Përplasja Ministri e Shëndetësisë QSUT

Të shpresojmë se odisesë së mundimshme të mungesës së ilaçeve, po i vjen fundi. Pas një loje të gjatë “e ka kush e ka” mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dikasteri qendror i shendetësisë ka vendosur të bëjë lëvizjen e saj për t’i dhënë fund kësaj krize. Mungesa e ilaçeve është një situatë tepër e rëndë dhe që rrezikon seriozisht jetën e të sëmurëve. Vetëm dy ditë më parë, ata lanë shtretërit për t’iu drejtuar zyrave të drejtorisë, me shpresë se ky problem do të gjente një zgjidhje. Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar disa procedura, të cilat mendohet të jenë zgjidhja e problemit. Sipas kësaj ministrie, parashikohet që brenda muajit qershor të arrihet kontraktimi i 87 medikamenteve që rezultojnë të regjistruara për qarkullim nga një kompani e vetme, me një fond të vetëm prej 424 milion lekësh. Nga ana tjetër, MSH-ja bën me dije se rreth 20 spitale të vendit, të cilat kanë rezerva të mëdha medikamentesh dhe materialesh mjekimi, për shkak se pacientët e rretheve vijnë në Tiranë, kanë ofruar ndihmën e tyre. Këto spitale do të japin një sasi të konsiderueshme ilaçesh dhe materiale mjekimi, me vlerë 18 milion lekë të vjetra për t’i paraprirë çdo problemi. Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë deklaron se QSUT-ja ka rezerva të mjaftueshme për të përballuar çdo lloj krize. Sipas kësaj ministrie, QSUT-ja e ka nisur fondin e medikamenteve për vitin 2007, në muajin korrik të atij viti, por duke qenë se fondi është një vjeçar, ai përfundon në muajin korrik të 2008-ës. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë sqaron se, QSUT-ja dhe të gjithë spitalet e tjera, janë udhëzuar që të përdorin të gjitha hapësirat ligjore të prokurimit me medikamente mungesa e të cilave rrezikonte jetën e pacientëve. Për vonesën e hapjes së procedurave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, për materialet e mjekimit, ajo sqaron se ka ndikuar edhe aplikimi i TVSH-së për këta artikuj, ligj që hyri në fuqi në fund të muajit shkurt. Ky ndryshim kërkonte rishikimin e fondeve të vëna në dispozicion për këta artikuj, duke riplanifikuar sasitë e secilit artikull, në bazë të kërkesave të spitaleve si dhe të mundësive financiare që spitalet dispononin për plotësimin e këtyre kërkesave.
Procedurat
Furnizimin e spitaleve me medikamente të metabolizmit, traktit tretës, organeve sensoriale etj, do bëhet me një fond prej 86 milion e 653 mijë e 209 lekë. Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 10 korrik 2008. Furnizimin e spitaleve me medikamente të sistemit genito-urinar, hormonal, sistemit kardiovaskular, nervor etj, do të bëhet me një fond limit prej 84 milion e 437 mijë e 839 lekë pa TVSH. Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar më 11 korrik 2008. Furnizimin e spitaleve me medikamente të sistemit psikiatrik, anestezi-reanimacion, respirator, gjakut, etj, do të bëhe me një fond limit prej 93 milion e 118 mijë e 439 lekë. Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 11 korrik 2008. Furnizimin e spitaleve me medikamente të sistemit anti-infektiv dhe gjakut, shpresohet të bëhet me një fond limit prej 92 milion e 278 mijë e 502 lekë. Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 14 korrik 2008. Materiale konsumi për shërbimin e hemodializës do të blihen me një fond prej 82 milion e 607 mijë e 300 lekë pa TVSH. Faza e parë e hapjes së kërkesave është caktuar me datë 27 qershor 2008.