E Diel, 1 Nëntor 2026

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës, 81 deputetë votuan pro

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës, 81 deputetë votuan pro

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Republikës së Kosovës, duke i dhënë fund ngërçit politik për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në votimin e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Kuvendin e Kosovës morën pjesë 84 deputetë. Shiroka-Pula mori 81 vota pro, ndërsa dy vota u shpallën të pavlefshme. Një votë shkoi për kandidaten tjetër, deputeten e PDK-së, Eliza Hoxha.

Kandidatura e Shiroka-Pulës u propozua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës institucionale në vend.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte deklaruar më herët se Shiroka-Pula ishte një kandidaturë e pranueshme për partinë e tij. PDK-ja kishte propozuar gjithashtu Eliza Hoxhën si kundërkandidate, në mënyrë që të plotësoheshin procedurat kushtetuese për zhvillimin e votimit.

Sponsorizuar

Zgjedhja e presidentes duhej të përfundonte brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në vendimin e saj të 23 shtatorit, Gjykata përcaktoi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit kishte nisur më 8 gusht dhe përfundonte më 6 tetor 2026.

Justina Shiroka-Pula është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ajo ka qenë më herët ministre e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e PDK si dhe deputete e Kuvendit të Kosovës si pjesë e PDK. Në vitin 2025 ajo u zgjodh në krye të ASHAK-ut, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion.

Zgjedhja e saj në postin e presidentes vjen pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike dhe negociatash mes partive parlamentare për sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›