E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi, Berisha e Rama replika në distancë për ndërtimet e bëra

09/03/2012  Shtatë studiot arkitekturore në garë. Projektet e plota për secilën prej tyre

Zgjidhet sot projekti për zgjerimin e Bulevardit e zhvillimin e veriut të Tiranës

Kryeqyteti do të ketë sot projektin e parë që do t’i hapë udhë transformimit dhe zhvillimit modern, duke nisur pikërisht me zgjerimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Konkursi i iniciuar gjatë ditës së djeshme është shoqëruar me zbardhjen e detajeve të projekteve konkrete që kanë përfshirë në garë shtatë nga studiot e huaja më të mira arkitekturore. Çeljen e konkursit, ku janë prezantuar projektet, e ka bërë kreu i bashkisë Lulzim Basha, që njëherësh është dhe pjesë e jurisë përzgjedhëse, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe Kryeministri Berisha si dhe specialistë të fushës. Studiot arkitekturore “DAR Group Turkey & United Kingdom”, “West 8”, The Netherlands “Albert “Speer & Partners”, Germany, “Cino Zucchi Architetti”, Italy, “Gerkan”, Marg & Partners”, Germany, “Kees Christianse & Partners”, The Netherlands, “Grimshaw Architects” - United Kingdom kanë detajuar projektet e masterplanet për zgjatimin e Bulevardit deri te lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj prej 132.8 ha. Po kështu këto studio sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e bulevardit si dhe për zhvillimin e kodrave të Paskuqanit. Kryebashkiaku tha se ky projekt do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern evropian. Sipas Bashës, zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të sjellë ndërtimin e një poli të ri ekonomik, hapjen e mijëra vendeve të reja pune, përmirësimin e cilësisë së jetës etj. “Ky projekt do të rivitalizojë tërësisht 1/5 e qytetit të Tiranës, do të ndërtojë një pol të ri ekonomik, i cili do të hapë me mijëra vende pune, do të ndihmojë në përmirësimin e trafikut, do të hapë aksese të paimagjinuara më parë për qytetarët, të moshuarit, fëmijët e kryeqytetit, aksese në hapësira të gjelbra, parqe argëtuese, në hapësira ujore, pra do të përmirësojë tërësisht cilësinë e jetës në Tiranë, por mbi të gjitha do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të XXI”, - ka përfunduar Basha. Prezantimi i projekteve në garë është shoqëruar edhe me akuza e ironizime në distancë ndërmjet kreut të qeverisë Sali Berishës dhe liderit të opozitës Edi Rama lidhur me ndërtimet dhe punimet e bëra deri më sot nga secila palë.

Gara për bulevardin

Berisha: Rama piktor i dështuar e pa vizion

Në ceremoninë e hapjes së konkursit për zgjedhjen e projektit fitues ishte edhe Kryeministri Beriha, ku ka ofruar mbështetjen për çdo nismë të pushtetit vendor pavarësisht ngjyrimeve partiake në të mirë të zhvillimit të kryeqytetit. Berisha i ka vlerësuar ndërtesat historike të Tiranës, duke shprehur keqardhje për fatkeqësinë e mëparshme në urbanistikën e këtij qyteti. “Tani Tirana pret këtë fillim, ka humbur disa vjet, duhet të jemi realistë, dhe kjo jo për qytetarët, por para së gjithash për mungesën e vizionit të paraardhësit tuaj, zoti kryetar. Qeveria do t’u mbështesë fuqishëm në projektet ambicioze për Tiranën e këtij shekulli, por ajo do mbështeste çdo të votuar të qytetarëve të Tiranës në ambiciet e tij për t’i dhënë Tiranës dimensionin e munguar", - tha Berisha. Më tej Kryeministri ka shigjetuar ish-kryetarin e Bashkisë Edi Rama, duke e cilësuar si një piktor të dështuar, që i mungonte vizioni. "Paraardhësi juaj ishte piktor i dështuar, jo se nuk i shiteshin veprat në treg, por nuk kuptonte se njerëzit kanë nevojë jo vetëm të shohin të ecin, dhe kjo është urbanistika, kjo është dimensioni që ju i jepni me këto projekte, dimensioni që qyteti mezi pret. Le ta konsiderojmë këtë një fillim të madh premtues për Tiranën, metropol europian”, - ka deklaruar më tej Kryeministri Berisha.

