E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova duhet të ketë ministër të Punëve të Jashtme, Veton Surrojin

Nga Orhan ZARSHATI
Mosnjohja e Republikës së Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja greke, shtete anëtare të Bashkimit Europian, u kritikua nga Ahtisaari, i cili me të drejtë vuri në dukje se qëndrimi i mbajtur nga këto shtete ka patur pasoja për Kosovën, sidomos për njohjen e saj nga shtetet e tjera të botës dhe pranimin në forumet ndërkombëtare. Kosova duhet njohur nga mbi 100 shtete anëtare të OKB-së, për tu anëtarësuar edhe ajo në organizatën më të madhe ndërkombëtare të botës.
Neve e kemi vënë në dukje në shkrimet tona të mëparshme mefshtësinë e pafalshme të diplomacisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të arritur njohjen ndërkombëtare optimale të saj. Sidomos e pafalshme është përpjekja e pamjaftueshme e diplomacisë shqiptare, e shtetit amë, por edhe e Kosovës për njohjen e saj nga vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike(OKI). Sali Berisha shkoi në Arabinë Saudite dhe siguroi njohjen e Kosovës nga ai shtet tepër i rëndësishëm i Botës Islame dhe i Botës Arabe;që patjetër do të ketë ndikimin e vet edhe tek vendet e tjera arabe dhe islame.
Në fakt në shumicën e  shteteve islame, qofshin shtete arabe ose jo, duhet të shkonin të gjithë titullarët e të dy shteteve shqiptare, Sali Berisha, Bamir Topi, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu.Shembulli i Sali Berishës është shumë sinjifikativ; por ishte e pavlerë vizita e Zonjës Topalli në vendet arabe. Vendi arab, që mbahet si primat i Botës Arabe, Egjipti, jo vetëm që nuk e ka njohur Kosovën, por edhe lobon tek vendet arabe dhe islame kundër njohjes së saj. Kjo vjen për shkak të një nostalgjie që politikanët egjiptianë ushqejnë për Jugosllavinë e Titos dhe për të tjera arsye. Botës Islame i duhet bërë e ditur në radhë të parë se Jugosllavia, si ish kryesuese e shteteve të paangazhuara, nuk ka qenë në asnjë mënyrë shprehje e koncentruar e Serbisë; asaj bote i duhet shpjeguar me durim diplomatik dhe ekspeditiv se Serbia ka qenë një shtet i egër shovinist, që e siguroi me hilera krijimin e Jugosllavisë së parë, si shtet gjasme i Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (dhe i popujve të tjerë jo sllavë) dhe që në fakt e shihte atë si rastin më oportun të krijimit të Serbisë së Madhe. Serbia e arriti atë përderisa edhe Mbretëria Jugosllave e para Luftës së Dytë Botërore (LDB) sundohej nga serbët dhe nga dinastia serbe e Karagjeorgjeviçëve (aq është i vërtetë ky fakt, sa që ushtria e Jugosllavisë së parë kishte 150 gjeneralë serbë dhe vetëm një kroat!).Serbia e rrënoi pjellën e saj, Jugosllavinë e pas LDB me anë të regjimit gjakatar gjenocidal të kriminelit Sllobodan Millosheviç, duke shkaktuar luftëra të përgjakshme në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.Të gjitha këto fakte historike duhej ti sqaroheshin me durim vendeve arabe dhe islame në përgjithësi dhe jo të mjaftohej me vizita sporadike tek këto vende, siç ishte vizita e Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në çadrën e ngrehur në shkretëtirën e Libisë, të serbofilit të thekur Muamer Kadafi!
Shqiptarët kanë dhënë shumë për ngritjen e shtetit të Egjiptit, Libisë, Sirisë etj., ata kanë mbështetur përpjekjen e drejtë të popullit palestinez; prandaj nuk duheshin shpërblyer me mosmirënjohje nga arabët, duke mos e përfillur shtetin e Kosovës. Do të zgjateshim shumë po të tregonim përse disa vende arabe dhe muslimane nuk e kanë njohur Kosovën për shkak të bindjeve e fiksimeve të padrejta të tyre. Mbas LDB, Shqipëria i ka mbështetur vendet arabe, ajo bën pjesë në OKI me gjithë kundërshtimin e vendosur dhe të paargumentuar të eksponentëve vendas dhe të huaj, armiq të Islamit dhe të Botës Islame. Ata e  paragjykuan shumë keq anëtarësimin e Shqipërisë në OKI dhe vazhdojnë edhe sot me bindjen e tyre retrograde(mbasi e vlerësojnë fetarisht politikën). Por ata u tronditën tani së fundi nga qasja pozitive me Islamin e Presidentit amerikan, Barak Obama.
