij fshati? Dhe kalimtari i përgjigjet pa hezitim: “Oh, është filani..”

E thërret i kamuri të skamurin. I fal kalin e tij të bardhë. Një kalë i bardhë, i fuqishëm, në mes të asaj varfërie.. Një pasuri e vërtetë. Dhe fqinjët u rimblodhën mbrëmjes: “Oh, lum si ti o njeri. U bëre nga më i varfëri, më i pasuri i fshatit, oh çfarë fati paske pasur...”.

Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”

Ca ditë më pas, djali i vetëm i fukarait, i hipën kalit të bardhë.Niset revan në pyll. Nuk i njihte shtigjet kali i falur. Shkon pa kontroll buzë humnerës dhe hidhet. Kali ngordh, djali i fukarait mbetet sakat.

Dhe fqinjët u rimblodhën mbrëmjes: “Oh, sa i mjerë paske qenë... Edhe njëherë që të ndriti fati, të mbeti djali sakat...”

Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”.

Një javë ma pas, plas lufta. Vijnë e i mbledhin ushtarë gjithë djemtë e fshatit (askush nuk u kthye gjallë). Djalin e fukarait nuk e nganë. Atë ditë ishte në shtrat... Dhe përralla vazhdon pa fund.

Mësimi? Diçka që na duket e keqe sot, mund të jetë fillimi i diçkaje të mirë që ndodh nesër. Dhe diçka që na duket e mirë sot, mund të jetë veçse fillimi i së keqes që po vjen. Ne kurrë nuk mund ta dimë të ardhmen, apo jo?

************

Ka qenë më i mirë apo më i keq ky vit për shqiptarët?

Pëllumb Kulla

SHQIPTARËT QË NJOH UNË

Para se të flasim për 2008-n, le të merremi me 2009-n!

Uroj nga zemra të gjithë lexuesit e “Shekulli”-t, që të kenë një vit të mbarë e të begatë në këtë 2009, që po troket. Uroj të jetë një vit pa ditë të hidhura. Së paku, të kenë një vit më të mirë se ky që kaloi e që ne jemi ftuar t’i vëmë notën në këtë forum, ku na kërkohet të përgjigjemi:

2008-a ka qenë një vit më i mirë apo më i keq për shqiptarët?

Jam i bindur që përgjigja e secilit nga ne nuk do të jetë kurrë e plotë. Me qenë se drejtuesit e forumit na pyesin ne dhe nuk e duan përgjigjen nga statistikori i vendit, atëherë përgjigjen, pashmangshmërisht, do ta japim për ata shqiptarë dhe për ato rrethe shqiptarësh që njeh veç e veç secili prej nesh.

Unë, shqiptarët e mi i kam që të gjithë mjaft të kënaqur nga 2008-a. Asnjë nga të njohurit e mi nuk bën pjesë në listën e atyre 350 fatkeqëve që vranë veten gjatë vitit. Asnjëri prej të njohurve të mi nuk ka qenë mes të mbyturve në ato përmbysjet e skafeve të stërmbushur që hedhin njerëzit në emigracion klandestin.

Do t’i kisha kursyer të gjitha këto shpjegime, po të thosha që në nisje, se shqiptarët që njoh unë janë që të gjithë milionerë, të shëndetshëm e faqekuqë. Kur qëllon që sëmuren, shqiptarët që njoh unë shkojnë nëpër doktorët më të mirë europianë. Barnat nuk i marrin kurrë nëpër farmacitë e vendit. Të njohurit e mi nuk kanë probleme vizash, pasi kanë lidhje të fuqishme. Janë të tërë të pajisur me pasaporta diplomatike dhe dalja matanë kufijve, si për hall, e si për qejf është një hiç problem! Shtëpitë e tyre më ka qëlluar shpesh t’i shoh si ishuj drite në mes të errësirës që krijon, fjala vjen, lagjja për qark. Në shtëpitë e tyre ka gjeneratorë nga fjala e fundit e teknikës.

