E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, falja dhe lirimi me kusht për të burgosurit kanë mbetur funksione juridike të pazbatueshme

Nga Av. Idajet BEQIRI
Legjislacioni penal i vendit tonë është përshtatur mirë me legjislacionin e vendeve perëndimore, dhe nga kjo pikëpamje mund të themi se kemi përgjithësisht një legjislacion bashkëkohor. Ndoshta nga gjendja e kriminalitetit në vend, e mbi të gjitha, prej heqjes së dënimit me vdekje, kërkesë kjo e domosdoshme për të qenë anëtare i BE, disa dispozita ligjore ne Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, ndryshe nga vendet nga janë kopjuar këto kode, janë rënduar së tepërmi me formulime që dëmtojnë interesat e ligjshme të shtetasve në përgjithësi, dhe të të burgosurve në veçanti.
Qëllimi i dënimit në fund të fundit është rehabilitimi i të dënuarit, përshtatja e sjelljeve të tij me jetën e shoqërisë, me sjelljet normale e ligjore të gjithë komunitetit ku jetojmë e veprojmë. Njeriu edhe gabon në jetë, për shkaqe të shumta dikush edhe mund të bëhet kriminel, madje kriminel i rrezikshëm. Këto raste duhen ndëshkuar me gjithë ashpërsinë e ligjit. Por askush nuk e ka të drejtën të frenoj, ose të mos përfill pendimin apo rehabilitimin e gjithkujt.
Burgjet e Shqipërisë janë të tejmbushura me të burgosur. Në raport me popullsinë, jemi ndoshta vendi i parë në botë me kaq shumë të burgosur. Gjithkush në këtë vend mendon dhe vepron se si  të mbushi burgjet. Askush nuk mendon dhe vepron për ti zbrazur ato nga të penduarit dhe të rehabilituarit.
Në kohën e diktaturës komuniste të kërkoje lirimin me kusht nga vuajtja e dënimit, mjaftonin  vetëm këto kushte: të kishe kryer gjysmën e dënimit; të mbaje qëndrim të thellë pendues për veprën penale që kishe kryer; të tregoje me sjellje dhe veprime konkrete që ishe rehabilituar dhe të mos ishe i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Ndërsa ligjit penal  të sotëm i janë bërë modifikime të rënduese, sa është bërë thuajse e pamundur zbatimi i dispozitave ligjore të lirimit më kusht nga vuajtja e dënimit. E para, i dënuari duhet të ketë kryer 2/3 e dënimit kur është dënuar deri në 5 vjet burg, dhe ¾ e dënimit kur është dënuar mbi 5 vjet burg. E dyta, kërkohet një arsye tepër e veçantë që të bëhet një lirim me kusht. Kjo arsye e veçantë thuajse nuk gjendet, sepse e tillë mund të ishte pragvdekja e të dënuarit! Dhe në se i dënuari del sot nga burgu, dhe vdes nesër, ky institucion ligjor i lirimit me kusht merë një karakter antihuman dhe antinjerëzor. Dispozita përkatëse e Kodit Penal dhe vendimet gjyqësore që jepen, kanë vënë censurë duke e bërë të pazbatueshme nenin 64 te Kodit Penal, pasi përsëritësa konsiderohen edhe ata që janë rehabilituar, edhe ata që në vitin 1946 nuk i kanë paguar shtetit komunist tatimet ! Madje përsëritës konsiderohen edhe ata që kanë kryer dy vepra penale, dhe kur u është bërë bashkimi i dënimit në një të vetëm, pavarësisht se shkojnë në burg për herë të parë,u quhet përsëritje dhe sikur kanë qenë dy herë në burg!
Në fundin e vitit 2008 u bënë disa rregullime në Kodin Penal. Qëllimi i marrjes së nismës për ndryshime në legjislacionin penal ishte i mire. Pork u shkuam me këto ndryshime? Askund. Mbetëm ku ishim. Madje për më keq, shtuam një institucion tjetër  që do pjesën e vet të korrupsionit në drejtësi.
Nuk dua ti paragjykojë këto ndryshime, të cilat sapo kanë filluar të zbatohen, por Komiteti i Vënies në Provë të të dënuarve është një hallkë e tepërt, penguese në zbatimin e institucionit të lirimit me kusht dhe të vënies në provë të të dënuarve. Në radhë të parë bëhet fjalë për vënien në provë të atyre të dënuarve që u kanë mbetur pa bujtur më pak se dy vjet burg. Kudo në botën e qytetëruar, në Gjermani bije fjala, lirimi me kusht i të dënuarve që kishin vuajtur ¾ e dënimit, ishte vetëm në vlerësimin e drejtorit të burgut. Ai më mirë se ky Komiteti ynë i provës, e dinte se njëri, apo tjetri i burgosur ishte rehabilituar apo jo, dhe duhej liruar me kusht apo jo.
Në emër të humanitetit, të demokratizimit të legjislacionit penal etj, me ndryshimet që po u bëjmë herë mbas here dispozitave të Kodit penal, po e shtrëngojmë aq shumë frerin, sa ka gjasa që ti thyejmë keqas dhëmbët kuajve! Dhe kjo do të ishte me pasoja për shoqërinë, por edhe për vet shtetin ligjor. Në vend të një gjykate që vlerësonte kushtet e lirimit me kusht, tani do kemi dy gjykata, sepse u shtua Komiteti i Provës! Dhe sa më shumë hallka të tilla krijohen, merë xhepi i familjarëve të të burgosurve!
Amnistia dhe falja janë institucione të rëndësishme që në çdo shtet serioz ligjor funksionojnë. Në vendin tonë shteti ka frik nga hija e vet. Presidenti i Republikës e zbaton institutin e faljes një herë në sene, kur ka raste ekstreme të domosdoshme, ose kur fut hundët korrupsioni politik! Presidenti i Republikës ka frik se shkruajnë gazetat të ushtrojë të drejtën e tij për të falur ata të dënuar që duhen falur.
Deputetët e këtij vendi kanë frikë nga hija e tyre, por dikush e ka edhe mjet fitimi të qënurit sa më gjatë në burg të një të dënuari, dhe nuk ndërmarrin nisma për të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligje për amnisti serioze për të dënuarit që vuajnë në burgjet e këtij vendi. Edhe kur janë bërë amnisti, ato kanë qenë thuajse qesharake, sepse shto ujë e shto mellë dhe prej tyre kanë përfituar pak ulje dënimi vetëm disa kokrra të pakta të burgosurish!
Ka ardhur koha të mendohet dhe të veprohet me gjithë seriozitetin e duhur për të dhënë amnisti të gjerë për të burgosurit në këtë vend. Burgjet e Shqipërisë janë të tejmbushura me të dënuar të llojit të ndërmjetësimit për kalimin e paligjshëm të kufijve, për mbjellje dhe tregtim kanabisi, që kudo në botë e prodhojnë për tua hedhur lopëve që të prodhojnë më shumë qumësht etj, etj. I hidhni një sy Burgut të Tepelenës dhe shikoni se me çfarë është i mbushur! Nuk kanë asnjë kusur taksapaguesit e afër shqiptar që të mbajnë me kaq shumë shpenzime për ushqim e shërbim një mori të burgosurish, vetëm e vetëm sepse një pjesë e vogël që ka pushtet, prej këtij fenomeni siguron të ardhura të majme!
*Kryetar i forumit të avokatëve të Shqipërisë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›