E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfidat parlamentare, PD asnjë angazhim konkret

Në javën e dyte të këtij viti, asnjë zyrtar i lartë i selisë blu nuk flet për sfidat parlamentare

TIRANË- Ka nisur java e dytë e këtij viti dhe nuk ka asnjë deklarim të mazhorancës për sfidat parlamentare të 6-mujorit të parë të 2009-s, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në muajin qershor. Drejtues të lartë të selisë blu refuzojnë të përgjigjen për agjendën e muajve të ardhshëm, duke qenë kësaj here në një pozite pritëse ndaj asaj që mund të ofrojë partia më e madhe në opozitë. Sesioni i ri parlamentar fillon javën e tretë të janarit dhe drafti me i rëndësishëm i mbartur nga viti i shkuar është ai për Gjykatën Administrative. E, ndërsa zyrtarët e lartë të selisë blu nuk japin asnjë deklaratë konkrete në këtë fillim viti, mbi objektivat parlamentare që do të ndjekin, opozita, nga ana tjetër do të përqendrohet më së shumti në infrastrukturën zgjedhore. Kryeministri Sali Berisha premtoi në fund të vitit të kaluar se gjithçka sa i takon zgjedhjeve të ardhshme do të kalojë në bashkëpunim me opozitën, ndërkohë që kjo e fundit ka kërkuar marrjen e masave nga ana e qeverisë për një infrastrukturë të plotë, që do të mundësonte zgjedhje sipas standardeve. Jashtë vëmendjes së mazhorancës, (nisur nga deklaratat publike të kryeministrit Sali Berisha apo edhe Kryetares së Kuvendit) nuk do të mbetet edhe synimi për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut nga ato vende që nuk kanë miratuar ende. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Greqisë, e cila nuk ka ratifikuar si Protokollin e NATO-s, ashtu edhe MSA-në. Pa miratimin e MSA-së nga Athina, Shqipëria nuk mund të bëjë edhe kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›