Shqiptarët që njoh unë kanë kohë, e megjithatë nxitojnë. Trafiku nuk i bezdis se, për ta, dritat e kuqe zëre se nuk janë vendosur ende. Të njohurit e mi rrinë orë të tëra nëpër kafene luksoze dhe mua më duket se ata nuk bëjnë asnjë punë. Dhe, bile, as qahen për mungesën e punës. Është, si të thuash, një papunësi e lumtur, që ua kanë zili edhe njerëzit në vendet G7, ku pasanikët, për fat të keq, edhe punojnë shumë.

Kështu që, përgjigjen për 2008-n, unë e kam pozitive.

Thonë që në Shqipëri ka halle, ka uri, ka njerëz që lypin e pensionistë që rrëmojnë nëpër plehra për të gjetur diçka për të shuar urinë e tyre, por mua më duket se këto janë sajesa gazetash, sprova letrarësh lloj-lloj.

Shqiptarët që njoh unë, në vitin 2008, kanë qenë të lumtur!

Arbën XHAFERI

THIS IS A MIRACLE...

… tha kryeministri shqiptar,z. Berisha,me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Mahnitja e kryeministrit shqiptar ishte shumë e sinqertë, saqë kësaj konference serioze i dha jetë, një ngjyrim njerëzor. Kjo klithje emocionuese është në përputhje të plotë me aspiratat shekullore të një populli të vetmuar, shpeshherë viktimë e politikave dhe pushtimeve të perandorive, apo të shteteve të përkrahura nga ato.

Siç dihet, të gjitha përpjekjet e deritashme që Shqipëria ta sigurojë paqennë kuadër të sistemeve globale të sigurisë, dështuan. Në fillim u bënë përpjekje që, duke krijuar raporte të afërta me Italinë, të krijojnë një sistem të përbashkët të sigurisë, por italianët e kuptuan ndryshe këtë ide. Musolini që thoshte se Shqipërinë e ka në zemër, e aneksoi atë, duke krijuar një perandori të përbashkët me Italinë, Abisininë dhe Shqipërinë. Kjo perandori e çuditshme krijoi vetëm probleme, ngaqë Shqipëria do të fajësohet për projektet hegjemoniste të Italisë. Pasojat ndihen sot e kësaj dite në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Gabimi i radhës ishte me Jugosllavinë, e cila, kinse duke modernizuar ushtrinë shqiptare e përgatiste terrenin për aneksim të Shqipërisë, për ta shndërruar atë në republikë të shtatë. Pas përjashtimit të Jugosllavisë prej Internacionales Komuniste (Kominternës), Shqipëria iu afrua tej mase Bashkimit Sovjetik dhe u bë anëtare e një sistemi të përbashkët të sigurisë, e Traktatit të Varshavës. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me sovjetikët, Shqipëria doli nga Traktati dhe kërkoi derman në aleancën me Kinën, por edhe kjo zgjidhje u tregua e brishtë. Më në fund, duke kuptuar pavarësinë si izolim të plotë, Shqipëria krijoi një sistem vetjak të mbrojtjes, që përpiqej t’i harmonizojë përvojat e deritashme të doktrinave të ndryshme ushtarake. Simbol i këtij koncepti u bënë bunkerët.

Pas kolapsit të ideologjisë komuniste, të formacioneve komuniste shoqërore, me demokratizimin e tyre, Shqipëria, mbase për herë të parë do të marrë lirshëm vendimin demokratik, të hapur që të anëtarësohet në NATO. Këtë vendim nuk e mori një klikë udhëheqëse, por i gjithë populli. Ky unitet shfaqej si në popull ashtu edhe në institucione, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, politike, rajonale: shqiptarët, së bashku, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, socialistë e demokratë e mbështetnin këtë përcaktim, saqë NATO-ja u bë strumbullar i unitetit kombëtar.

