E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova do të aplikojë për anëtarësim pasi të jetë pranuar nga OKB

Krerët shtetërorë, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, falënderuan Organizatën e Konferencës Islamike për miratimin njëzëri të Rezolutës për Kosovën. Në një konferencë të përbashkët për media, presidenti dhe kryeministri i vendit, këtë dokument e vlerësuan të rëndësishëm, duke shtuar se i referohet Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tyre miratimi i rezolutës do të thotë pranim i shtetit demokratik, të pavarur dhe sovran të Kosovës, ndërkohë që paralajmëruan njohje të reja gjatë ditëve të ardhshme. Presidenti Sejdiu, pret që pas miratimit të kësaj rezolute, të ketë njohje të reja nga vendet e Konferencës Islamike. Disa prej vendeve që ne kemi takuar edhe më herët me kryeministrin në Washington, konstatimi i këtyre vendeve është çështje ditësh dhe mbetet në iniciativën e tyre të drejtpërdrejtë të marrin vendimin. Smund të themi se në këtë minutë, apo në këtë datë do ta njohë ky vend apo ai vend, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ka thënë presidenti Sejdiu. Sipas tij, kjo rezolutë është shprehje e një qëndrimi dhe politikave të përbashkëta të vendeve anëtare dhe në këtë drejtim mendon se pikërisht marrja e qëndrimit me unanimitet do të përcillet dhe përfillet me politikat e tyre. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Thaçi, duke vlerësuar se institucionet e vendit po punojnë në drejtim të rritjes së numrit të njohjeve, ka thënë se secili është i obliguar për të ndihmuar dhe ka përgjegjësi për të ndihmuar për vendin e vet. Kjo Rezolutë ka referenca të qarta në Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në Kushtetutën moderne të shtetit. Ata thanë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Organizatën e Konferencës Islamike, menjëherë pasi të jetë pranuar në OKB. Sejdiu e Thaçi, nuk përjashtuan mundësinë që kryetari i AKR-së Behxhet Paciolli, i cili ka paralajmëruar njohjen e Kosovës nga El-Salvadori me 2 qershor, të përfshihet në proces të lobimit. Ndërkohë zyrtarë të Serbisë thonë se kjo rezolutë nuk përmban thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës, e as për mbështetje të pavarësisë. Drejtori politik i Ministrisë së jashtme të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, tha se rezoluta përmban ndryshime në amendamente, në të cilat ka insistuar Serbia, nëpërmjet vendeve mike në kuadër të kësaj organizate dhe në këtë mënyrë, sipas tij, është penguar vala e re e njohjes së Kosovës. Deri tani, Kosovën e kanë njohur 13 nga 57 vende anëtare të Konferencës Islamike, por që numri i tyre pritet të rritet. Parakusht që Kosova të jetë vend anëtar i kësaj organizate, është anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara. Rezoluta u miratua të hënën njëzëri në samitin e Damaskut nga 57 vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, prej të cilave 13 deri tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo përshëndet përparimet e bëra në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe u bën thirrje vendeve anëtare të Konferencës Islamike dhe bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojnë forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta kaloi pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndalur atë dhe mospajtimeve të shfaqura fillimisht nga disa shtete anëtare të Organizatës. Ajo u hartua nga Shqipëria, ndërsa u hodh në votim me propozimin e Arabisë Saudite për shkak të, siç thuhet, ndikimit të fuqishëm të këtij shteti në botën islame. As Kosova, as Serbia nuk ishin lejuar të marrin pjesë në samitin e Konferencës Islamike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›