Kosova është e gatshme të kontribuoj për paqen e stabilitetin

Në këtë konferencë po marrin pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve të rajonit, si Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë, mandej nga Komanda e SHBA-ve për Evropë, përfaqësues të NATO-s dhe delegacioni i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast presidentja e vendit, Atifete Jahjaga tha se shkëmbimi i përvojave dhe gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit të ndërsjellët janë në interes të të gjitha vendeve dhe qytetarëve të rajonit pa dallim.
Ajo shtoi se vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe shkëmbyer praktikat më të mira mund të gjenden zgjidhje dhe të vendoset paqja e stabiliteti në mbarë botën. Sipas saj, Kosova nuk është peng i së kaluarës, por me kontributin dhe angazhimin konkret shikon drejt të ardhmes në integrime evropiane dhe anëtarësim në NATO.
“Vetëm si fqinj që japin ndihmë reciproke mund të ecim përpara. Republika e Kosovës nuk është peng i së kaluarës, ne shohim kah e ardhmja drejt rrugës së integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin në NATO, si aleancë më e drejt e sigurisë kolektive. Vendi im po merr pjesë në nismat rajonale në fushën e sigurisë, është qëllim i yni që së shpejti të i bashkohemi partneritetit për paqe, ku me kapacitetet tona ekzistuese të ndërtuara sipas standardeve më të larta evropiane dhe amerikane mund të japim kontributin tonë në misionet dhe iniciativave të përbashkëta humanitare për vendosjen dhe ruajtjen e paqes në tërë botën”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Ajo vlerësoi se në raste të caktuara intervenimi humanitar dhe ndërkombëtar, siç ishte intervenimi i NATO-së gjatë luftës në Kosovë dhe tash së fundi në Libi, janë bërë jo vetëm normë e dëshirueshme, por edhe e pranueshme dhe legjitime.
Nga ana tjetër kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se konferenca e organizuar nga MFSK, dërgon mesazhin për të ardhmen e Kosovës, por edhe të rajonit. Sipas tij, të gjithë janë meritor që pas 12 viteve janë vënë bashkëpunime të mira që shkojnë në funksion të paqes e stabilitetit dhe perspektives euroatlantike.
“Kontributi i secilit në këto hapësira është i domosdoshëm dhe i pritshëm nga popujt tanë dhe partnerët e paqes dhe sigurisë në botë, siç është NATO dhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-të. Kjo konferencë dërgon mesazhin e bashkëpunimit në një fushë që për shumë vite ishte shqetësim, dërgon mesazh për paqe dhe siguri që është një hap në kapitullin tonë të ri të lirisë dhe të demokracive në vendet tona dhe padyshim që edhe Kosova është e lumtur që jeton në paqe, në liri dhe se kontribuon në vlera të patjetërsueshme të njerëzimit”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ritheksoi gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë apo për të kontribuar në ruajtjen dhe ndërtimin e paqes në rajon e më gjerë. Ai ka përmendur tri qëllimet kryesore, që do të arrihen nga mbajtja e kësaj konference me ministrat e mbrojtjes nga vendet e rajonit.
“E para me këtë iniciativë dëshirojmë të dëshmojmë edhe njëherë përkushtimin tonë për të ndërtuar raporte të mira të vendeve të rajonit përmes forcave tona dhe mbrojtjes së sigurisë. Qëllimi i dytë është që të shprehim vullnetin dhe përkushtimin tonë për t’u anëtarësuar apo për të marrë pjesë në të gjitha strukturat dhe iniciativat apo projektet rajonale të mbrojtjes së sigurisë. Qëllimi i tretë është edhe njëherë me gjithë prezencën e delegacioneve nga rajoni të shprehim vullnetin tonë dhe përcaktimin tonë strategjik për anëtarësimin tonë në NATO, si dhe përcaktimin tonë për ndërtimin e sistemit të sigurisë kombëtare të bazuar në bashkëpunim”, ka thënë ministri Çeku.
Ndryshe në fund të kësaj konference, pritet të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët, përmes së cilës ministrat e vendeve pjesëmarrëse pritet ta përshëndesin vullnetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës për t’u anëtarësuar në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe po ashtu do të ketë marrëveshje për shkëmbimin e kapaciteteve për përballimin e situatave të krizave të ndryshme.