Por, anëtarësimi kërkon ristrukturime, reforma të dhembshme që nënkuptonte reduktimin e numrit të oficerëve, pensionimin e tyre, kërkon standarde të larta. Ndonëse një pjesë e madhe të oficerëve dhe kuadrit përcjellës ishin në kulm të kapaciteteve, të aftësive intelektuale dhe profesionale, u desh që të pranonin largimin nga detyra. E gjithë kjo nuk krijoi tensionime në shoqëri, kështu që edhe ata kanë merita të jashtëzakonshme për këtë mrekulli.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ketë disa efekte të pamohueshme: transformimin e shoqërisë sipas standardeve të NATO-s, garantimin e sigurisë, uljen e kostos për mirëmbajtjen e një sistemi ushtarak, krijimin e një ushtrie profesionale dhe mobile, bartjen njohurive më të reja shkencore, ndihmën në rast nevoje etj.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është fryt i angazhimit i gjithë subjektit politik, të gjitha institucioneve shtetërore dhe të gjitha shtresave të popullatës.

Një mrekulli tjetër me peshë historike, ishte edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe njohja e saj nga shtetet më demokratike të botës. Të gjithë ata që e njohin mirë situatën në Kosovë, nuk mund të gjejnë fjalë dhe argumente për të shpjeguar një happy-end të këtillë, sidomos në Ballkanin e trazuar. Publicisti i njohur britanik, ekspert për zhvillimet në këtë pjesë të Europës, Tim Judah, e cilësoi UÇK-në si formacion më të suksesshëm kryengritës në historinë e njerëzimit, ndërkaq z. Solana, pas çlirimit të Kosovës habinë e tij, ndonëse i implikuar thellë në këto ngjarje, e shprehu duke thënë: sikur të isha një alien që kundron nga lart situatën në Kosovë, nuk do të arrija të shpjegoja me çka Kosova e meritoi gjithë këtë angazhim të botës...

Kosova kaloi në disa faza që ishin prelud për epilogun mrekullueshëm:

Me demonstratat e vitit 1981 e nxiti procesin e testimit të vlerave dhe standardeve të Jugosllavisë, e cila nuk e dha provimin dhe u shthur;

me krenari e duroi procesin e diferencimit ideo-politik dhe në vend që të përçahet, ajo u homogjenizua tërësisht. Procesin ehomogjenizimit e nisi prof. Anton Çeta, me idenë e organizimit të tubimeve të mëdha për pajtimin e gjaqeve;

para ndryshimeve të dhunshme të Kushtetutës së Kosovës, në 1989, u hartua një peticion të nënshkruar nga 215 intelektualë, ku kërkohet të mos ndryshohet Kushtetuta. Ky ishte hapi i parë i një politike racionale, që, duke ikur nga provokimet e politikanëve dhe bashibozukut serb, arriti ta kursejë popullin nga mllefi përvëlues i politikës serbe;

u orientua të kërkojë ndihmë vetëm nga shtetet evropiane dhe SHBA-ve, ngaqë vetëm ato shtete ishin demokratike dhe faktorë për zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre;

diti t’u ikë skenarëve që rezistenca kundër APJ-së (ushtrisë jugosllave) të fillojë në Kosovë, për të përfunduar në republikat tjera;

krijoi sistemin paralel politik, financiar, arsimor, dhe shëndetësor dhe pak nga pak formonte njësitet ushtarake që në momentin e duhur do të fillonin me aksione ushtarake;

ndërmori hapa të guximshëm diplomatikë;

mori pjesë në konferenca ndërkombëtare kudo në botë, ndër ta më e rëndësishmja ishte ajo e Rambujesë;

krijoi një spektër subjektesh politike, duke filluar nga ata të moderuar e deri tek ato radikal;

dhe në momentin e përkeqësimit të imazhit serb filloi me aksione ushtarake etj.

Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës krijojnë iluzionin se ajo qenka bërë çështje vonë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, për shkak se strategët e NATO-s, paskan dashur që ta ulin rëndësinë e Serbisë dhe e paskan formuar një NATO shtet, ashtu si quan Kosovën ish-Kryeministri serb, Koshtunica. Por, këta politikanë apo analistë, me qëllime harrojnë se në ciklin e fundit të manifestimit të pakënaqësisë së shqiptarëve (1981-1999) NATO-ja ndërhyri në fund, kur filloi pastrimi etnik, gjenocidi. Në fillim, si NATO-ja, si UE-ja, ashtu edhe SHBA-tëpërkrahnin Jugosllavinë, derisa kuptuan se shpërbërja e saj është e pashmangshme.

Intervenimi i NATO-s ishte njëmend një mrekulli, por edhe shqiptarët udhëhoqën një politikë të mençur që ndërtoi shkakun për intervenim, për asgjësim të makinerisë ushtarake jugosllave, që arbitrarisht u përvetësua nga serbët dhe përdorej për shfarosje të popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Viti 2008 njëmend ishte vit kthesë për shqiptarët, jo vetëm pse Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe Kosova e shpalli pavarësinë, por edhe për shkak se shqiptarët, të lehtësuar nga barra e deritashme, gjithnjë e më tepër do ta fuqizojnë infrastrukturën e përbashkët shpirtërore dhe materiale.

VIT I NGECUR

Ardian Vehbiu

Viti 2008 nisi i mbarë për shqiptarët në Ballkan, me Kosovën që e shpalli pavarësinë në shkurt dhe me ftesën që i erdhi Shqipërisë për NATO dy muaj më pas. Pavarësia e Kosovës, përveçse kurorëzim i procesit të gjatë e të mundimshëm të çlirimit të asaj krahine nga kontrolli serb, krijoi edhe kushte të reja, jashtëzakonisht të favorshme, për ta rithemeluar dialogun aq të munguar mes shqiptarëve, madje vetë hapësirën shqiptare si hapësirë të njësuar kulturore para së gjithash. Ftesa për t’u futur në NATO, përkundrazi e pavarësisht nga implikimet ushtarake, krijoi rrethanat e nevojshme për t’i rithemeluar marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera, veçanërisht me fqinjët dhe më gjerë në Europë.

Megjithatë, mundësitë politike dhe kulturore të lidhura me krijimin rishtas të një shteti të dytë, në thelb shqiptar, në Ballkan nuk u shfrytëzuan mirë, as këtej, as andej kufirit; dhe nëse zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë kërkojnë trajtim më vete, nga ana e Tiranës mund të ishte bërë më tepër në drejtimin politik dhe diplomatik, për të ndihmuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri dhe rimëkëmbjen e institucioneve të atjeshme. Për keq ndikoi në këtë drejtim edhe çështja e abuzimeve me fondet për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, e cila tashmë është shndërruar në fushë beteje për pushtetet dhe forcat politike të Shqipërisë; aq më tepër që shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë për këtë rrugë gjatë vitit 2008 duket se kapin rreth 89% të buxhetit shtetëror për shpenzime kapitale (sipas Balkan Insight). Argumenti se këto abuzime, edhe po të kenë ndodhur, nuk ngrenë kurrfarë peshe përballë rëndësisë strategjike të arteries që do të lidhë mes tyre gjymtyrët e ndara të kombit, nuk ka kurrfarë vlere juridike, madje edhe sikur të sillet me sinqeritet. Prandaj është për të ardhur keq që çështja madhore e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës është kapur peng nga një histori shpërdorimesh dhe korrupsioni, të cilat u duhen lënë organeve të drejtësisë për t’i shkoqitur.