Projekti i studios DAR

“Duke qenë se parashikohet që Tirana më 2020-n të ketë rreth 1 milion banorë, projekti do t’i japë prioritet kryesor kontrollimit të rritjes urbane. Mundësia për Tiranën e veriut është që të zgjerojmë qendrën duke shtuar mundësitë për edukimin e të rinjve me kapacitete universitare si dhe shtimin e sipërfaqes së gjelbër. Bulevardi do të ketë dy parqe liqenorë. Për sa i përket lumit, ne e shohim atë si një mundësi më shumë për biznesin që të shtrihet përreth tij, duke i dhënë kësaj zone një dimension ekonomik, e cila do të vendoset në pjesën veriore të Tiranës, ndërsa në të gjithë zonën do të bëhet edhe një sistemim i transportit publik në shërbim të qytetarëve. Duke marrë të gjitha elementet e projektit deri në vitin 2020, mendohet se do të ketë 200 mijë vende të reja pune. Në këtë zonë të re ekonomike, që ne propozojmë të ngrihet në 50 për qind të kësaj dhe pretendojmë që me rritjen e popullsisë dhe duke pasur parasysh që Tirana e veriut do të ketë 25 për qind të popullsisë të qytetit. Natyrisht, në këtë zonë kemi parashikuar ngritjen e kampusit universitar, një galeri ekspozimi dhe në këtë pjesë të qytetit inkurajohet përdorimi i mjeteve alternative të transportit. Ne e shohim këtë bulevard jo vetëm si një zonë të gjelbër që lidhet me liqenet, por edhe si një zonë aktive jetese, duke i pasur të gjitha shërbimet e një qyteti modern.”

Projekti i studios “West 8”

“Propozimi ynë është për zgjerimin e bulevardit. Lumi dhe parlamenti do të jenë pjesë këtij projekti dhe qytetarët e Tiranës do t’i gëzohen peizazhit që do t’u ofrohet, duke menduar njëkohësisht edhe për mënyrën se si kjo do të realizohet. Ne synojmë gjithashtu përmirësimin e sistemit të transportit dhe lehtësimin e trafikut, synohet pastrimi i lumit, për cilësinë e peizazhit e integrimin e modern të unazës. Para zgjerimit të bulevardit do të mendohet për cilësinë e tij. Së pari, pjesa qendrore e bulevardit është rruga e Tiranës, ka një simbilokë që i përket kulturës së këtij qyteti. Qendra e bulevardit është pjesa më e rëndësishme e qytetit. Dhe kështu do të bëhet një zgjerim i mëtejshëm. Do të ketë zona të gjelbërta. Kemi sheshin “Skënderbej” dhe disa të tjera, që përbëjnë figura të rëndësishme me karaktere të veçanta. Hapësirat e gjelbra si dhe rrugë për çiklizëm, e koristë e dedikuara për biçikletat janë një tjetër element i rëndësishëm. Sa i takon transportit, do të ketë një stacion treni. Do të jetë një shesh urban që do të konsiderohet nga pallati i Operës dhe Baletit deri te pazari. Do të ketë një monument të ri në qendër të bulevardit, do të jetë një formë e re demokratike. Ne zgjerimin e bulevardit do të ketë një element të ri dhe do të ketë një lidhje me monumentet simbolike, si p.sh. Skënderbeu.”

Projekti i studios , “Grimshaw”

