E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova drejt mbylljes së krizës, PDK pranon kandidaturën e Justina Shiroka Pula

Kosova drejt mbylljes së krizës, PDK pranon kandidaturën e Justina Shiroka Pula

PDK pranon Justina Shiroka-Pulën për presidente, Hamza propozon Eliza Hoxhën si kundërkandidate

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pranuar kandidaturën e Justina Shiroka-Pulës për presidente të Kosovës, të propozuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se partia e tij do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, ndërsa paralajmëroi se PDK-ja do të propozojë deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate për postin e presidentes.

Hamza tha se kjo marrëveshje duhej të ishte arritur disa ditë më herët dhe kërkoi më shumë seriozitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe situatën institucionale në vend.

“Është dashur të ndodhë kjo para disa ditësh dhe është dashtë të kishte seriozitet për këtë çështje dhe për vendin”, tha Hamza.

Ai deklaroi gjithashtu se deputetët e PDK-së do të shkojnë në sallën e Kuvendit për të trajtuar edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Sponsorizuar

“Për PDK do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim ta votojmë ligjin dhe ta përfundojmë këtë”, u shpreh Hamza.

Kandidatura e Justina Shiroka-Pulës u propozua nga Albin Kurti në një ofertë të re për PDK-në, pas dështimit për të siguruar marrëveshje për kandidaturat e mëparshme. Kurti kishte kërkuar që 22 deputetët e PDK-së të zotoheshin për pjesëmarrjen në votimin për presidenten, ndërsa Vetëvendosje do të mbështeste paraprakisht ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Shiroka-Pula aktualisht është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ajo ka qenë më herët ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës dhe deputete e Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Pas propozimit të Kurtit, Shiroka-Pula nuk kishte konfirmuar ende nëse do ta pranonte kandidaturën. Ajo tha se nuk kishte zhvilluar ende bisedat e nevojshme para se të merrte një vendim.

“Më duhet të diskutoj edhe pak para se të vendos”, deklaroi Shiroka-Pula.m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›