Kosova e Maqedonia thellojnë bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Ferid Agani, sot në Shkup realizoi një takim me homologun e tij nga Maqedonia, dr. Bujar Osmani dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa temë e bisedave gjatë këtij takimi, ishte dinamika e realizimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit në shëndetësi midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë, e nënshkruar në maj të vitit 2010.
Të dy ministrat vlerësuan se dy vendet kanë gatishmëri për përparimin e mbrojtjes shëndetësore me qëllim që t’i kënaqin nevojat e qytetarëve, si dhe punëtorët shëndetësorë të arrijnë standardet më të larta shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Bujar Osmani bëri të ditur se është formuar një sekretariat i përbashkët i cili është i rëndësisë së veçantë me të cilin do të komunikohet për çdo ditë, me çka do të mund që sa më parë të realizohen interesat e qytetarëve.
“U pajtuam që, konsolidimi dhe shfrytëzimi i resurseve do të sigurojë mbrojtje shëndetësore cilësore dhe shpresojë se ky është një fillim i bashkëpunimit mes dy vendeve”, ka thënë Osmani.
Ministri Agani është shprehur se bashkëpunimi midis dy vendeve është i thellë dhe në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë. Ai bëri të ditur faktin se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovë zgjedhin Maqedoninë për tu shëruar, duke shpenzuar kështu rreth 30 milion euro për kurim në qendrat shëndetësore të Maqedonisë.
Kjo është vizita e dytë e ministrit Agani që prej marrjes së mandatit të Ministrit të Shëndetësisë në vendet e rajonit, pasi që ditë më parë, ai u prit ne Tiranë nga homologu i tij atje, Ministri Petrit Vasili. (INA)