E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova do të përfitojë 107 milionë euro nga FMN

PRISHTINE - Kosova është në rrugë të mirë për të përfituar fonde për buxhetin e Kosovës nga mekanizmat financiarë ndërkombëtar, si FMN-ja dhe Banka Botërore.
Misioni i FMN-së, i cili ka qëndruar në Kosovë për dy javë, ka vlerësuar pozitivisht programin e monitoruar nga stafi, dhe janë harmonizuar qëndrimet për marrëveshjen e re “Stand By arrangement”, tha ministri kosovar i Financave Bedri Hamza.

“Respektimi i kësaj marrëveshje nënkupton që Kosova do të mund t`i përfitojë edhe rreth 107 milion euro nga FMN-ja. Janë veprimet paraprake si kusht i kësaj marrëveshje që janë dy ligje, Ligji për BQK-në që është në Kuvend dhe ligji për fondin pensional, do të thotë Trustin e kursimeve dhe normalisht disa masa strukturore që do të merren brenda buxhetit, pasi që edhe procesi i privatizimit është në vijim dhe ne nuk mund ta paragjykojmë përfundimin e këtij procesi”, tha Hamza.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së për Kosovën, Johanes Vigand, tha se misioni gjatë qëndrimit në Kosovë ka bërë vlerësimin e rregullt të pasqyrës ekonomike të vendit, rishikimin përfundimtar të programit të monitoruar nga stafi, dhe ka filluar bisedimet për një program të mundshëm “Stand By”.
Ai theksoi se rritja ekonomike në Kosovë sivjet do të jetë 3.8 për qind.
“Shumë vende të Evropës po kalojnë nëpër krizë të rëndë financiare dhe kjo e ka detyruar FMN-në të bëjë rishikimin për rritjen ekonomike në të gjitha vendet e Evropës. Ne kemi parashikuar një rritje për Kosovën për 3.8 për qind, dhe kjo është me e lartë se në vendet tjera të Evropës, pasi Kosova është më pak e ekspozuar ndaj krizës së Euros, dhe rrezikun kryesor e shohim nga rënia e investimeve të huaja dhe remitencave nga diaspora kosovare që jetojnë në Evropën Qendrore”, tha Vigand.

(er.nu/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›