Kosova, e kujdesshme me separatistin katalonas
Një aktivist i lëvizjes separatiste të krahinës së Katalonjës në Spanjë shkon në Kosovë për të marrë përvojë se si mund të ecet drejt shpalljes së pavarësisë
Aleanca joshtetërore
Bardh Shkreli, Gazeta JNK
Autoritetet kosovare ishin të kujdesshme të mos e takonin një separatist katalonas gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku ai thoshte se kishte ardhur për të vëzhguar se si arriti shteti më i ri në kontinent ta bindë Perëndimin për ta mbështetur. Ai është i bindur se ekipet kombëtare futbollistike të Kosovës dhe Katalonisë një ditë do të luajnë në gara ndërkombëtare.
Kosova, në hall me mosnjohjen nga pesë vende të Bashkimit Europian – Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia – ka qenë e kujdesshme për të mos e takuar separatistin katalonas Uriel Bertran i cili gjatë javës së kaluar, qëndroi në Prishtinë.
Kam takuar disa subjekte politike, por asnjë institucion shtetëror nuk ka pranuar të takohet me mua, tha Bertran cili synon pavarësinë e Katalonisë nga Spanja. Kam ardhur këtu të shoh se si keni siguruar mbështetjen e vendeve më të fuqishme të Perëndimit për ta shpallur vendin tuaj të pavarur.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk pranoi të komentojë, e pyetur nga gazeta se përse qeveria refuzoi të takohet me Bertranin.
Me të janë takuar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit më të zëshëm opozitar në vend, që refuzon kompromiset për statusin e vendit dhe përkrah të drejtën e vetëvendosjes.
Bertran ka qenë për nëntë vjet deputet i Parlamentit të Katalonisë, një komunitet autonom brenda Spanjës me mbi 7 milionë banorë. Ky Parlament është në fërkim të vazhdueshëm me qeverinë spanjolle për shkak të përpjekjeve për ta zgjeruar autonominë. Sfida e fundit ka qenë ratifikimi i një preambule në vitin 2005 nga Parlamenti i Katalonisë, ku populli i këtij rajoni njihet si komb, gjë që është kundërshtuar nga Spanja, që e cilësonte atë një akt deklarativ dhe hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese spanjolle.
Ish-deputeti, bashkë me Joan Laportan, ish-presidentin e klubit të famshëm të futbollit FC Barcelona, kanë themeluar më 2010 lëvizjen paqësore Solidariteti i Katalonisë për Pavarësi.
Kosova dhe Katalonia kanë të përbashkët dëshirën për të qenë të pavarur, thotë Bertran. Ne do të promovojmë referendumin për pavarësi dhe do të shikojmë mundësinë e shpalljes së pavarësisë së njëanshme, megjithëse së pari duhet siguruar mbështetja ndërkombëtare.
Sipas tij, shumica e popullit katalonas, ose rreth 70 për qind, janë pro pavarësisë së vendit të tyre. Qendrat e ndryshme të matjes së opinionit si Qendra për Studime Sociale e Spanjës thonë se mbi 50 për qind e popullatës katalonase mbështet shkëputjen, ndërsa më 14 dhjetor 2009, BBC kishte raportuar se një referendum jozyrtar për pavarësi ishte mbajtur në rajonin e Katalonisë me 94 për qind të votuesve që kishin përkrahur pavarësinë. Rreth 25 për qind e popullatës kishte dalë në votime.
Bertran thotë se tani është duke promovuar referendumin i cili pritet të mbahet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Në janar të këtij viti, Parlamenti katalonas me 84 vota pro, 41 kundër dhe 2 abstenime miratoi deklaratën për mbajtjen e një referendumi për pavarësi, raportonte The Guardian më 23 janar. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Parlamentit spanjoll i cili ka hedhur poshtë mundësinë e mbajtjes së një referendumi të tillë. Po ashtu, nisma ishte kundërshtuar, sipas The Guardian, nga Partia Socialiste e Katalonisë dhe Partia Popullore që qeveris Spanjën. Bertran e quan Spanjën një vend të dështuar.
Ne duam të ndahemi nga Spanja për arsye ekonomike, arsimore dhe kulturore, thotë ai. Spanja është problemi më i madh ekonomik i Bashkimit Europian. Qipro është një shaka krahasuar me Spanjën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar tregon se borxhi publik i Spanjës në vitin 2010 kishte qenë 61 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa deri në vitin 2016, ky borxh parashihet të arrijnë 91.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Wall Street Journal vitin e kaluar kishte raportuar se borxhi privat i Spanjës është baras me 220 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, katërfish më i madh se borxhi publik.
Kështu, Bertran thotë se Spanja nuk është në pozitë të imponojë vullnetin e saj. Ne duhet të zhvillojmë negociata bilaterale me vende të ndryshme, por jo me gjithë Komisionin Europian…veçanërisht me Gjermaninë e cila do të mund të pranonte pavarësinë e Katalonisë për shkak të pozitës sonë gjeostrategjike. Katalonia do të mund të shndërrohej në një zonë logjistike për Gjermaninë për të eksportuar prodhimet e saj drejt Mesdheut.
Megjithatë, sipas tij, pozicionet zyrtare nga vende si Gjermania aktualisht nuk janë pro pavarësisë së Katalonisë. Ambasada e Gjermanisë në Madrid nuk ka kthyer deri më tani përgjigje në pyetjet e gazetës të dërguara përmes hapësirës së kontaktimit në web-site të saj.
Bertran, njëkohësisht ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Barcelonës, thotë se mosmarrëveshjet mes Spanjës dhe Katalonisë kapin edhe fushën e arsimit dhe kulturës. Spanja nuk ka dëshirë që nxënësit katalonas të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Ajo madje ndërhyn në tekstet shkollore të historisë duke u munduar ta ndërrojë perceptimin historik tek të rinjtë.
Demokracia në Spanjë është e kufizuar. Zyrtarisht është një vend demokratik, por në realitet demokracia është e kufizuar për shkak të traditës historike diktatoriale të Spanjës. Spanja ishte diktaturë deri në vitin 1975 dhe që atëherë të gjithë politikanët, gjyqtarët dhe njerëzit kryesorë të regjimit të Francisko Frankos kaluan në demokraci pa kurrfarë përgjegjësie, thotë Bertran.
Gjermania kishte zhvilluar gjyqet e Nurembergut ndërsa Spanja asnjëherë nuk ka mbajtur gjyqe të tilla. Një demokraci e tillë kushtëzon demokracinë e vërtetë, shton ai.
Organizata prestigjioze Freedom House, përkundrazi, në një raport të këtij viti kushtuar gjendjes së lirisë në botë, e konsideronte Spanjën vend të lirë dhe i jepte notën më të lartë këtij vendi në fushën e të drejtave politike dhe civile.
Ignacio Mollina, analist i lartë për Europën në Institutin Mbretëror Eclano, organizatë e njohur për studime në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpjegonte në një konferencë në Kosovë në nëntor 2011 se problemi katalan ishte një ndër arsyet për refuzimin spanjoll të njohjes së vendit tonë.
Së pari, deklarata e pavarësisë kosovare ishte ndërlidhur me kohën e zgjedhjeve parlamentare të kaluara në Spanjë, pastaj Madridi kishte probleme me vazhdimësinë, pasi ishte deklaruar se ndërhyrja e aleatëve në Irak më 2003 ishte kundër së drejtës ndërkombëtare, problemet me nacionalizmin në rajonet katalunase dhe baske si dhe negociatat e qeverisë me organizat