E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Serbia takim dyditor për zbatimin e marrëveshjes

PRISHTINË- Delegacionet nga Kosova dhe Serbia gjatë dy ditëve në Bruksel diskutuan për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, të parafruar në raundin e dhjetë të dialogut të kryeministrave të dy vendeve.

“Takimi ka përfunduar pas dy ditëve të bisedimeve. Drafti i përgjithshëm i ofruar për zbatim nga ne është pranuar. Por, pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për ta debatuar planin”, ka thënë për Express udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, zv/kryeministri Hajredin Kuçi.

Ndërkohë, seanca e veçantë e Kuvendit Popullor të Serbisë, e shqyrtimit të raportit të qeverisë për bisedimet Beograd-Prishtinë, përfshirë marrëveshjen, e nisur sot para mesditës po vazhdon me debate, por edhe replika. Në debat ka marrë pjesë edhe deputeti i vetëm shqiptar, Riza Halimi, i cili ka shprehur mbështetjen për marrëveshjen “si mënyrë e vetme që përfundimisht të normalizohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”.

Duke përkujtuar që dy qeveritë mbështetur nga BE, përpos çështjeve teknike në fund kanë diskutuar edhe çështje politike, të cilat kanë të bëjnë me pozitën e serbëve kosovarë, para së gjithash të veriut të Kosovës, deputeti Halimi shprehu shpresën se do të krijohen kushte për normalizimin e situatës edhe në Luginë të Preshevës, në jug të Serbisë, të banuar me shumicë shqiptare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›