Më anë tjetër, gëzimi i ligjshëm për marrjen e ftesës për NATO iu zu qeverisë Berisha në fyt nga shpërthimi katastrofik i depos së armëve në Gërdec dhe nga zbardhja e rrethanave të atij incidenti dhe të krejt trafikut të armëve dhe të municionit të vjetër kinez. Bota mbarë mësoi se miliona dollarë në armë dhe municione në thelb të skaduara kishin ndërruar duar mes gjithfarë tregtarësh dhe kompanish fiktive, nga Tirana në Florida të SHBA-së, nga Qiproja në Afganistan dhe gjetiu; një trafik ky i papastër, ku ishin implikuar jo vetëm individë të dyshimtë, por edhe njerëz të lidhur me qeverinë shqiptare, administratën amerikane, NATO-n dhe Pentagonin. Vdekja bizarre e kryedëshmitarit Kosta Trebicka, në një aksident “gjahu”, nuk ishte veçse fundi logjik i kësaj katrahure që nuk duhej lejuar të ndodhte.

Shpërthimi i Gërdecit nuk i rrezikoi shanset e Shqipërisë për t’u pranuar në NATO, por nuk i shërbeu as afrimit të Shqipërisë me Europën. Sot e kësaj dite Shqipëria mbetet vendi më i izoluar në kontinent, i rrethuar nga të gjitha anët me polici, motovedeta të kufirit, tela me gjemba burokratike dhe ushtarake, paragjykime dhe mure të mosbesimit dhe të përçmimit. Që Shqipëria ende shihet si vend që prodhon probleme, kriminalitet dhe imigracion të paligjshëm nuk mund t’i lihet faji vetëm qeverisë Berisha; meqë anëtarësimi tashmë i siguruar në NATO, ose anëtarësimi tjetër, aq i dëshiruar, në Bashkimin Europian ende konsiderohen, gjerësisht ndër shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, si rrugëhyrje në autostradën e privilegjeve, fondeve, granteve, donacioneve dhe të tjerave dhurata të pamerituara. Paradoksalisht, integrimin europian të Shqipërisë e pengojnë edhe raportet krejt të deformuara midis institucioneve në Tiranë dhe ambasadave perëndimore ose përfaqësive të organizmave dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat thirren gjithnjë e më shpesh për të arbitruar zëniet dhe gërricjet, herë serioze e herë meskine, midis palëve institucionale shqiptare.

Edhe brenda Shqipërisë, vështirë të thuash se 2008-a solli ndonjë përmirësim në komunikimin mes institucioneve: gjyqësorit dhe ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, pozitës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe shtetit. Çështjet e qeverisjes vijuan të trajtohen si çështje të kuadrit, madje ashtu edhe u amplifikuan nga mediat; protagonizmi i figurave politike qendrore, ndonjëherë deri në përmasa koreano-veriore, nuk u përligj nga rezultatet konkrete të punës së tyre, as të përpjekjeve të tyre, e aq më pak të vizionit prej shtetarësh; lufta politike gjithnjë mbeti e reduktuar në përplasje personalitetesh dhe kacafytje për pushtet. Konfliktet e shumta mes palëve jo vetëm mbeten të hapura, por duket se mungon edhe vetë mekanizmi për t’i zgjidhur, sa kohë që çdo aksion politik, vetvetiu interpretohet si mjet për të arritur qëllime meskine, të ngushta dhe private.

2008-a duket se e rrënjosi më tej, në të gjitha instancat e shoqërisë shqiptare, bindjen paranoide se në filozofinë e qeverisjes së vendit dhe të administrimit të punëve nuk ka mbetur më hapësirë për preokupime të natyrës etike. Kështu, nga një anë korrupsioni nuk gjëllin vetëm si dukuri e përditshme, por edhe si psikozë kolektive vetëpërftuese; nga ana tjetër aspiratat për mbrothësi kombëtare nyjëtohen në trajtat arrogante të një kombëtarizmi primitiv dhe autoritar, i cili po tregohet gjithnjë e më haptazi alergjik dhe intolerant ndaj pluralizmit, lirisë së shprehjes dhe mendimit intelektual të pavarur. I njëjti infantilizëm duket të sundojë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, i përthyer jo vetëm në ligjërimin arkaik të diplomacisë së Tiranës dhe kujdestarëve të imazhit kombëtar, por edhe në pritjet groteske që kultivohen ndaj ndërkombëtarëve, Perëndimit, Europës, Amerikës, dhe perëndive të tjera pagane, të cilave u falemi nga sabahu në aksham.Edhe këtë vit; një popull i tallur