Projekti i kësaj studioje synon që garantojë nivele të ndryshme jetese për shoqëri të ndryshme. Eksperti që shpjegon projektin detajon: “I rëndësishëm për ne është bulevardi dhe Tirana si një qytet me elemente kulturore, duke u fokusuar në cilësitë e bulevardit të Tiranës dhe në mënyrën e konceptimit të tij. Elementi kryesor është se si është Tirana sot, duke synuar në rritjen e mirëqenies së rrugëve, duke e kthyer në një qytet të ri, me më shumë gjelbërim. Elementi dytësor janë institucionet publike, ndërtesat kryesore që është edhe vendi ku fokusohen qytetarët. Tjetra është shtrirja deri në Paskuqan, një zonë bujqësore e kulturore, duke i dhënë asaj gjelbërim, ndërtesa të vogla dhe shndërrimin e saj në një qytet. Lumit të Tiranës do t’i kushtojmë rëndësi në çdo element, florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lumë të pastër. Do krijojmë mundësitë që Tirana të jetë një vend tërheqës për turistët dhe banorët e saj. Do të shikojmë se si kjo do të japë rezultatet e tij dhe se si do të ndikojë në krijimin e mundësive tregtare. Një pikë e rëndësishme është ajo që ne duhet të bëjmë një lidhje mes asaj që është e re dhe asaj që është e vjetër, duke u fokusuar fillimisht në problematikat e tyre. Elementi i dytë është Pallati i Drejtësisë. Do fokusohemi te hapësirat që do të zërë, si një pjesë e rëndësishme e projektit.”

Projekti i studios , “GMP”

“Ideja kryesore e qendrës së qytetit është ideja unike për të lidhur dy parqet: parku i Liqenit në jug dhe parku i veriut, me liqenin e Paskuqanit, pranë tij do ndërtohet dhe një muze shkencash. Ideja tjetër është krijimi i “gishtërinjve urbanë”, të cilët të çojnë përpara strukturën e qytetit, nga jugu në veri, duke i dhënë rëndësi hapësirës së gjelbër. Vendosëm që unazën ta pozicionojmë jo shumë në veri, por në jug të lumit, sepse duam të ulim trafikun. Nuk duam të kalojmë urën dy herë. Një gjë tjetër me rëndësi është që këto katër qoshet e qytetit të kenë funksione të ndryshme urbane e secila të ketë identitetin e vet. Të rëndësishme janë parqet e vogla, “xhepat”, që janë më privatë për t’u relaksuar. Ndërtesat janë jo shumë të larta 4-8 kate, vetëm në pika të rëndësishme mund të kemi ndërtesa të larta. Po ashtu do të krijohet një universitet i qytetit, duke përfshirë dhe atë ekzistues. Kemi ndarë ndërtesat publike nga ato të besimit fetar. Në fazën e parë mendojmë që bulevardi të lidhë Tiranën ekzistuese me parkun ekologjik në veri. Fundi i këtij aksi do të jetë sheshi i kulturës, pra teatri, muzeu, pikërisht te lumi. Kemi aksin e bulevardit, pastaj kemi unazën e dytë, që lidh qytetin dhe më pas unazën e tretë, që lidh gjithë lagjet. Ka një sistem treni të lehtë, që lidh stacionin hekurudhor ekzistues me qendrën e Tiranës. Pastaj kemi organizuar sistemin e trafikut për të gjithë lagjet, të gjitha lidhen së bashku. Bulevardi nuk do të jetë shumë i gjerë. Përgjatë bulevardit do të ketë hapësira argëtimi, çlodhëse për të gjitha moshat.”

Projekti i studios “Cino Zuçi”

