E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, shenja e Berishës

Në dimrin e tretë të rikthimit të Sali Berishës si udhëheqës i vendit, shumica e shqiptarëve shprehen se ndjehen shumë më të varfër dhe më të pashpresë se përpara vitit 2005. I ardhur në pushtet, në emër të ndëshkimit me "tolerancë 0" të korrupsionit zyrtar, z.Berisha e ka humbur për të dytën herë shansin që i ka dhënë vota një herë në 22 mars 1992 dhe, për të dytën herë, në 3 korrik 2005 dhe qeveria e tij defacto ka rënë. Programi qeverisës katërvjeçar ka mbetur në letër dhe premtimet e bëra nuk do të realizohen kurrë edhe sikur Kryeministri të rikthente frazën bombastike të 100-ditëshit të parë qeverisës, se "ato do të jenë ditët më intensive të jetës sime".
Z.Berisha, ka lindur në 15 Tetor, nën shenjën e Peshores, por prej hyrjes në politikë shenja "zodiakale" e tij ka qenë korrupsioni. Me anë të korrupsionit politik ai bleu përkrahjen e të parës parti opozitare duke mbetur në krye të saj, realisht, prej shkurtit 1991. Për pesë vjet, sa ishte President i vendit, Shqipëria u kthye në një vend rentier që nuk prodhoi asgjë veç piramidave mashtruese dhe pushteti i tij u shkërmoq nga revolta popullore e marsit 1997. Për tetë vite në opozitë, ai u mundua të rimerrte pushtetin disa herë me forcë, në mungesë të një alternative dhe një programi real qeverisës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, votuesit e lodhur me korrupsionin folklorik të F.Nanos votuan për ndryshimin që ish-presidenti premtoi. Por shumë gjëra kanë ndryshuar për më keq, aq sa në raportin më të fundit të Transparency International, Shqipëria ishte vendi i tretë më i korruptuar në botë, një njollë që nxin mbarë shoqërinë shqiptare. E tregojnë vetë shifrat e korrupsionit. Zyra e Antikorrupsionit në qeveri rrihte gjoksin dy ditë më parë se kishte pritur vetëm për vitin 2007, 13 mijë letra denoncuese të qytetarëve shqiptarë për korrupsionin masiv në administratën zyrtare, por ka edhe disa dhjetëra-mijëra telefonata. Këshilltarët e Kryeministrit e motivojnë këtë numër kaq të madh të denoncimeve për korrupsion, me guximin që iu është çliruar qytetarëve për të denoncuar korrupsionin shtetëror, kur në fakt për çdo denoncim ruhet anonimati, ashtu siç garantohej edhe gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nano. Si për ironi të shifrave, zyrtarisht, ish-kryeministri në fjalë merrte nga qytetaret jo më shumë se 3 mijë letra në vit.
Një ish-ministër i rëndësishëm i sfilitur financiarisht nga reformat ndëshkuese që administrata fiskale ka ndërmarrë ndaj bizneseve, thotë se ndryshimi mes qeverisjes së Nanos dhe Berishës, është mënyra se si ata e kanalizojnë rrjetin korruptiv. I pari, kishte ushqyer teorinë e shpërndarjes së të ardhurave nga ekonomia e zezë, duke zvogëluar rrethin e të pakënaqurve, ndërsa i dyti e ka centralizuar atë, duke i ndarë paratë e pista vetëm në duart e pak njerëzve të afërt me pushtetin dhe familjarët.
Gjatë mandatit të tretë si kryeministër, z.Nano nuk ngurroi të fuste në burg disa prej zyrtarëve të lartë të qeverisjes. Kjo nuk e shpëtoi nga damkosja, por peshkaqenët e korrupsionit, jetuan të qetë dhe sot i kanë shtuar miliardat e tyre nën qeverisjen e djathtë. Z.Berisha ka shpënë pas hekurave ca më shumë zyrtarë, por sërish duke kursyer peshkaqenët e korrupsionit. Mbrojtja politike që iu bë disa muaj me radhë, por veçanërisht dy ditët e fundit ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, për abuzimet e faktuara nga prokurorët me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, ishte tregues se Kryeministri nuk e lejon drejtësinë që t'i afrohet klanit të vet familjaro-partiak. Ndonëse shumica e deputetëve të djathtë votuan për t'i hequr imunitetin z.Basha, ekziston shqetësimi real se prokuroria nuk do të ketë guximin profesional ta çojë deri në fund hetimin për abuzimet në veprën më të madhe infrastrukturore në vend, sepse deputeti pa imunitet, është si shumë zyrtarë të tjerë të lartë, mik i familjes dhe i imunizuar ndaj antikorrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›