E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një i dyshuar thyen xhamat e objektit të Komunës së Klinës

Një person i panjohur ka sulmuar objektin e Komunës së Klinës që gjendet në qendër të qytetit, duke i thyer të gjithë xhamat e dyerve dhe dritareve të pjesës ballore. Rasti ka ndodhur natën mes të shtunës dhe të dielës, thotë policia. Sipas tyre, në pamjet që kanë arritur të kapin kamerat e objektit të Komunës shihet një person që është vështirë të identifikohet për shkak të territ, i cili në dorë mbante një pushkë automatike dhe pasi ka sharë zyrtarët komunalë, ka nisur të thyejë xhamat e dyerve dhe dritareve të Komunës në katin e parë, njofton koha.

Aksioni i këtij personi ka zgjatur rreth 40 sekonda, për t’u larguar më pas i papenguar nga askush në drejtim të rrugës “Ymer Berisha”. Me të dëgjuar zhurmat, rojat e objekteve afër komunës kanë vrapuar, por ata janë kërcënuar me armë nga personi i armatosur. Fadil Kryeziu, rojë në komunë që në momentin e sulmit ndodhej brenda objektit, thotë se ka parë një person në oborrin e komunës, por pa mundur ta identifikojë dhe i cili pas pak ka nisur të thyejë xhamet e objektit. Policia ka arritur në vend të ngjarjes, por nuk ka arritur të ndalojë sulmuesin. Sipas PK-së, nuk dihen motivet e sulmit, e as personi që ka kryer ketë vepër ndaj objektit publik të Komunës. Edhe kryetari i Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se ata nuk kanë informata kush mund të ketë kryer këtë sulm. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›