E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ska aktor si ministri Flamur Noka, që të gajasë popullin shqiptar

rama-2duartTiranë- Lideri i opozitës Edi Rama duke ju referuar fotografive të paraqitura një ditë më parë ku sipas deputetit Saimir Tahiri shihej Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe zv/ministri Arben Ristani i shoqëruar me shoferin e të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka theksuar angazhimin e partisë së tij që pas 23 qershorit, “brenda 300 ditëve të para të qeverisjes sonë do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin, do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do tu japim shqiptarëve në shërbimin e tyre një Polici të Shtetit si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për tju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë. Do të shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin”.

“Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes kupolës së Ministrisë së Brendshme dhe botës së krimit. Është një lidhje ku kalojnë rrugët e korrupsionit, rrugët e kontrabandës, rrugët e favoreve reciproke që shkëmbejnë mes njëra tjetrës kupola e Ministrisë së Brendshme dhe bota e krimit.

Ne do ti mbyllim këto rrugë. Ne do ti japim Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh, por tanimë të nëpërkëmbur në mënyrën më të papërballueshme nga qenia në krye të vetë e një personazhi që gabimisht gjendet në zyrën e Ministrit të Brendshëm sepse duhet të ishte në skenën Portokallisë. Besoj që megjithë nivelin e lartë që ka arritur Portokallia nuk gjendet në Shqipëri një aktor që të mund të jetë në lartësinë e Ministrit të Brendshëm për të bërë të gajaset populli shqiptar”,- theksoi Rama.

Sipas Ramës, për të gjithë ata që janë skeptik për këtë premtim, “Sigurisht, që ne nuk besojmë se lufta me krimin është një luftë që mund të zhvillohet dhe mund të përfundojë brenda 300 ditësh. Ne besojmë se brenda 300 ditësh mund ta zmbrapsim krimin, të rimarrim në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave në këtë fushë beteje ku krimi sot ka një epërsi të papërballueshme”,- tha ai.

“Vetëm në 48 orët e fundit, madje pa u mbushur ende 48 orë, kanë humbur jetën 5 persona. Ky është një numër që tanimë është bërë i zakonshëm dhe nuk skandalizon askënd. Njerëzit janë mësuar që çdo ditë të shohin përmes ekraneve apo të lexojnë përmes faqeve të gazetave se shqiptarë të pafajshëm, gra të pafajshme, të reja e të rinj të pafajshëm, prindër të pafajshëm humbasin jetën. Humbasin jetën në një mjedis tërësisht të pasigurt. Nuk ka më kohë për të reaguar me forcë dhe për të zhvilluar një luftë nga e cila duhen përfituar menjëherë dy gjëra: paprekshmëria e individit dhe pacenueshmëria e pronës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›