E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikohet MMPH dhe ZAP-i

Kritika të ashpra janë drejtuar në adresë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH) dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Kosovës, për shkak të mangësive të mëdha që kishte raporti i auditimit për vitin 2009-2010, e që ZAP-i ia kishte dërguar këtij komisioni.

Këto kritika u bënë të premten në seancën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me ç’rast zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Ramiz Lladrovci tha se në raport janë gjetur shpërputhje të mëdha.

Ai thekoi se derisa raporti që ZAP-i e ka dorëzuar në Komision e paraqet ministrinë të dobët në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i auditimit, ministria thotë se ka bërë komentet plotësuese lidhur me raportin dhe ia ka dorëzuar ZAP-it.

“Auditori i ka dhanë mundësinë për të dhënë komente të këtij materiali. Ministria nuk ka dhënë asnjë koment, të paktën ne flasim për materialin që e kemi në shqyrtim. Ky është material zyrtar për neve si komision. Prandaj këtu janë problemet se kur shkojmë në seancë, se ne marrim vendim ta dërgojmë raportin në seancë ose jo. Kur kemi informacione kundërthënëse këtu sigurisht se e çojmë edhe në seancë raportin”, ka thënë ai.

Kurse ministri i Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinorë, Dardan Gashi, e ka arsyetuar ministrinë që ai drejton, duke thënë se ata ia kanë dërguar ZAP-it raportin me komente plotësuese, ndërsa e ka hedhur topin tek kjo zyre, duke thënë se ka qenë një problem i vogël teknik që e ka lëshuar ZAP-i.

“Fatkeqësisht një pjesë e materialit nuk i ka mbërri Komisionit ku ne si ministri ia kemi dërguar auditorit hapat që do t’i ndërmarrim, kurse ai material nuk i ka mbërri fatkeqësisht komisionit. Mirëpo, tash u sqarua se ministria i ka ndërmarrë hapat që duhet t’i ndërmerr, ka reflektuar në atë raport”, ka thënë ai.

Por përfaqësuesi i Zyrës së Auditimit të Përgjithshëm, Mujë Gashi, nuk ka dashur të prononcohet për media lidhur me mangësitë e raportit të cilin vetë ata e kishin hartuar.

Ndërsa anëtarja tjetër e këtij komisioni, Valbona Dibra vlerësoi se raporti i ZAP-it është i pakualifikuar, pasi në të nuk është nxjerrë as pasqyrë e qartë e shpenzimeve të financave publike.

“Opinioni i auditorit për këtë raport vjetor të kësaj ministrie është i pakualifikuar në plotësim të çështjes. Çka do të thotë se pasqyrat financiare në të gjitha aspektet materiale prezantojnë pamje të drejtë dhe të saktë, mirëpo, theksimi i çështjes vërehet në atë se pasuritë nuk janë të regjistruara saktë dhe të arkëtueshmet nuk janë të regjistruara saktë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike e ka kthyer këtë raport dhe ka marrë vendim që brenda këtij muaji Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në bashkëpunim më Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ta përpilojnë një raport më të detajuar lidhur me zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it, sepse me mangësitë aktuale raporti nuk mund të shkojë në Kuvendin e Kosovës për t’u debatuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›