E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova bën pa Republikë, por jo pa Veriun e saj

NEXHMEDIN SPAHIU

Ambasadorët e akredituar në Prishtinë, francezi Jean Francois Fitou dhe gjermani Ernst Reichel, siguruan se Gjermania dhe Franca shpesh nuk e përdorin emërtimin Republikë dhe nuk bëhet kiameti. Kjo është e vërtetë dhe këshilla e tyre është më se miqësore. Gjermania e Franca janë republika të njëmendta dhe askush nuk e konteston të qenët shtet e as pavarësinë e tyre. Me fjalën Republikë apo pa të, Gjermania është Gjermani dhe Franca është Francë, por Kosovës jo vetëm që gjysma e botës ia konteston të qenët shtet, po edhe vetë patriotët e Kosovës akoma nuk janë të bindur në këtë. Shih për këtë, fjala Republikë sikur u ndihmon në forcimin e vetëbesimit se Kosova është shtet.
Shikoni një numër të madh ligjesh të nxjerra nga Parlamenti i Kosovës, ku fjala Republikë përdoret vend e pavend.
Në një hartim ligji ku merrja pjesë dhe unë si interesent, në propozim ligj kishte, edhe togfjalësha si televizionet e Republikës së Kosovës në vend se televizionet e Kosovës, sepse fjala ishte për televizionet publike e private që veprojnë në Kosovë, sepse në po atë ligj thuhej se në Kosovë nuk ka televizion shtetëror. Por, deputetët dhe shumë interesentë të tjerë as që e kuptonin dallimin mes Kosovës si vend dhe Republikës së Kosovës si shtet dhe insistonin që emri Republikë të futej gjithkund përbri emrit Kosovë, edhe atëherë ku nuk e kishte vendin.
Në insistimin tim që të hiqej emri Republikë gjithandej ku nuk e kishte vendin dhe që përbënte nonsens, deputetët insistonin që të mbetej, derisa nënkryetari i Parlamentit më tha: Lëri se këta njëherë duhet të ngopen me fjalën Republikë e tek pastaj mund të mësojnë se çfarë është Republika.
Republika e Kosovës – Forma apo thelbi?
Në një situatë problematike çfarëu ndodhet Kosova ku imponohen kompromiset, këshilla e ambasadorëve miq të Kosovës është që të lëshojmë pe te gjërat formale dhe tu qasemi gjërave thelbësore. Në këtë rast, përmendja apo jo emrit Republikë është fakt formal karshi faktit thelbësor se Kosova a merr a po jo pjesë në tubimet rajonale e ndërkombëtare.
Deri tani, në këto tubime, organizatori i tubimit është detyruar të zgjedhë se a ta thërrasë Kosovën apo Serbinë. Nëse shteti nikoqir ka qenë mik i Serbisë, nuk e ka ftuar Kosovën; nëse shteti nikoqir ka qenë mik i Kosovës, e ka ftuar edhe Kosovën, edhe Serbinë, por Serbia ka bojkotuar takimin.
Nëse gjendet kompromisi i propozuar nga miqtë tanë, atëherë Kosova do të marrë pjesë në të gjitha këto nisma dhe tubime rajonale krahas Serbisë. Kjo është një mundësi e mirë, pasi përfaqësuesit kosovarë kanë rast të takohen me përfaqësuesit e Serbisë dhe të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kësisoj të natyralizohen si pjesëmarrës dhe palë në këto takime. Natyrisht, ky do të jetë një hap më tutje në forcimin e Kosovës si shtet, por edhe hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit.
Natyrisht, ky kompromis nuk pengon që në përdorim të brendshëm dhe në marrëdhëniet bilaterale me shtetet që njohin pavarësinë e Kosovës të përdoret fjala Republikë aty ku e ka vendin.
Veriu i Kosovës është çështje thelbësore
Problemi thelbësor për Kosovën do të jetë çështja e Veriut të Kosovës. Aty jo vetëm që ka rëndësi se si do të definohen raportet, por edhe emërtimet për këto raporte.
Realiteti në teren është frikësues. Madje edhe opinioni i krijuar le të kryhet kjo punë qysh do qoftë, veç le të kryhet, është shumë trishtues.
Një akademik nga Prishtina më tha se çfarë mund të bëhet më keq nga kjo çfarë është tani. U detyrova tia them një të vërtetë banale.
Kosova ka energji elektrike ngase punon KEK-u, po KEK-u nuk kish për të punuar fare pa ujin që merr nga liqeni i Gazivodës. KEK-u merr ujë nga ky liqen ngase atë e ka nën kontroll KFOR-i. Tani gjithë çështja shtrohet se kush do ta kontrollojë këtë pasuri publike, pasi KFOR-i të shkojë nga Kosova. Nëse kjo u mbetet serbëve nën kontroll, atëherë KEK-u pa ujë e gjithë Kosova pa energji elektrike. Jo kjo nuk ndodh, por KEK do të detyrohet ta blejë ujin me para për çmimin që do ta caktojnë serbët. Dhe kësisoj, Kosova do të jetë gjithnjë e varur.

Mund të ndryshojë qasja e ideologjia, por jo interesi
Për më keq, kjo gjë nuk do të ndryshojë me ndryshimin e qasjes së Serbisë ndaj Lindjes apo Perëndimit, sepse politika e jashtme e Serbisë apo ideologjitë politike të pushtetarëve të saj mund të ndryshojnë, ajo mund të bëhet më pak apo më shumë miqësore ndaj Kosovës, më pak apo më shumë armiqësore ndaj Kosovës, por interesi i saj nuk ndryshon.
Sado që Serbia në të ardhmen të bëhet dashamire e shqiptarëve dhe e Kosovës, ujin sdo tia falë, por do tia shesë. Madje, nëse e hidhërojmë shumë, ndonjëherë mund të mos na e japë fare.
Ajo që mund të ofrohet si kompromis që Veriu nuk do të ndahet, por të bëhet republikë në kuadër të një federate Kosovare, nuk është kompromis, por shuarje e ëndrrës për pavarësi të Kosovës.
Çështja e Veriut të Kosovës nuk është çështje e një cope të atdheut, po është përcaktuese nëse mund të funksionojë apo jo Kosova si shtet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›