Ngjela: Gërdec, Mediu rrezikon 20 vjet burg
Intervista/ Spartak Ngjela shprehet se Berisha me “dekretet” po kërkon të mbyllë çështjen “Gërdeci”
Ngjela: Bllokimi i dekreteve, grusht shteti
TIRANË- Avokati dhe deputeti i njohur Spartak Ngjela i vlerëson të dështuara përpjekjet e mazhorancës së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha për të bllokuar dekretet e Presidentit të Republikës për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Duke analizuar situatën edhe nga ana juridike, Ngjela thekson se rruga e vetme që i mbetet Kuvendit për këtë çështje është votimi i emrave të gjyqtarëve të propozuar. Çdo hap tjetër, sipas tij, do të përbënte puç kundra institucionit të Presidentit. Avokati thekson gjithashtu se thelbi i gjithë këtij debati është pikërisht përpjekja e kryeministrit Berisha për të mbyllur hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Ai nuk ngurron gjithashtu të shprehet se kjo ngjarje mund t’i kushtojë ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, jo më pak se 20 vjet heqje lirie.
Z.Ngjela, prej disa ditësh ekziston një debat në lidhje me dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Duke qenë se këtë herë kreu i shtetit nuk negocioi me asnjë prej forcave politike për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, PD gjeti një pretekst, duke iu referuar Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke bllokuar prej më shumë se 1 muaj votimin e dekreteve në Kuvend. Si e komentoni këtë përplasje në këndvështrimin tuaj?
Në fakt, unë jam prononcuar disa herë rreth kësaj çështjeje, por gjithsesi, për faktin se kjo tani përbën një konflikt institucional në një krah, dhe një bllokim të Gjykatës së Lartë në krahun tjetër, kuptohet se analiza duhet të bëhet edhe më e thellë. Për këtë arsye, tani, pas një muaji, çështja e dekreteve është kthyer në një konflikt midis Kryeministrit dhe Presidentit Topi. Në fakt, konflikti midis tyre ishte i pritur. Berisha është person me një ndërtim anti- qytetërim, nuk i përket fare kësaj kohe, dhe gjithmonë ka qenë konfliktual. Ai, as vetë nuk di se çfarë kërkon. Në fakt, ka një ndërtim patologjik që nuk duhej të ishte objekt i analizave politike, por i analizave psikiatrike. Megjithatë, shqiptarëve u ka rënë për pjesë e duhet të vuajnë edhe ca. E them këtë, sepse ai asnjëherë nuk ka luajtur për shqiptarët, dhe, në të njëjtën kohë është krejt i paaftë për të drejtuar një shtet. Për këtë arsye urren, urren gjithçka, e sidomos elitën shqiptare. Nuk ka ditur të ndërtojë asgjë, dhe në thelb, nuk e dëshiron zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Por, sot e ka absolutisht të pamundur që ta frenojë këtë zhvillim, prandaj dhe është bërë me agresiv; dhe, ajo që e rëndon më shumë; përveç gjithë kësaj tabloje që është e përgjithshmja rreth këtij personi, Sali Berisha tani ka edhe peshën e rëndë të Gërdecit. Ai është autori direkt i asaj ngjarjeje. Këtë tani e di i madh e i vogël në Shqipëri. Dhe kjo po e dërrmon. Në fillim ai mendoi gabim, se me aleancën e pështirë që vendosi me kryetarin socialist, do të ishte i qetë; por kjo në fakt e la edhe më të pambuluar. Sepse hetimi vijon, dhe ai nuk po e vë dot në dorë hetimin. Faktet janë fakte, dhe hetimi ndërkohë ka një ngjyrim ndërkombëtar, sepse vetë trafiku i paligjshëm i armëve dhe i lëndëve plasëse, është një krim ndërkombëtar. Dhe faktet po e rëndojnë gjithnjë e më shumë, kurse vetë Berisha, po hyn gjithnjë edhe më tepër në një spirale vetëbllokuese; së cilës ai nuk di se si mund t’i shpëtojë. Ndërkohë hetimi ka grumbulluar fakte kundër ish-ministrit Mediu; fakte të cilat Berisha, me metodën katundareske të kërcënimit për çdo gjë që kërkon të arrijë, kujtoi se do t’i sheshonte duke kërcënuar. Por në fakt, kërcënimi nuk zuri fare vend, edhe pse ai mendoi se me amendamentet kushtetuese do ta trembte edhe akuzën, edhe grupin parlamentar, por edhe presidentin Topi. Në fakt, në këtë “vepër”e ndihmoi edhe lidershipi socialist, prandaj dhe Berisha