Igli Totozani

T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje nuk është padyshim një ndërmarrje e thjeshtë. Që në fund të analizës të konkludojmë nëse ka qenë një vit i mirë apo i keq për shqiptarët, do të duhet të ndërtonim një bilanc të ngjarjeve, pozitive apo negative, të cilat kanë ndodhur përgjatë këtij viti. Por, dhe këtu “fle” vështirësia e kësaj ndërmarrjeje, është e pamundur të ngresh një bilanc nisur nga fenomene sociale, pasi për të tilla po flasim. Nga pikëpamja ekonomike, një bilanc i tillë do të ishte padyshim më i thjeshtë. Dhe kjo vlen si për financat e shtetit, të aktiviteteve të ndryshme private, ashtu edhe për ekonominë familjare. Të gjitha këto, në fund të një viti e kanë më të thjeshtë këtë ushtrim, edhe pse në fakt, ai nuk është i njëllojtë për të gjithë. Kjo varet gjithashtu dhe nga pritshmëritë e secilit. P.sh., në ndonjë familje ministri, mbushja e llogarisë bankare apo blerja e një apartamenti të ri në bregdet, mund të jetë padyshim një bilanc pozitiv edhe pse pritshmëria mund të jetë më e madhe, p.sh., blerja e një terreni jashtë Shqipërisë. E kundërta ndodh me ekonominë e një përqindjeje të madhe të popullsisë, ku mbijetesa ka qenë i vetmi qëllim. Dhe nëse kjo u realizua, atëherë ky mund të konsiderohet një vit i mirë. Të mos harrojmë; shumica e familjeve shqiptare nuk ëndërron më.

Kështu pra, të ndërtosh një bilanc të tillë nuk është e thjeshtë. Për ta bërë më të thjeshtë “ushtrimin” do të mundohemi ta ndajmë analizën tonë, në disa fusha, të cilat mund të konsiderohen si më të rëndësishme.

Së pari, jeta dhe siguria e saj. Padyshim, në një sistem demokratik gjeja më e vyer do të duhet të jetë jeta njerëzore e çdo njeriu. Ajo është vlera më e lartë dhe sublime. Në këtë pikëpamje, viti 2008 ka qenë padyshim një vit i keq për ne. Disa dhjetëra bashkatdhetarë tanë ikën përgjithmonë nga kjo jetë, në një mënyrë të padenjë. Këtu kam parasysh Farkën, Gërdecin, Sarandën, Gjirokastrën, minatorët e Bulqizës, qindra persona të tjerë të cilët vdiqën çdo ditë, në rrugët e vendit dhe disa qindra të tjerë, të cilët u vetëvranë. Vdekje padyshim mizore, pas një jete po kaq mizore. Këta njerëz mbërritën në vdekje të llahtarshme pas një jete të tallur keqas. Skllevër të vërtetë të kohëve moderne. Pothuajse shumë prej tyre vdiqën në vende pune të pasigurta, pa siguracione as të jetës, as të punës, disa prej tyre akoma pa mbërritur moshën madhore. Me të vetmin faj, sepse jetojnë në vendin ku pasuria e pakicës nuk po ka kufij, në dëm të varfërisë therëse të shumicës. Dhe ç’është më e keqja, akoma ky shtet nuk po i “shpjegon” pse: pse vdiqën në këtë mënyrë.

Po ky shtet, këta njerëz që ne zgjedhim, nuk po dinë të na shpjegojnë as ne, të gjallëve të këtij vendi; përse jetojmë kështu? Përse vazhdojmë të pushohemi nga puna, për bindjet tona politike, pa ligj e rregull. Përse në spitalet tona mungojnë ilaçet më bazilare, përse listat e veresisë shtohen në mënyrë marramendëse, përse rritet po kaq marramendësisht, numri i shqiptarëve të përjashtuar nga shoqëria dhe përse numri i vetëvrasjeve shtohet çdo ditë. Asnjë fjalim qeveritar nuk ka guximi t’u shpjegojë shqiptarëve përse-të e kësaj jete të tallur.

