E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Iowa, marrëveshje partneriteti

PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot guvernatorin e shtetit të Iowa-s, të SHBA, Terry Branstad, me të cilin nënshkroi një Marrëveshje Partneriteti për Shtetet Simotra ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatorit Branstad, në një bisedë miqësore vlerësuan bashkëpunimin e madh që Kosova dhe shteti i Iowa-s kanë ndërmjet tyre dhe nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, kulturës, bujqësisë dhe infrastrukturës.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad thanë se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa janë vendosur që prej ndihmës që ky shtet i SHBA-së i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës, por gjithashtu theksuan nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera.

Presidentja Jahjaga, sipas zyrës së saj, tha se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s do të ndihmojë në shkëmbimin e vlerave dhe të përvojave dhe do t'u ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të Iowa-s mundësi më të mëdha.

Guvernatori i Iowa-s, Terry Branstad, tha se është veçanërisht i nderuar që shteti i Iowa-s ka mundësinë që të vendosë marrëdhënie partneriteti me Republikën e Kosovës. Ai tha se Kosova si shtet i ri ka bërë përparime të mëdha dhe vlerësoi se inkurajimi i investimeve të huaja në vend është i një rëndësie të veçantë po aq sa edhe ndihma për afaristët e vendit.

Vizita e guvernatorit të Iowa-s në Kosovë është bërë me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, pas qëndrimit të saj vitin e kaluar në këtë shtet në SHBA.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad pas takimit të përbashkët dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit mbajtën edhe një konferencë shtypi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›