fluturonte. Por segmenti kohor që ngre ose rrëzon akuzën, ka tjetër karakter, ai nuk mund të trajtohet jashtë fakteve, sepse faktet nuk mund të bllokohen, ato vetëm mund të deformohen. Por për Berishën kjo ka qenë e pamundur, edhe ta mendonte, e jo më ta ndërmerrte. Kështu pra, Mediu është i rrezikuar që të dënohet jo më pak se njëzetë vjet, ngaqë akuzohet për tre krime të rënda. Por Mediu edhe mund të flasë për të lehtësuar veten, sepse nëse ka akoma gjëra të rënda që mund të denoncojë, dhe këto të jenë të lidhura me kryeministrin e tij, sigurisht që Mediu shpëton nga akuzat e rënda, madje edhe nga vetë akuza në përgjithësi, nëse deponimet e tij do të jenë në interes kombëtar, apo ndërkombëtar. Prandaj Berishës i duhet patjetër pafajësia e Mediut. Saliu dallohet që është i trembur: ja kjo është ajo që konstatojmë ne nga larg. Prandaj kërkoi deri tani që të bllokonte hetimin kundër Fatmir Mediut. Por e pa se kjo nuk mund të realizohej, prandaj ndërroi rrjedhë, dhe po kërkon të sigurojë pafajësinë e Mediut, i cili do të gjykohet me juridiksion fillestar vetëm në Gjykatë të Lartë, dhe vetëm njëherë. Por kompozimi aktual i Gjykatës së Lartë Saliut duket se nuk e favorizon, prandaj kërkon me ngut rikompozimin e Gjykatës së Lartë. Veçse, as këtu nuk po ka forcë, sepse emërimet e reja të anëtarëve të Gjykatës së Lartë i ka Presidenti i Republikës në kompetencë. Dhe ai i dekretoi pese anëtarë të rinj, në shtatë që ka për të emëruar. Por nga këta, Berisha duket se kontrollon vetëm njërin syresh. Dhe kjo është pak. Prandaj ai dëshiron t’i kthejë dekretet. Ja kjo është tabloja që ka krijuar edhe konfliktin Topi-Berisha.
Atëherë, pse nuk i voton Berisha dekretet në Parlament dhe meqë ka në dorë maxhorancën, t’i rrëzojë këto dekrete në Kuvendin e Shqipërisë?
Po pra, këtu është dobësia, sepse Berisha nuk është i sigurt se e ka maxhorancën për të rrëzuar dekretet e Presidentit. Dhe prandaj është i humbur, sepse, në radhë të parë, Presidenti i Republikës nuk mund t’i kthejë dekretet e tij, dhe në radhë të dytë, Berisha nuk është i fortë aq sa t’i rrëzojë këto dekrete. Dhe çështja ka hyrë në një lojë të rrezikshme për të, sepse në këtë lojë nuk mund ta ndihmojë dot as kryetari i socialistëve, sepse në këtë rast, atij do t’i dilte boja për vete. Prandaj, loja ka hyrë në një qerthull marramendës anti-Berishë, nga i cili Berisha nuk mund të dalë dot. Ai nuk e ndalon dot votimin e fshehtë të dekreteve, me gjithë ndihmën prej injoranti që i duket se po i jep Jozefina Topalli (Çoba).
Në këtë mungesë mirëkuptimi, pak ditë më parë, kryeministri Berisha mandatoi Patozin dhe Banon për të negociuar me Presidentin për dekretet. Si ju duket kjo manovër e Kryeministrit?
E theksova edhe më lart. Presidenti nuk mund të kthejë dekretet e tij në asnjë rrethanë, dhe çdo negociatë në lidhje me këtë çështje do të ishte humbje kohe. Por Berisha nuk e ka aftësinë për ta kuptuar këtë lloj procedure. Në këto raste ai është edhe i disekuilibruar, sepse e shpjeguam edhe më lart, ai ndodhet në një situatë të rëndë. Është përgjegjës për vdekjen e njëzetetetë shqiptarëve, dhe kësaj përgjegjësie nuk mund t’i shpëtojë. Sot nuk ka më të marrë në Shqipëri që të marrin përsipër një krim të tillë. Presidenti Topi nuk mund të diskreditohet përpara historisë për të bllokuar hetimin e çështjes së Gërdecit; dhe më e rënda këtu është fakti që, vetë Berisha nuk po dëshiron ta kuptojë këtë. Sepse ai nuk e ka fakultetin intelektiv për të kuptuar përgjegjësinë dhe historinë, por kjo është fatkeqësi e tij, dhe nuk ka asnjë gjasë që fatkeqësia e tij të kthehet në një fatkeqësi afatgjatë shqiptare, ndonëse ai këtë po kërkon të realizojë.
Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve me votat e mazhorancës vendosi që në Kuvend të votohen jo dekretet, por raporti mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti për emërimin e gjyqtarëve. Si njohës i mirë i çështjeve ligjore dhe si ish-kryetar i këtij komisioni, sa ligjore ju duket kjo lëvizje?