Projekti i projektuar nga kjo studio synon ruajtjen e elementeve simbolike e kulturore të Tiranës dhe rinegrimin e tyre me peizazhe të reja që do të krijohen. “Në pjesën përgjatë lumit mund të gjenerohet një front i ri urban, që do të lidhë marrëdhënien e vetë qytetit me pjesën urbane dhe pjesët kryesore. Ideja në këtë pikë është të kemi parkun qendror si skajin kryesues, drejtues, por edhe të kemi mundësi që të përdorim këtë si një katalizator, që do të rijetesojë zonën industriale pa shkatërruar çka është aty. Dy brigjet e lumit trajtohen në mënyrë të ndryshme: pjesa jugore është më e ndërtuar, po kur shkojmë drejt kodrave, kemi një panoramë të shpërndarë. Sa më shumë shkojmë në veri, aq më shumë duhet të pranojmë marrëdhënien me peizazhin natyror. Parku që shkon përmbi lumin, deri te Liqeni Artificial, sipas idesë sonë mund të përfshijë parqe tematike në pjesën veriore apo parqe argëtues çlodhëse. Bulevardi konceptohet me dy anë, në pjesën e djathtë të qytetit kemi një bulevard të drejtë, një shëtitore të drejtë me dyqane, me elemente që janë përballë rrugës, por nga ana e majtë mund të kemi një shteg më të valëzuar me funksione të ndryshme dhe ideja është që këto dy anë të mbahen të lidhura me njëra-tjetrën dhe të japin cilësi mjedisore të hapësirës pa cenuar këtë strukturë ekzistuese të bulevardit. Sa i përket unazës, kjo trajtohet në një këndvështrim infrastrukturor, ndërkohë që unë them se unaza është më tepër një vend urban, për nga mënyra se si ndikon. Ideja është që ta përdorim këtë unazë, të ketë lidhje me rrugë të vogla dhe jo drejtpërdrejt me autostradën, pra mendojmë që kjo unazë të jetë urbane. Ne propozojmë dy linja tramvaji: njëra që shkon veri-jug përreth parkut dhe tjetra lindje-perëndim, e cila është saktësisht në mes të pjesës ekzistuese. Kemi një linjë autobusësh, ideja është të kemi dy linja perpendikulare, në kënd të drejtë të autobusëve në këtë zonë. Çdo bllok mund të ketë një ndërtesë të vogël, qoftë edhe nën tokë për të shërbyer për nevojat lokale të parkimit në të ardhmen në Tiranë. Pjesa kryesore e bulevardit është një pjacë me një shatërvan në mes. Këtu do të ketë linja tramvaji, ku di të jetë edhe Bashkia e re, duke krijuar një hapësirë publike, ku shumë veprimtari mund të zënë vend. Bulevardi ka pamje nga lumi. Ne do rikthejmë liqenin në përmasat e tij origjinale dhe liqeni do të jetë një aspekt i rëndësishëm i jetës në qytet. Shpresojmë që Tirana të ketë një sens urban.

Projekti i studios , “KCAP”

“Presim që ky projekt t’u përcjellë rreth 8000 vende të reja banimi, 8000-9000 vende pune, Gjithashtu kjo gjë të ketë lidhje me edukimin shëndetësor, projektet do të kontribuojnë për edukimin, shëndetësinë, për nevojat e punësimit në qytetin e Tiranës. Ajo që ne mendojmë është një qytet i hapur, me një park të gjelbër, si qendër e një arkipelag me distrikte të ndryshme të zhvilluara brenda këtij kuadri, pikënisja e të cilit është një bulevard i zgjeruar dhe rigjallërim i lumit. Bulevardi do të lidhet me parkun. Ne punojmë me një profil asimetrik, parku është në të majtë, bulevardi është në të djathtë. Ne kemi planifikuar një linjë tramvaji, ka dy linja trafiku dhe ky është profili kryesor me të cilin ne duam të punojmë. Planifikohet ngritja një qendre tregtare shqiptare, që është një qendër administrative e re, gjithashtu të kemi një universitet, një stadium kombëtar. Kjo zonë kthehet në një zonë të zhvilluar tregtare, në mënyrë që të bëhet një destinacion mjaft i pëlqyeshëm për njerëzit që do shkojnë aty, jo vetëm për ata që punojnë aty, por për të gjithë qytetin. Fillon aty ku bulevardi mbaron në këtë moment, ne krijojmë një si tip ballkoni, përdorim një nivel të lartë që të kombinojmë, makinat me tramvaj që të ngjiten sipër dhe për këmbësorët, ne duam që ata të qëndrojnë sipër, në mënyrë që të kenë një pamje të qartë ndaj veriut. Aty ku bulevardi dhe lumi ndërlidhen, ne duam të krijojmë një qendër bosh, një park garazhi që lidhet me unazat e reja dhe çatia e tij duhet të jetë një si tip sheshi, që i lidh zonat e ndryshme që ndodhen aty. Projekti parashikon ngritjen e kampusit universitar, stadiumit kombëtar, qendrave tregtare.