Edhe pse një numër skandalesh, deri diku shpjegojnë këtë mënyrë të qeverisuri të vendit dhe në mënyrë të veçantë, objektivat kryesorë të saj. Padyshim, ata më të padukshmit, por që për fat të keq janë dhe ata më të synuarit. Gërdeci, dhjetëra kilometra të rrugës patriotike të paguara e të papunuara dhe së fundi Fazlliçi, janë disa përgjigje, që flasin shumë më tepër se çdo fjalim festiv.

Këta të fundit vazhduan të kenë dëgjuesit e tyre, të cilët edhe pse të varfër si gjithë pjesa tjetër e popullsisë, ishin gjithmonë më të shumtë se qytetarët që protestojnë. Ky vit ishte viti i paradoksit social, i paqes sociale që “fle” mbi pabarazinë sociale, mbi përjashtimin social, mbi varfërinë dhe skamjen.

Viti 2008 ishte gjithashtu një vit politik i çuditshëm, i paqes dhe konsensusit pozitë-opozitë për reformat institucionale në vend dhe, nga ana tjetër, i tendencës për kontroll absolut të ekzekutivit mbi pushtetet e tjerë dhe institucionet e pavarura në vend.

Së fundi, për të gjithë çka përmendëm më lart, viti 2008 ishte një vit i keq për shqiptarët. Veçanërisht i keq, por dhe veçanërisht historik. Historik për dy ngjarje të mëdha, aq të mëdha, sa rrallë mund të kesh fatin t’i jetosh në një jetë të tërë. Ky ishte viti i shqiptarëve si komb. Viti i pavarësisë së Kosovës dhe ftesës në NATO, padyshim, ngjarjet më madhore të historisë sonë, pas dhjetëra vite historie të çmendur, diktaturash dhe gjenocidi etnik.

Ai ishte pra 2008-a një vit i mirë apo i keq? Për mendimin tim, ishte një vit historik, si komb për shqiptarët, po aq sa ç’ishte një vit i keq për qytetarin shqiptar. Këta të fundit u tallën, veçanërisht, si kurrë më parë nga udhëheqësit e këtij vendi.

Kur ne jemi mirë, bota është keq dhe anasjelltas...

Lutfi Dervishi

Vitit 2008 do të mbahet mend si viti më paradoksal i shqiptarëve. Është viti më i mirë për shqiptarët dhe viti më problematik për një pjesë të mirë të globit. Është abuzuar shumë me togfjalëshin "ngjarje historike" dhe ky shpërdorim i këtij termi bën që edhe ngjarje që do të mbeten në histori të mos e kenë atë kumbim që duhet ta kenë.

Ngjarjet që ndodhën për ne këtë vit, ndoshta ndodhin një herë në 100 vjet; Pavarësia e Kosovës dhe marrja e ftesës së Shqipërisë për në NATO. Pavarësia e Kosovës dukej e pamundur, dhe marrja e ftesës për në NATO nuk ka qenë kurrë e sigurt. Vendet që janë anëtarësuar në NATO janë konsideruar se zënë një vend në paradhomën e BE-së. Por më shumë se kalkulim politik, vendimi që mori samiti i Bukureshtit ishte një konfirmim i vlerave, për të cilën aspiron shoqëria shqiptare.

