E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova bllokon mallrat e Maqedonisë?

Maqedonia ka vendosur t'i detyrojë qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të shkojnë në Maqedoni. Taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se po i shikojnë të gjtiha mundësitë për ndalimin ndalimin e mallrave nga Maqedonia, deri në heqjen e disa pengesave nga kjo e fundit.

“Ne e shohim si kontekst tregtar. Po, po mendojmë edhe për ndalimin e mallrave nga Maqedonia. Ne po mundohemi të bëjmë zgjedhjen e duhur, dhe po i shikojmë të gjitha sipas mundësive deri në heqjen e disa pengesave dhe barrierave”, ka thënë Kusari- Lila për Indeksonline.

Sipas ministres, në këtë rast Maqedonia është dashur të jetë më e kujdesshme dhe të mbrojë interesat e veta.
“Maqedonia është dashur dhe duhet ta shohë interesin e vet. Maqedonia ka shumë më shumë interes se sa Kosova ndaj saj, dhe në këtë aspect është dashur që të jetë e kujdesshme”, ka vlerësuar ajo.

Zëvendëskryeministrja e ka quajtur vendimin e Maqedonisë absurd dhe në dëm të raporteve të fqinjësisë së mirë me Kosovën.

Lidhur me këtë vendim ka reagur Aleanca Kosova e re, duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministren Mimoza Kusari Lila, për për masat që do marrë.

“Aleanca Kosova e Re, inkurajon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeverinë e Kosovës të vazhdojë me masat që si rezultat do të kenë normalizimin e plotë të raporteve tregtare me Maqedoninë. Qeveria e Maqedonisë është ajo që për tri vite me radhë ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-së, edhe përkundër përpjekjeve për të zgjidhur këtë problem që është paraqitur dhe ka dëmtuar interesat e ekonomisë kosovare. AKR e përcjell me shqetësim faktin se kontesti prej raporteve tregtare është përcjell në problemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, gjë e cila drejtpërdrejt pengon qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AKR-së.

Mes tjerash thuhet se, AKR si parti liberal demokrate kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përdorë të gjitha mekanizmat në normalizimin e situatës, qoftë edhe me kundërmasa, gjithmonë duke mos penguar lëvizjen e lirë të njerëzve.

“Para disa ditësh, MTI u përgjigj me kundër masa ndaj disa produkteve të Maqedonisë, pas masave ndaj eksportit të miellit dhe drithit. Pas kundërpërgjigjes nga MTI, qeveria maqedonase iu përgjigj këtyre masave me bllokim të kufirit edhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. AKR e dënon këtë akt brutal të qeverisë maqedonase dhe e inkurajon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të ndërmarrë masa shtesë ndaj produkteve tjera që vijnë nga Maqedonia duke konsideruar se masat e aplikuara të Maqedonisë, janë në kundërshtim me normat e BE-së sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve” vlersohët mes tjerash në komunikatë.

Sipas kësaj partie, Republika e Maqedonisë, duhet të jetë koshiente se pengimi i lëvizjes së lirë të njerëzve është akt i pa tolerueshëm për shoqëritë që synojnë integrimin në familjen e madhe të BE-së./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›