E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Mali i Zi shembuj të mirë të fqinjësisë në rajon

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti delegacionin e Malit të Zi, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së Forumit të Miqësisë Kosovë – Mali i Zi “Radovan Zogoviq”, i kryesuar nga ministri malazez i kulturës, Branisllav Miçunoviq.

Ministri malazez i kulturës, Miçunoviq, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e ngrohtë që i është bërë delegacionit të Malit të Zi, si nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës, ashtu edhe nga ato kulturore, duke e konsideruar promovimin e Forumit si thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve, thotë kumtesa nga Kryeministria.

Thaçi falënderoi ministrin Miçunoviq për vizitën dhe shprehu mirënjohje për qeverinë dhe popullin malazez, për përkrahjen e Kosovës, njohjen e pavarësisë dhe mbështetjen në bashkëpunim rajonal. “Raportet e mira midis Kosovës dhe Malit të Zi janë shembuj të mirë të fqinjësisë në rajon dhe tregues se dy vendet ndjekin rrugën e vlerave evropiane, me synimet e përbashkëta për integrim në Bashkimin e Evropian” tha mes tjerash kryeministri Thaçi./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›