Kosova dhe Serbia, në një tryezë në Tiranë

Ndryshe kjo është Konferenca e Gjashtë e Komisioneve Parlamentare të Integrimit të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit (COSAP). Punimet e konferencës i hapi Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë konferencë Kuvendi i Republikës së Kosovës është përfaqësuar nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane dhe Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh nënkryetar i Komisionit për Integrime Evropiane.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka marrë pjesë në këtë konferencë për herë të parë dhe ka diskutuar i barabartë me përfaqësuesit e komisioneve homologe të vendeve të ndryshme si: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Duke marrë pjesë në diskutim delegacioni nga Kuvendi i Kosovës ka theksuar se Kosova do të përfaqësohet vetëm si e barabartë në procesin e integrimeve evropiane.
Temat e diskutuara në konferencë kishin të bënin me: rolin dhe përgjegjësitë e Komisioneve për çështjet Evropiane në situatën aktuale të Procesit të Integrimit Evropian, sfidat aktuale të MSA, procesi i negociatave dhe detyrat që rrjedhin për komisionet për integrime evropiane, sfidat e ardhshme dhe metodat e punës të Procesit të Stabilizim Asociimit.
Të gjitha vendet u dakorduan që të angazhohen në çështjet kryesore si: bashkëpunimi në mes të komisioneve homologe parlamentare për integrime evropiane, bashkëpunimi mes parlamentit dhe qeverisë për këtë proces, forcimi i dialogut dhe marrëdhënie më të mira rajonale duke evituar ndasitë, koncensus i brendshëm politik për këtë proces etj.
Në përfundim Konferenca miratoi një deklaratë të përbashkët./Kosovapress/