Serbia me Vuk Jeremiçin ka bërë lëvizje të shumta në vendet arabe dhe islame për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës e ndihmuar fuqimisht nga Rusia. Serbia ka lëvizur edhe në vendet e Organizatës së Shteteve Amerikane(OSHA) dhe ato afrikane, ku diplomacia shqiptare nuk e ka lëvizur as gishtin megjithëse për njohjen e Kosovës ka patur ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA, çka e konfirmoi dhe vizita e fundit në Kosovë e nënpresidentit amerikan Bajden, i cili sfidoi pretendimet serbe dhe të Tadiçit gjatë vizitës në Beograd, para se të shkonte në Kosovë. Prandaj themi se diplomacia shqiptare me gjithë mbështetjen që ka për Kosovën nga shtetet më të mëdha demokratike të botës, nuk ka arritur të bindë vendet anëtare të OKI për njohjen e Kosovës, por u mjaftua me vetëkënaqjen e gabuar se këto vende do ta njihnin en bloc Kosovën!
Tani le të vijmë tek personi që duhet të jetë Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Mund të themi se z.Skënder Hyseni është zgjedhje jo fort e goditur për të përfaqsuar Kosovën në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare,sidomos tani kur është shumë e nevojshme njohja e saj.
Z. Skënder Hyseni, aspak tërheqës, nuk është fare empozant dhe bindës kur mezi i del koka mbi foltoret e tubimeve të ndryshme ndërkombëtare. Kjo natyrisht jo për faj të tij. Vendosja e tij në atë post është vlerësim i politikanëve kosovarë dhe nuk do të ishte etike ta shikonim si fajtor.
Z. Skënder Hyseni, si nga pikëpamja antropometrike, ashtu dhe duke mos qenë prezentabël (Lulzim Basha është mjaft prezentabël dhe tërheqës, aq sa Dora Bakojanis e puth me qejf nga të dyja faqet!) nuk duket si një figurë e zgjedhur me kujdes, por një figurë e vendosur nga kombinacionet dhe konjukturat politike kosovare për atë post. Madje edhe sikur ta njohë në mënyrë të përsosur anglishten, përsëri të krijon një farë disgustimi kur e sheh të ngjitet nëpër podiume. Gjithashtu, ai nuk ka qenë një figurë e njohur politike në Kosovë  dhe nuk është shquar më parë si diplomat; siç është z.Veton Suroi, i cili ka marrë pjesë në shumë tubime ndërkombëtare (si në Rambuje). Për të gjitha këto, siç thamë dhe më lart, nuk do të ishte aspak etike po ta fajësonim z.Skënder Hyseni, duke kërkuar tek ai vetëm mangësi.
Në përgjithësi, z. Skënder Hyseni, për mendimin tonë nuk është zgjedhje adekuate për Kosovën; vendin e njerëzve përgjithësisht të gjatë,burrërorë dhe të paraqitshëm... Nëna e ime ka qenë nga Kosova, unë jam nip në Gjakovë dhe si i tillë mund të them pa ndrojtje, qoftë dhe nga kontaktet që kam patur gjatë gjithë jetës me kosovarë, se e njoh konstitucionin fizik dhe atë antropodemografik të Kosovës së burrave të gjatë dhe të hijshëm; kujtoni drenicarët (si Isa Buletini), mitrovicasit etj.
Z. Veton Suroi me figurën e tij të hijshme, me kulturën dhe trashëgiminë e tij (është bir diplomati) intelektuale, me integritetin e tij, është një figurë e kompletuar dhe e përshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Last Updated on Thursday, 18 June 2009 14:15

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›