E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e meriton pavarësinë

Enigmatikë, të varfër, myslimanë dhe me gjuhë e kulturë të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës, shqiptarët e Kosovës janë shënjestër e lehtë për elementet që synojnë vetë-kënaqësi në radhët e klasës pseudo-politike të Evropës Perëndimore. Argumentet e kritikëve të pavarësisë së Kosovës, bazohen në dy doktrina false të vetëmohimit. E para, thotë se shteti i Serbisë nuk është përgjegjës për masakrimin e shqiptarëve midis 1998 dhe 1999 dhe se forcat serbe të Sigurimit disi janë mashtruar nga provokimet e UÇK-së, për vrasjen e mijëra të pafajshmëve. E dyta, thotë se më shumë se 800 mijë shqiptarë në kohën e bombardimeve të NATO-s janë zhvendosur nga frika e bombardimeve dhe jo nga njësitet militare serbe.
Po të ishin këto pohime të vërteta, atëherë rasti fondamental për pavarësinë e Kosovës, do të ishte i padrejtë në mënyrën më fatale. Por, ato nuk janë të vërteta. Dhe këtë e di, jo si një supozim, por si fakt. Kam shumë kujtime nga Kosova në kohën që kam kaluar atje duke raportuar midis viteve 1998 dhe 2000, në mesin e imazheve të varrezave masive, fshatrave të djegura dhe kufomave të ënjtura.
Përkujtimi i asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftës është shumë e rëndësishme për çështjen e pavarësisë së Kosovës, meqë zbulon përfshirjen absolute të autoriteteve serbe në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe ka dëshmuar, atëherë dhe tani, për një pushtet jonjerëzor dhe të padrejtë, nga i cili shqiptarët e Kosovës meritojnë të jenë të pavarur.
Në anën tjetër, pavarësisht nga propaganda e Koshtunicës, shumica e serbëve janë më të shqetësuar me gjendjen e tyre ekonomike se sa që janë me statusin e Kosovës, që do të thotë se ata mund të ngurojnë të kërkojnë patronazhin e Rusisë nëse kjo nënkupton përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Me humbjen e katër luftërave në 16 vitet e fundit, ata duket se nuk janë duke u ngutur të hyjnë në një konflikt tjetër dhe përkundër kërcënimeve, nuk ka pasur mobilizim të njësiteve ushtarake.
Brenda në Kosovë ndërkaq, në mungesë të pajtueshmërisë midis grupeve etnike që prej vitit 1999, pakica serbe jeton në enklava, pas zhvendosjes nga shqiptarët. Trazira të lehta, protesta dhe vrasjet janë të mundshme, por me 16 mijë ushtarë të NATO-s nuk ka gjasë të ketë përplasje të gjerë midis forcave paramilitare. Prandaj, rruga përpara mund të mos jetë edhe aq e rrezikshme, sikur thuhet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet të sforcojë misionin civil dhe ushtarak në Kosovë, për të siguruar mbrojtjen e pakicës serbe. Edhe pse do të ishte ideale të gjendej një rrugë përpara me të cilën do të pajtoheshin edhe Serbia edhe Rusia, Bashkimi Evropian duhet ta pranojë se një gjë e këtillë nuk do të ndodhë.
Dhe kur të shqyrtohet përgjigja mbi shpalljen e pashmangshme të pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian duhet të shkëputet nga gjuha emocionale e lojtarëve rajonalë dhe revizionistëve, duke kujtuar tri fakte të thjeshta. Serbia e ka humbur Kosovën më 1999. Shumica dërmuese e kosovarëve duan pavarësinë. Dhe mbi të gjitha, ata e meritojnë pavarësinë.
* "The Times" / Artikulli është përkthyer nga sajti shqip i radios amerikane "Europa e Lirë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›