Projekti i studios , “AS & P”

“Ideja është që qytetin ta vendosim mes dy poleve të gjelbra: një në jug dhe në veri me peizazh të ri dhe të përdorim bulevardin si urën lidhëse, shtyllën kurrizore të këtyre dy poleve. Parku i madh i Tiranës në jug do të konsiderohet si një kopsht britanik, pastaj vjen sheshi “Nënë Tereza”, pastaj bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, gjithashtu një tipar klasik, më pas kemi sheshin “Skënderbej”, bulevardin klasik “Zogu i Parë”. Ne e konsiderojmë këtë si një kampus të gjelbër. Është si një kampus i gjelbër, me disa xhepa të gjelbër dhe ndërtesa aty-këtu, pastaj kemi unazën. Mendoj se po të vazhdojmë me këtë model, bulevardi, ndërtesat me rëndësi kombëtare duhet të vendosen në të. Pallati i Drejtësisë mund të ishte një tipar i këtij bulevardi të ri. Në anën e djathtë kemi bulevardin e djathtë, që shkon drejt veriut. Kemi parkun e ri të qytetit, që mendojmë se do t’i japë një cilësi të re qytetit. Në anën lindore kemi vendosur të sugjerojmë përdorim rezidencial, në veri kemi programin e objekteve kulturore, që përshkruhet në termat e referencës për të krijuar një zonë kulturore. Në veri do të ketë edhe një qendër kongresesh me drejtim nga jugu. Jo të gjitha ndërtesat duhen shembur menjëherë, ka mundësi që këto ndërtesa të mbulohen me një fasadë të gjelbër. Kemi një kthesë të madhe të bulevardit, që takon te Liqeni dhe pyllin në anën e veriut. Kemi hapësirën e lumit, që e kemi quajtur “hapësira urbane e lumit”. Kemi vendosur të ndërtojmë dy anë, dy krahë, njëri shtrati natyror i lumit, pastaj shikoni që aty ka korridore të gjelbra dhe shtrati i modeluar i lumit. Kjo është zona ku mendojmë se duhen ndërtuar apartamente në të ardhmen. Sheshin “Skënderbej” e konceptojmë si thelb, në Gjermani e quajmë “kurora e qytetit”. Në të ardhmen do të ketë një ndërtesë të lartë, dhe kjo zonë do të jetë qendra më e rëndësishme nga ku do të hapen rrezet në të gjithë qytetin e Tiranës. Koncepti i peizazhit është që të dy lumenjtë të përfshihen në hapësirën e qytetit, të nxitin më tej zhvillimin e tyre dhe të krijojnë këto korridore të gjelbra, të cilat jo vetëm lidhin zonat e gjelbra me bulevardin, por krijojnë edhe korridore për përbërjen urbane të Tiranës. Kemi vendosur ta mbyllim unazën në veri, në jug të lumit, mënyrë që të krijojmë cilësinë për vendbanime të reja përgjatë lumit dhe të mos shqetësojmë këtë zonë me shumë trafik. Nuk mund të ketë urbanizim pa transport publik.”

Prezantimi projektit për bulevardin e Tiranës

Rama ironizon deklaratat e Berishës

Kreu socialist, Edi Rama, ka shigjetuar ashpër Kryeministrin Sali Berisha lidhur me deklaratën e tij gjatë prezantimi i projekteve për zgjatimin e bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës. Duke reaguar përmes rrjetit social “Twitter” Rama shkruan: “Verbëria antiurbane e Kryeministrit krijoi Shqipërinë e batërdisur nga ndërtimet pa leje. Zgjedhja sipas tij është e qartë, një rilindje e shqiptare ose rrënim i mëtejshëm.” Gjithashtu në mesazhin e tij kryetari i PS-së ironizoi deklaratat e Kryeministrit. “Aq sa ka shans që një ministër të fitojë në “Voice of Albania”, po aq shanse ka që ta dëgjosh Kryeministrin të thotë ndonjë gjë me kuptim për urbanistikën”, - shkruante Rama në “Twitter”. Por përveç deklaratave politike Rama po në këtë rrjet social uroi gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 Marsit, urim ky i përcjellë me një imazh të shkëputur nga koreografia e Angjelin Preljocajt (koreograf dhe balerin francez me origjinë shqiptare). “Në këtë 8 mars është dita për të reflektuar se sa shumë duhet bërë ende që gratë dhe vajzat në Shqipëri të kenë liri e të drejta të barabarta me ato që gëzojnë simotrat e tyre në botën e lirë. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos diskriminohen e mbeten pas, të mos vuajnë dhunën në familje e papunësinë, që ndër gratë është edhe më e përhapur se ndër burrat”, uron Rama në mesazhin e tij për 8 Marsin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›