Është pamundësi absolute. Në fakt është një tentative prej injorantësh, që mendojnë se kështu mund të trembin presidentin Topi. Si ka mundësi që një komision parlamentar i zakonshëm të konstatojë shkeljen kushtetuese të Presidentit të Republikës? Duhet të kujtoheni se, shkelja e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, është shkak për shkarkimin e tij, madje edhe të akuzës penale kundër tij. Por këtë shkelje e konstaton vetëm një komision hetimor parlamentar i posaçëm, dhe ky konstatim, pasi votohet me dy të tretat e Kuvendit, shkon për t’u gjykuar në Gjykatën Kushtetuese. E kuptoni se sa i mbrojtur është Presidenti shqiptar? Dhe, në të njëjtën kohë, e shihni se sa qesharakë duken personat që mendojnë se më raportin e Bejës mund të votojnë anti-kushtetutshmërinë e Presidentit të Republikës? Edhe një student i vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë në Shqipëri, do të pyeste: Cilën dispozitë kushtetuese ka shkelur Presidenti i Republikës në emërimin e pesë anëtarëve te Gjykatës së Lartë? Deri tani as kaçiatorët e Berishës nuk na kanë cilësuar ndonjë dispozitë të shkelur.
Po në qoftë se kjo votohet?
Presidenti i Republikës, e rrëzon këtë soj vendimi brenda njëzetë ditëve në Gjykatën Kushtetuese dhe, pastaj, sigurisht që do të nisë procedura penale kundër autorëve të kësaj ndërmarrjeje, e cila, në thelb, është grusht shteti. Prandaj, siç shihet me keqardhje, bashkë me Mediun, Berisha kërkon që të dalin edhe ca të tjerë e të deponojnë si të pandehur se kanë qenë të kërcënuar prej tij për të ndërmarrë këtë grusht shteti.
Sipas jush, pas gjithë këtyre që thatë, ku qëndron përplasja e vërtetë pas këtij debati?
Unë e shpreha: është dëshira e Berishës për të mbyllur me çdo kusht e me çdo çmim, Gërdecin. Por me këtë rrugë e ka të pamundur. Gërdeci nuk mund të mbyllet. Berisha mund ta mbyllë këtë çështje vetëm duke vendosur diktaturën. Por e ka të pamundur, sado që të rreket, sepse Shqipëria tanimë është në NATO.
Ndryshe nga sa prisnin të gjithë në momentin e zgjedhjes, Presidenti i Republikës duket se po qëndron mbi palët, gjë që nuk i shkon për shtat kryeministrit Sali Berisha, eksperienca e të cilit ka treguar se do të drejtojë edhe këtë institucion...
Nuk keni se përse më përfshini edhe mua në këtë hamendje që ju keni pasur. Po të kisha këtë mendim për Bamir Topin, kurrë nuk do ta votoja për President, dhe mund t’ju them se edhe President do ta kishte shume të vështirë që të zgjidhej. Por unë e kam pasur bindje integritetin e tij moral dhe intelektual njëherësh. Bamir Topi është individ shqiptar që e ndien përgjegjësinë, ai e ka sensin e saj, dhe, mbi të gjitha, ai është një shqiptar që e do dhe e respekton popullin e vet. Koha do ta tregojë edhe më qartë këtë.
“Por Mediu edhe mund të flasë për të lehtësuar veten, sepse nëse ka akoma gjëra të rënda që mund të denoncojë, dhe këto të jenë të lidhura me Kryeministrin e tij, sigurisht që Mediu shpëton nga akuzat e rënda, madje edhe nga vetë akuza në përgjithësi, nëse deponimet e tij do të jenë në interes kombëtar, apo ndërkombëtar. Prandaj Berishës i duhet patjetër pafajësia e Mediut. Saliu dallohet që është i trembur: ja, kjo është ajo që konstatojmë ne nga larg. Prandaj kërkoi deri tani që të bllokonte hetimin kundër Fatmir Mediut”.
“Është dëshira e Berishës për të mbyllur me çdo kusht e me çdo çmim, Gërdecin. Por me këtë rrugë e ka të pamundur. Gërdeci nuk mund të mbyllet. Berisha mund ta mbyllë këtë çështje vetëm duke vendosur diktaturën. Por e ka të pamundur, sado që të rreket, sepse Shqipëria tanimë është në NATO”.
“Por kompozimi aktual i Gjykatës së Lartë, Saliun duket se nuk e favorizon, prandaj kërkon me ngut rikompozimin e Gjykatës së Lartë. Veçse, as këtu nuk po ka forcë, sepse emërimet e reja të anëtarëve të Gjykatës së Lartë i ka Presidenti i Republikës në kompetencë. Dhe ai i dekretoi pese anëtarë të rinj, në 7 që ka për të emëruar. Por nga këta, Berisha duket se kontrollon vetëm njërin syresh”.
“Presidenti Topi nuk mund të diskreditohet përpara historisë për të bllokuar hetimin e çështjes së Gërdecit; dhe më e rënda këtu është fakti që, vetë Berisha nuk po dëshiron ta kuptojë këtë. Sepse ai nuk e ka fakultetin intelektiv për të kuptuar përgjegjësinë dhe historinë, por kjo është fatkeqësi e tij, dhe nuk ka asnjë gjasë që fatkeqësia e tij të kthehet në një fatkeqësi afatgjatë shqiptare, ndonëse ai këtë po kërkon të realizojë”.