Në politikën e brendshme, viti 2008 do të mbahet mend si viti ku u zbeh polariteti politik deri në atë shkallë sa u vu në pikëpyetje roli i opozitës në një shoqëri demokratike! Ndryshimet kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe ligjet për drejtësinë morën aq shumë vota, sa ngritën supet dhe vetullat e skeptikëve. Është viti i parë ku forcat kryesore politike bien në një mendje për reforma të rëndësishme dhe kjo nuk është pak në një vend ku Kushtetuta është miratuar më 1998-n me pëlqimin e një krahu politik. Opozita ka meritën se gjithë betejën politike e zhvilloi kryesisht në Kuvend dhe në ekranet e televizioneve. Kalimi nga sheshet tek ekranet është një precedent i mirëpritur për një vend ku beteja për të nxjerrë njerëz në mitingje ka qenë detyrë mbi të gjitha detyrat. Me gjithë paqen e madhe, shumica nuk nguroi të tregojë muskujt në Kuvend, siç ishte rasti i ligjit të shumëdiskutuar për "dosjet". Miratimi me konsensus i Kodit Zgjedhor, ndoshta është dhe fundi i muajve të mjaltit mes pozitës dhe opozitës. Fushata elektorale, de facto mund të nisë që në muajin janar dhe do të na marrë malli për qetësinë e vitit 2008!

Por, 2008-a do të mbahet mend edhe për tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit. Hetimi i nisur nuk dihet se kur do të përfundojë, por është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që Prokuroria e shtetit nis hetim për dy anëtarë të kabinetit qeveritar (për dy raste të ndryshme). Kjo është një risi dhe dëshmi se sistemi demokratik në vend, me gjithë problemet jo të pakta funksionon, dhe (shpër)ndarja e pushtetit nuk është vetëm leksion demokracie, por një realitet i prekshëm. Përfundimi i hetimit dhe gjykimit të dosjes së Gërdecit dhe rrugës "Durrës Kukës" do të jetë një gur prove për drejtësinë dhe klasën politike në vend. Nocioni se në demokraci askush nuk është mbi ligjin, përfshin edhe vetë ligjvënësit.

2008-a do të mbahet mend si viti kur, me gjithë krizën globale që trokiti dhe po troket në të gjithë vendet e globit, Shqipëria vijon me rritjen ekonomike prej 6%- çka është mbresëlënëse. Në 2008-n, çmimi i naftës arriti qiejt dhe u kthye prapë në tokë, (megjithëse në Shqipëri i kapi majat, por karteli i importuesve të naftës nuk lejoi kthimin në tokë). Është një paradoks i vërtetë, në kohën kur ekonomitë e Perëndimit po përjetonin bumin ekonomik në mesin e viteve ‘90, Shqipëria përjetoi krizën e madhe financiare, politike e shoqërore të vitit ‘96-‘97! Sot që këto ekonomi janë në recesion, Shqipëria vijon me rritje ekonomike! (Kjo situatë meriton një analizë të gjerë, por ky nuk është objekti i këtij forumi)

2008-a do të mbahet mend tek shqiptarët për zgjedhjet në SHBA, do të mbahet mend jo vetëm për fituesin, jo vetëm për ditën e zgjedhjeve, por edhe për procesin elektoral brenda dhe mes partive politike.

Si traditë thuhet dhe urohet që Viti i Ri do të jetë më i mirë. Këtë radhë druaj. Këtë vit vendi do të bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO, por do të ketë dhe zgjedhjet parlamentare, ngjarja më e madhe e një vendi në situatë paqeje. Këto zgjedhje mund të shënojnë ndarjen faktike me tranzicionin, ose në rastin më të keq, disa hapa prapa në raport me aspiratën që ka vendi drejt integrimit në BE. Është viti i përfundimit të projektit më të madh infrastrukturor që është ndërmarrë ndonjëherë. Në një përqasje anekdodike, "violina" e kësaj rruge do të duket më vonë, por është e sigurt.

2009-a mund të jetë edhe viti i thellimit të krizës ekonomike botërore dhe, kjo krizë, megjithëse është shfaqur vetëm si hije, mund të prekë edhe Shqipërinë.

Ashpërsimi i klimës politike, zgjedhjet parlamentare dhe kriza ekonomike botërore, janë tre zhvillime që mund të na bëjnë ta kujtojmë me mall vitin që po mbyllet dhe në fund të vitit tjetër të themi: 2008-a ishte më mirë se 2009-a.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›